Sporti, një mundësi e jashtëzakonshme për Kosovën

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ka bërë lansimin e Kornizës Strategjike të Sportit 2017-2021 gjatë një konference ku të pranishëm ishin përfaqësues institucional të sportit nga Republika e Sllovenisë, përfaqësues të Federatave të Sportit të Kosovës, si dhe përfaqësues të Departamenteve të Sportit nga komunat e Kosovës.

Zëvendësministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Rexhep Hoti, duke folur për strategjinë për sport, theksoi se sporti në Republikën e Kosovës ka shënuar diferencën në hapat e saj të zhvillimit dhe të suksesit.

Zëvendësministri përmendi pranimin e Kosovës në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar (KON), pranimin në UEFA së fundmi, si disa nga sukseset që dëshmojë se mundi i sportistëve tanë ka bërë që Kosova të depërtojë edhe tek shtetet të cilat ende nuk e kanë njohur atë.

Ai tha se MKRS ka kultivuar traditë të mirë bashkëpunimi me federatat e sportit në Kosovë dhe institucionet tjera përcjellëse, proces që ka dëshmuar suksese të njëpasnjëshme.

Zëvendësministri Hoti theksoi faktin se tashmë është dëshmuar suksesi i Kosovës dhe hapësirave shqiptare në rrafshin ndërkombëtar nëpërmjet talenteve të shumtë të sportit vendas.

Kurse, Boro Strumbelj, Drejtor i Departamentit të Sportit në Ministrinë e Sportit të Sllovenisë e cila ka ndihmuar MKRS-në në hartimin e strategjisë, përgëzoi MKRS-në për strategjinë për sport dhe premtoi se Sllovenia do të ndajë me Kosovën modelin e vet të suksesit në sport.

Ai uroi Kosovën për pranimin në UEFA duke e konsideruar si një sukses të jashtëzakonshëm si dhe theksoi rëndësinë e investimit në sportin e të rinjve, si një parakusht për zhvillimin pozitiv të sportit në përgjithësi.

Në mes të dyja ministrive të sportit, asaj të Kosovës dhe Sllovenisë është dakorduar që në një të ardhme të afërt të nënshkruhet një memorandum bashkëpunimi në mes të departamenteve të sportit pranë ministrive gjegjëse.

Zëvendësministri Hoti dhe Drejtori Strumbelj e vlerësuan një hap të tillë si të jashtëzakonshëm në aspektin e thellimit të bashkëpunimit mes Republikës së Kosovës dhe asaj të Sllovenisë dhe investimit të përbashkët në fushën e sportit.

Për lansimin e kornizës strategjike për sport foli edhe kryetari i Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Hasani i cili tha se lansimi i saj vjen në kohën më të mirë, pas përpjekjeve të gjata të federatave të sportit të Kosovës për tu njohur nga federatat ndërkombëtare të sportit, gjë e cila është arritur me sukses.

Ai theksoi rëndësinë që organizatat sportive të veprojnë me plan strategjik si dhe nevojën e një koordinimi sa më të mirë në mes të MKRS-së dhe federatave të sportit në mënyrë që kjo strategji të jetë e harmonizuar dhe funksionale.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …