Mevlyde Mezini Saraçi: SHENJTËRIA E VARGUT POETIK

Në ditën ndërkombëtare të poezisë, më 21 mars 2022, nga ora 14:00, në Bibliotekën Kombëtare “Pjetër Bogdani” në Prishtinë, u përurua libri Antologji “Ujëvarë fjalësh artistike”. Me krijimet e 80 krijues nga e gjithë hapësira shqiptare dhe mërgata. 

Urime dita botërore e poezisë dhe dita e përurimit të antologjisë me poezi dhe tregime “Ujëvarë fjalësh artistike” të cilën e përgatiti me shumë përkushtim, Akademik, Dibran Fylli, i cili nderoi në sofrën e madhe artistike kombëtare tetëdhjetë poetë e shkrimtarë nga trojet etnike dhe nga mërgata dhe sot na mblodhi në përurimin e tij. Të gjithë autorët e poezive dhe tregimeve të prezantuara në antologji meritojnë respekt dhe mirënjohje të veçantë.

Një vepër e tillë me vlera të larta letrare, më shumë se kurrë i nevojitet letërsisë shqipe, lexuesve dhe dashamirësve të fjalës së shkruar.

Të jesh njeri i sukseseve, doemos duhet të kesh shpenzuar një jetë të tërë në veprimtari artistike dhe kombëtare, ndaj autori Dibran Fylli, atdhetar, intelektual, poet, shkrimtar, dramaturg, regjisor, artist, luftëtar i lirisë, personalitet me veprimtari shumëdimensionale, mik i sinqertë dhe punëtor i madh, realizoi projektin madhështor, antologjinë me poezi e tregime, të cilit ia dha një titull me simbolikë “Ujëvarë fjalësh artistike” ashtu siç edhe në realitet e meriton ky botim.

Autori, Dibran Fylli, bashkë me stafin redaktues, figura dhe emra të njohur në dekada, miq dhe bashkëpunëtorë të tij, Asllan Qyqalla, Reshat Sahitaj, Flori Bruqi, Jahja Lluka, lektorja, Teuta Qyqalla, realizoi një vepër me vlera letrare me ç ‘rast më nderoi edhe mua me rolin e recensueses.

Antologjia “Ujëvarë fjalësh artistike”,  u radhit dhe dizajnua nga uni Art Creative-(df), dhe e pa dritën me shtëpinë botuese Press Liberty, në vitin 2021.

Kjo antologji përmban 265 faqe dhe është e ndarë në dy kapituj, atë me poezi dhe prozë, në të cilën poetët dhe shkrimtarët pjesëmarrës janë të radhitur sipas alfabetit.

Autori dhe stafi redaktues me shumë finesë e kanë bërë përzgjedhjen e autorëve, poezitë dhe tregimet e tyre, të cilat për lexuesin do të mbeten gjatë në kujtesë.

Antologjia sjell shkrime me tema nga më të ndryshmet, por në shumicën e rasteve trajtohet tema për atdheun, lirinë, kufirin ndarës, shqiponjën, shpresën, dëshmorët, martirët, personat e zhdukur, nderin, pafytyrësinë, vuajtjet, sakrificën, qëndresën kombëtare, luftën për liri, personalitete dhe figura kombëtare, duke mos lënë anash temën e dashurisë njerëzore, dashurinë për nënën, e cila ka simbolikë edhe atdheun, por edhe tema sociale të cilat mbeten aktuale në shoqërinë tonë në vazhdimësi.

Nuk ka se si të mos përmenden shkrimtarët e mëdhenj shqiptarë por edhe ata të cilët e bënë luftën me pendë e me pushkë dhe që me kontributin dhe sakrificën sublime, një jetë të tërë ia falën atdheut,.

Në këtë antologji nga krijimtaria e shkrimtarit dhe heroit të Kosovës, Adem Demaçi, veçojmë dy poezi;

 

 AFISHJA E KATËRTË E POETIT”/

/O vargu im pusho vajin/pusho vajin se na qesh bota

Nuk do të mbetemi prore fëmijë/fëmijë që vetëm do të qajmë e ankohemi

Fluturo o vargu im/fluturo mbi kullat e Jasharajve në Prekaz

dhe lexo afishen e Sat Nokshiqit/Afishen e shkruar me gjak në borë/

dhe poezia tjetër, me titull; “AFISHJA E FUNDIT E POETIT”/

Tung vargu im/Shpejto hapin vargu im/Shpejto hapin dhe shko në Prizren/te Marashi te Marashi te Marashi/Gjeje rrapin gjeje rrapin gjeje rrapin

që poeti Sat Nokshiqi ka mbështjellë/me trëndafila shkronja-shkronja/

Dhe Adem Demaqi, në shpejtim të hapit, iku nga kjo botë për të mbetur përjetësisht i lartësuar në vepra e kujtime.

Fazli Greiçevci,  aktivist shqiptar, poet, intelektual dhe patriot i cili u bë i njohur si “simbol i flamurit” midis shqiptarëve gjatë viteve 1960, është pjesë e antologjisë me poezinë “Kanga e maleve”, ndërkaq që nga vepra e

Avdyl Kadolli, është përzgjedhur poezia. “Zjarret e Drenisë”.

Pjesë e antologjisë është edhe poezia “Nusja e flamurit”, e autorit

Havzi Nela, që njihet si njëri prej poetëve kundërshtarë të regjimit komunist, i cili që nga vitet e gjashtëdhjeta u internua derisa në vitin 1988 u var në mes të Kukësit.

Poezia e veprimtarit, heroit të kombit dhe autorit Jusuf Gërvalla dedikuar nënës Ajshe “DO TË KTHEHEM, NËNË”, 

/Sa fort më mundon/Vetmia, o nanë/E votër braktisa një ditë/N ‘vendlindje ishte vjeshtë/Tani vonë/Të presin të korrat e brengat/

mbeti vetëm dëshirë, meqenëse për së gjalli nuk arriti të kthehet, të shoh nënën e as atdheun, pasi më 18 janar 1982, Jusufi bashkë me të vëllain, Bardhoshin dhe Kadri Zekën u vranë nga shërbimi sekret Jugosllav në Gjermani.

/Le të shkrihet terri/kur marshojmë drejt majës/Duke hapur shtigje në bjeshkë e në shpirt/Pranvera e djegur zgjohet/në vargun e Nëntorit të tretë/Me plumb filluam nokturno të shkruajmë/Për gjymtyrët e mbetura në fushëbeteja/

me ujin e ashtit tonë/ flet poeti dhe heroi i kombit,  Agim Ramadani, përmes vargut të poezisë së tij “DIÇKA E NËMUR PARA BJESHKËVE”/

Dritëro Agolli, ky emër i madh e i letrave shqipe, i cili krijoi një model të ri vjershërimi dhe gërshetoi vlerat tradicionale të poezisë me mënyra të reja të shprehjes poetike, ka lënë gjurmë të çmuara në letërsinë shqiptare. 

Në antologjinë” Ujëvarë fjalësh artistike”,  janë përfshirë dy poezi; “Tespihet e Idriz Seferit dhe Balada e tre të rënëve”.

Nga shkrimtari Arif Bozaxhi, po i citoj vargjet e poezisë së shkurtër por me mesazh të fuqishëm;

 “ZARFI”

/kur në sytë e zogjve/korbat shuanin etjen/një fëmijë nga Prekazi/deshi t’ia dërgojë një letër diellit/asnjë zarf nuk ia zuri/letrën e përgjakur…/

Autori i Antologjisë, akademik Dibran Fylli, njihet si shkrimtar me vepra të përkthyera në dhjetëra gjuhë botërore, por ai ka përzgjedhur që të jenë pjesë e kësaj antologjie edhe poezi e prozë të shkrimtarëve Reshat Sahitaj, Lan Qyqalla, Jahja Lluka, Flori Bruqi e të tjerë, veprat e të cilëve janë përkthyer në disa gjuhë botërore dhe janë botuar nga shtëpi botuese prestigjioze.

Krijuesit janë frymëzuesit më të fuqishëm por edhe kritikët më të mëdhenj për ngjarjet që ndodhin rreth nesh, që nuk ecin për së mbari ndaj edhe mllefi dhe protesta e shprehur përmes vargut e ka jehonën e vet. Autori Skënder R. Hoxha në poezia e tij me titull “Poeti pështyn “heronjtë” vjen si një protestë dhe thirrje e fuqishme për prapësitë e kohës.

 

NËNË PSE IKE

/nëna iku dhe u bë rreze/të ndriçoj nga qielli gjithësinë/nē zemër më mbeti dhembja/sikur mu shua dhe i vetmi yll/, janë vargjet e poezisë së autorit Ali Prebreza, kushtuar nënës.

Shumë krijuese e shkrimtare të suksesshme shqiptare, si Shefqete Gosalci, Tëndafile Molla, Sherife Berisha Thaqi, Fatime Kulli,  Farida Ramadani, Leonora Bruqi, Saliha Kodra-Rama, Ymrije Beqiri, Zyrafete Krasniqi-Manaj, Majlinda Shaqiri, etj, të cilat kanë bërë emër me krijimtarinë letrare dhe pjesëmarrjen e tyre në festivale e manifestime letrare, por edhe krijuese që premtojnë, janë pjesë e antologjisë me poezi e prozë. 

Edhe pjesa e dytë e antologjisë është e pasur me tregime nga autorë të ndryshëm, me tematika të ndryshme por që e vlejnë të lexohen dhe të komentohen, për përmbajtjen, qëllimin dhe mesazhet e fuqishme që i transmetojnë tek lexuesi. Janë tregime që mund të lexohen nga të gjitha moshat.

Është vështirë të ndahet cilido tregim dhe të prezantohet sot përmes këtij shkrimi pasi që lexuesi është ai që do t’i lexojë dhe vlerësojë, do të përjetojë çaste magjike, por edhe emocione të fuqishme nga tematika që shtjellohet në secilin tregim.

Në tregimin e shkrimtarit Lan Qyqalla, me titull “PO VDES ME DASHURI PËR KOSOVËN” përshkruhet vrasja e ministres së punëve të jashtme të Suedisë, Zonjës Ana Lindh, e cila ishte përkrahëse e Kosovës dhe ditën që kishte në plan të dërgojë shkresën zyrtare presidentit të Republikës së Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, u vra…

Autori me mjeshtri e përshkruan gjithë ngjarjen dramatike që nga mëngjesi, përshëndetjen e saj me të bijat, premtimin se do të takoheshin më vonë, por edhe parandjenjën apo fiksimin e asaj date në mendjen e Anna Lindh  e deri te akti i krimit, kur mikja e shqiptarëve, u godit nga dora e kriminelit serb,  në shenjë hakmarrjeje për shkak të dashurisë që ushqente diplomatja suedeze për Kosovën, 

Në tregimin e tij me titullDita më e lumtur e Azem dhe Shotë Galicës…” shkrimtari Reshat Sahitaj, paraqet një kënd të veçantë të rrëfimit, për jetën e Azemit dhe Shotës, për të cilët askush deri më tani nuk ka shkruar. Është një tregim plotë frymëzim, përshkrim të momenteve të bukura të një çifti luftëtarësh, por bashkëshortësh, të cilët jeta nuk u ka dhuruar privilegje që ta shijojnë jetën pa dorëza. Këto momente të bukura që me mjeshtri i ka paraqitë në tregim, autori Reshat Sahitaj, e rifreskojnë kujtimin për Azemin dhe Shotën, përveç si luftëtarë, kësaj radhe si njerëz të zakonshëm dhe të dashuruar, por edhe përfundimin tragjik të Azemit.

 “Ishte dita më e lumtur e Azemit dhe Shotës, që për herë të parë larg krismave të luftës, në qiellin e hapur bënë dashuri, pa e ditur së pikërisht në këtë vend e në të njëjtën ditë të mërkure, Azem Galicën do ta merrte një plumb vdekjeprurës i ushtrisë serbe e që dhjetë ditë më vonë do të vdiste, shkruan autori Reshat Sahitaj. 

Nga ana tjetër shkrimtari, atdhetari, veprimtari, ish i burgosuri politik Jahja Lluka sjellë një rrëfim me titull “A ki nevojë për ndonjë gjë”, pjesë nga ditari i tij, një përshkrim me detaje që të rrëqeth, për kohën e luftës kur Serbia kriminale e kishte pushtuar Kosovën dhe shqiptarët i burgoste duke i maltretuar si në kohën e inkuizionit.

Tek rrëfen autori mes tjerash edhe për korrikun e vitit 1998 kur qindra të burgosur shqiptarë i sollën në burgun e Lipjanit, mua si e burgosur dhe dëshmitare e asaj kohe, më rikthen mu n ‘ato momente kur përballë qelisë ku ndodhesha bashkë me gratë tjera, të burgosura politike, në fakt si robër lufte i kemi përjetuar rëndë rrahjet dhe dhunën e kriminelëve serb ndaj shqiptarëve duke e kërkuar vdekjen para se të dëgjonim klithmat e të burgosurve shqiptarë.

Këto dhe histori të tjera sigurisht që janë shumë të nevojshme të arrijnë tek lexuesit, sepse teknologjia dhe rrjetet sociale sikur i kanë larguar nga realiteti i jetës, nga e kaluara dhe e sotmja dhe libri fizik sado kudo e ndërgjegjëson lexuesin, e informon por edhe e frymëzon për dashuri dhe jetë, për liri dhe atdhedashuri.

Shkrimtari Kalosh Çeliku, përveç poezive sjell edhe tregimet “Liria” dhe “Xhadisë, para vdekjes sot i doli gjumi”, ndërsa Syhej Havolli me poezi dhe dy tregimet “Qyteti im” dhe “Shpërthime”.

Nuhi Vinca përveç poezive sjell edhe tregimin e tij me titull “Tre lisa”.

Edhe autori Hasan Selim vjen me dy tregimin; “Intervistë e mistertë” dhe “Pas fjalës dialog me Hasan Prishtinën”.

 

Zyrafete Krasniqi-Manaj, me tregimin e sajIMAZH MALLI”, sjell rrëfimin e një nëne e cila çdo mëngjes pret të birin e zhdukur me dhunë gjatë luftës, imazhin e mallit të të cilit e sjell në imagjinatën e saj përmes figurës së një djaloshi që shërbente si postier. “Nëna fliste me imazhin e mallit për birin

e saj, të vetmin djalë, që ia kishte marr lufta, e që e kishte lanë

krejt vetëm në këtë jetë” shkruan autorja e këtij tregimi.

Ndërkaq që shkrimtarja Sherife Thaqi përmes shkrimit të saj sjell tregimin “Aty i pushuam trupat”, në shenjë mirënjohjeje dhe falënderimi për strehimin në shtetin amë në një familje durrsake që siç e përshkruan, më tepër kishin zemër se trup.

Duke mos dashur të shfrytëzoj kohën tuaj të çmuar dhe durimin,  për faktin se sot është ditë përurimi, ditë feste dhe secili prej jush do ta ketë kënaqësinë ta keni në dorë Antologjinë dhe do të lexoni me kujdes të gjitha shkrimet nga shkrimtarë të njohur dhe figura të letërsisë shqiptare.

Konsideroj se i autori i antologjisë “Ujëvarë fjalësh artistike” Akademik Dibran Fylli me të gjithë bashkëpunëtorët e ka arritur qëllimin e tij të lartë dhe human, që përmes kësaj vepre antologjike t’i sjellë lexuesit poezi dhe tregime, jo vetëm për kënaqësi leximi, por edhe informata për autorë, personazhe, data dhe ngjarje.  

Ju uroj shëndet dhe suksese të pandalshme Akademik Dibran Fylli dhe të gjithë juve që jeni pjesë e antologjisë dhe përurimit të sotëm!

Faleminderit!

Kontrolloni gjithashtu

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Shkollave shqipe në Zvicër në kuadër të Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” …