Avokati i Salih Mustafës, Julius Von Bone, ka deklaruar se i mbrojturi i tij asnjëherë nuk e ka ndaluar asnjë person, nuk e ka maltretuar dhe nuk e ka vrarë asnjëherë asnjë person e as nuk ka urdhëruar dikë tjetër të bëjë një gjë të tillë. Këtë e ka thënë në seancën e sotme, gjatë paraqitjes së deklaratës së tij hyrëse. Ndërkaq, Mustafa nuk ka dhënë asnjë deklaratë gjatë kësaj seance, raporton “Betimi për Drejtësi”. Avokati Von Bone ka thënë se zona e Gollakut dhe brenda saj Zllashi janë në lindje të Prishtinës. Sipas tij, pas sulmeve ajrore të NATO-s, njerëzit filluan të largoheshin ku kishin mundësi të shkonin dhe ndër to edhe në Gollak, Zllash, ku njerëzit strehoheshin ku mundeshin nëpër shtëpia. Ai tha se Salih Mustafa ishte komandant i njësitit BIA, që kryente detyrat e veta, kryesisht me ndihmën e civilëve. Civilët jepnin shtëpi apo gjysmën e shtëpisë për njësitin, në mënyrë që të merrej informacion për forcat e armikut, dislokimin e tyre apo thjesht shtëpitë të përdoreshin për grumbullimin e materialeve të ndryshme për njerëzit që të mbijetonin konfliktin.
“Zona e operacioneve të BIA-së ishin zonat urbane, kryesisht Prishtina. Anëtarët e BIA-s qëndronin në shtëpitë e civilëve në mënyrë që të pushonin apo qëndronin në kohë të shkurtër gjatë kohës sa ishin në lëvizje”, tha ia.
Tutje, theksoi se kontestojnë gjithë idenë se ka pasur bazë në Zllash.
Ai tha se deduktimi se i gjithë kompleksi ka qenë për njësitin e BIA-s është gabim dhe se Zllashi për njësitin BIA ishte si për gjithë të tjerët, ku ishte vendi sigurt, ku qëndronin edhe pjesëtarë të njësiteve tjera të UÇK-së.
Pas punës intensive në zonat urbane, ai tha se anëtarët e BIA-së kishin nevojë për një vend të sigurt, ku mund të pushonin.
“ZPS ka ndërtuar gjithë çështjen e vet rreth kësaj dhe bën që ajo të duket sikur njësia BIA apo Salih Mustafa ka qenë aty gjithë kohës dhe kanë kontrolluar gjithë kompleksin apo zonën e ndalimit. Është krejt e gabuar ajo që thotë ZPS në dosjen paraprake se BIA e ka përdor këtë vend si të vetin”, tha ai.
Tutje, avokati deklaroi se zona operative e BIA nuk ishte në Zllash dhe nuk kishin lidhje me Zllashin, por thjesht ndoshta kanë qëndruar në ndonjë dhomë aty kur operacionet në qytete kanë qenë shumë intensive në mënyrë që të pushonin në zonën malore.
Von Bone tha se Salih Mustafafa është vetdeklaruar pafajshëm dhe në asnjë mënyrë nuk i ka shkaktuar dëm asnjërit nga dëshmitarët që kanë dëshmuar për ZPS.
“Ai me vendosmëri mohon se ka pas ndonjë lidhje me ta apo që iu ka shkaktuar atyre ndonjë të keqe. Viktimat pavarësisht çka kanë përjetuar janë thjesht gabim dhe asnjëherë nuk e kanë identifikuar të akuzuarin nëse gjatë kohës që janë mbajt apo malltretuar, dukshëm që këtë nuk e kanë përjetuar nga Salih Mustafa dhe ai asnjëherë nuk ka urdhëruar një gjë të tillë”, tha Von Bone.
Sipas tij, Mustafa nuk ka pasur kurrfarë kompetenca në zonën operative të Llapit, nuk ka pas kurrfarë pushteti mbi brigadën 153.
Ai tha se Salih Mustafa asnjëherë nuk e ka ndaluar asnjë person, asnjëherë nuk e ka maltretuar asnjë person, asnjëherë nuk e ka vrarë asnjë person dhe as nuk ka urdhëruar dikë tjetër të bënte një gjë të tillë. Mustafa me shumë të tjerë është patriot dhe ka luftuar për çlirimin e vendit të vet.
Von Bone ka deklaruar se akuzat kundër Mustafës përfshijnë ndalimin arbitrar të disa individëve, trajtimin çnjerëzor, torturën dhe vrasjen e paligjshme dhe se theksojnë se Mustafa nuk e ka kryer asnjë prej këtyre krimeve.
Sipas avokatit të Mustafës, i mbrojturi i tij nuk ka bërë asnjë ndaj personave që kanë deklaruar në gjykatë dhe as nuk i njeh e nuk ka pasur motiv t’iu shkaktojë dëm e as nuk kishte kompetenca në atë zonë e as nuk ishte pjesë e brigadës 153.
“Ne nuk mendojmë që dëshmitarët që i solli ZPS për të dhënë dëshmi ishin viktimë e Mustafës, disa prej tyre asnjëherë nuk e kishin njohur Salih Mustafën e as nuk e kanë identifikuar thjesht thanë një emër pa e ditur personin që ishte pas atij emri duke përshkruar një person në hollësi që nuk e kishin njohur asnjëherë para luftës as pas luftës”, ka thënë ai.
Sipas tij, ZPS nuk arriti të paraqes prova që përmbushin kriterin e domosdoshëm për të vërtetuar jashtë dyshimit të arsyeshëm që Mustafa ka kryer krimet që ngarkohen në aktakuzë.
“Akuzat janë të gabuara dhe zoti Mustafa duhet të shpallet i pafajshëm për krimet që i ngarkohen. Mbrojtja nuk ka nevojë të provojë që zoti Mustafa nuk i ka kryer këto krime, megjithatë ne paraqesim çështjen tonë. Mbrojtja nuk mund të bëjë një rrëfim minutë për minutë, ditë për ditë, se ku ka qenë Mustafa, madje kjo gjë as nuk mund të kërkohet dhe nuk mund të rindërtohet, pasi ka kaluar kohë e gjatë”, tha ai.
Por, sipas tij, megjithatë gjykata do të dëgjojë dëshmitë e njerëzve që do të flasin nga njëra anë ku ka qenë ai dhe nga ana tjetër për situatën që ka qenë në Zllash.
Sipas tij, kompleksi i Zllashit është themeli mbi të cilin është ndërtuar kjo çështje dhe kanë dëshmitar që kanë qenë në terren në atë kohë, për kohën që është vënë në aktakuzë.
“Unë shpresoj vërtet se ZPS do të dëgjojë atë që kanë për të thënë dëshmitarët e mbrojtjes dhe do të rishqyrtojë qëndrimin e vet për të dëgjuar me një vesh të hapur dhe për të parë me sy të hapur atë që thonë të tjerët lidhur me të akuzuarin, situatën në Zllash me qëllim për të hedhur dritë në të vërtetën e kësaj çështje”, tha Von Bone.
Ai tha se ZPS nuk arriti të hetonte asnjë nga bashkëkryesit e pretenduar që përmenden në aktakuzë.
“Mbrojtja vret mendjen nëse kjo është bërë qëllimisht apo nga frika se mos dëgjohet diçka tjetër që mund të dëmtojë çështjen e tyre. Mbrojtja beson se këta njerëz mund të ishin gjetur, mund të nxjerrim konkluzionet tona se për një arsye ZPS nuk e bëri këtë”, tha avokati.
Avokati ka thënë se mbrojtja do të paraqes prova.
“Jemi të bindur fuqimisht se Mustafa nuk është fajtor për akuzat e ngritura kundër tij bazuar në materialin që ne mundëm të gjenim. Nuk kemi nevojë të provojmë pafajësinë e tij sepse një person prezumohet i pafajshëm derisa të vërtetohet përtej dyshimit të arsyeshëm se ka kryer krimet që akuzohet”, tha ai, duke shtuar se Mustafa duhet liruar nga të gjitha akuzat.
Ndryshe, në këtë rast nesër pritet të dëgjohet dëshmitari i parë i thirrur nga mbrojtja.