Veli Veliu

VELI VELIU: SHKRIMTARËT E NGRITUR NË KULT KOMBËTAR

Çdo popull i qytetëruar ka dhënë emra të mëdhenj edhe në fushën e letërsisë dhe, me përkthimin e veprave me vlera të larta letrare e artistike, është rritur numri i studiuesve dhe i lexuesve për disa herë në vendet e tjetra! Edhe në letërsinë shqiptare kemi emra të veçantë që janë afirmuar dje, po afirmohen edhe sot në përmasa botërore dhe natyrisht i adhurojmë( pa masë) shkrimtarët e mirë! Me veprat letrare, të shkruara në gjini të ndryshme, si popull i vogël që jemi në Evropë, por jo popull i vogël në gadishullin ilirik, me të drejtë krenohemi para botës së madhe! Shkrimtarët e mirënjohur të traditës, më shumë për shkak të distancës kohore, që jetuan e vepruan guximshëm në rrethana më të vështira jetësore, çmohen më shumë në kohën tonë, madje disa prej tyre konsiderohen edhe si personalitete të shenjta! Figurat më të ndritura të shkrimtarëve, që dhanë vepra me vlera më të larta letrare e artistike, me të drejtë janë ngritur në kult kombëtar!

 Shkrimtarët tanë, si mjeshtër të fjalës artistike, gjatë kohës që ishim nën okupim, ndër të parët e ngritën zërin lart për liri dhe Pavarësi të atdheut! Ata i frymëzuan liridashësit të mos pajtohen me gjendjen e rëndë në robërinë shekullore! Për gjakun e derdhur nëpër beteja i shkruan veprat letrare artistike, ndërsa për prijësit që i udhëhoqën me guxim masat e gjera popullore deri në fitore, me shkrimet  e tyre  i bën të përjetshëm! Figura e ndritur e kryeheroit Gjergj Kastriotit- Skënderbeut u bë e njohur në botë me botimin e veprës Rrethimi i Shkodrës, nga historiani e prifti katolik Marin Barleti, sepse ishte vepra e parë që u përkthye në disa gjuhë të rëndësishme të Evropës dhe të botës! Për mes kësaj vepre monumentale shqiptarët, si popull i lashtë, u bën edhe më të njohur me historinë, gjuhën dhe traditën e tyre jashtë gadishullit Ilirik dhe Evropës!

Në rrjedhat serioze të jetës së trazuar shkrimtarët nuk qëndruan indiferent që ngjarjet t’ i shohin nga distanca kohore. Ata, më të guximshmit, u përfshin drejtpërdrejt dhe u prinë masave të gjera popullore në ngjarjet e mëdha kombëtare, duke e kryer me përgjegjësi një mision me peshë të veçantë në shoqërinë tonë. Figurat e ndritura me përmasa kombëtare lanë gjurmë të pashlyeshme në kontestin kohor! Ata i artikuluan mjaft mirë aspiratat themelore kombëtare në etapat e ndryshme zhvillimore të shoqërisë shqiptare! Shkrimtarët, pjesa më e madhe e tyre, ishin të inkuadruar në rrjedhën e ngjarjeve të mëdha historike, ndërsa pas periudhës së pavarësisë patën edhe funksione të larta në hierarkinë shtetërore, si për shembull, shkrimtari demokrat Luigj Gurakuqi, krahu i djathtë i patriotit Ismail Qemalit në shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë në vitin 1912 në Vlorë; peshkopi Fan Stilian Noli ishte në postin e lart kryeminstër, Faik Konica, ambasador, Asdreni si diplomatë në Bukuresht, etj. Pastaj shkrimtarët morën pjesë në konferenca ndërkombëtare, ku vendosej për fatin e atdheut, si At Gjergj Fishta, Ndre Mjeda, Hilë Mosi, Risto Siliqi e Mihal Grameno. Ky i fundit ishte pjesëmarrës i drejtpërdrejt në luftën kundër Perandorisë Osmane në Çetën e njohur të Bajo e Çerçiz Topullit, në Jug të Shqipërisë! E nëse kthehemi në periudhë më të hershme kohore shkrimtarët i prin popullit në ballë për ta hequr zgjedhën e huaj si ipeshkvi Pjetër Bogdani etj. Pra, shkrimtarët nëpër kohë të ndryshme ishin faktori aktiv në rrjedhën e ngjarjeve të mëdha kombëtare!

Shkrimtarët e shquar punuan me përkushtim të madh në lëmin e letërsisë, por edhe u inkuadruan edhe në politikë kur duhej të vendosej për fatin e atdheut! Në lëmin e krijimtarisë letrare u frymëzuan nga ngjarjet e kohës dhe të njëjtën kohë edhe veprat letrare që përjetësuan ato ngjarje kombëtare, u bënë frymëzim për masat e gjera dhe për gjeneratat e reja me format e pasqyrimit artistik të jetës në të gjitha zhanret dhe gjinit letrare!

Si shikohet roli aktiv i shkrimtarëve në kohën tonë?

Si shikohet roli aktiv i shkrimtarëve në kohën tonë, si njeri i sferave të larta shoqërore për shkak të dhuntisë që e ka për të shkruar? Apo në saje të raporteve që i ndërton në jetën e përditshme! Vetëdija e lartë krijuese e shkrimtarit mund të jetë e nivelit më të ulët ose më të lartë, varësisht prej formimit intelektual.

Veprimtaria e tij intelektuale dhe imagjinative ndikon drejtpërdrejt në mjedisin krijues në mënyrë pozitive ose negative! Qëndrimi servil i shkrimtarit ambicioz për ta arritur të paarritshmen në rrugën normale shpesh herë e nxjerr si figurë përulëse në sy të bashkëvendësve të tij! Njeri pa kurriz kur bën gjithçka të përfitoj materialisht nga varësit e tij! Ky lloj tipi i shkrimtarit kur e arrin ndonjë pozitë në politikë ose në qarqet kulturore është mospërfillës ndaj krijuesve të tjerë! Këta tipa të shkrimtarëve janë shumë të uritur t’ i rrëmbejnë të gjitha çmimet letrare edhe kur veprat e tyre mezi e arrijnë vlerat mesatare në letërsinë bashkëkohore!

Shkrimtarët fodull, që njohin miqësi të ngushta të rretheve të interesit çmimet për veprat më të mira i marrin: Unë për ty, e ti për mua herën tjetër! Me vite të tëra i marrin të gjitha shpërblimet, megjithatë nuk janë shkrimtarët më të lexuar nga publiku! Këto vepra letrare nuk janë më të mirat, sepse për t’u shpërblyer këta shkrimtarë të zellshëm, ose janë në pozita të larta shoqërore, ose e drejtojnë ndonjë organ letrar dhe gjatë tërë kohës e zhvillojnë një veprimtari shoqërore jashtë letrare!

Në një interval të shkurtër kohor nuk lënë vend pa depërtuar, nuk lënë njeri pa kontaktuar! Kriteret  e vlerësimit në ato juri nuk janë objektive, sepse bazohen fort në lidhje familjare e miqësore, e jo në vlerat e veprës letrare e artistike! Madje ka ndodhur një krijuesi t’ i marrë edhe disa çmime letrare brenda vitit! Ose tre shpërblimet i jepen një autori sahanlëpirës në konkurs letrar, që e njohin të gjithë për nga stili i krijimtarisë letrare!

Po them mjerisht kështu ndodh te ne në Kosovë, sepse nuk ka qëndrime të qarta se kush mund të jetë në juri! Jo rrallë herë zgjidhen shkrimtarë të rretheve të ngushta krijuese, e jo studiues të letërsisë dhe natyrisht veprohet pa kritere të mirëfillta letrare! Ua bëj me dije faqe botës dhe kurrë të mos harrojnë se vepra letrare i shtrohet vlerësimit edhe në kohë të tjera! Dhe kur viti nuk është aq i frytshëm dhe mungojnë vlerat letrare kulmore, prapë ndahen çmime letrare. Mirëpo ata duhet ta kenë parasysh se nesër rrjedha kohore ato vepra i shtyn anash dhe pas një kohe i mbulon krejtësisht pluhuri i trashë i harrimit!

Në letërsi,  faktori kohë është më i rëndësishëm sepse vlerat letrare e estetike edhe kur lihen anash, në kohën kur e shohin dritën e botimit, prapë dalin në sipërfaqe dhe aktualizohen si zbulime të një kohe të harrur! Pa fije dyshimi ato e marrin sërish vendin e merituar nga studiuesit e letërsisë dhe lexuesit e pasionuar të gjeneratave të reja!

 

Kontrolloni gjithashtu

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Shkollave shqipe në Zvicër në kuadër të Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” …