Sulmet e NATO-s

NATO-ja nuk arriti ta ndalojë gjenocidin as krimet serbe kundër shqiptarëve në Kosovë, por e gjunjëzoi Serbinë e “kasapit” të Ballkanit

23 vjet më parë, më 24 mars të vitit 1999, Aleanca ushtarake Veri-atlantike kishte filluar bombardimet nga ajri kundër forcave ushtarake e policore të Serbisë së Millosheviqit dhe pas 78 ditë bombardimesh kundër bazave ushtarake e ekonomike të Serbisë e Malit të Zi,  e kishte detyruar të kapitullonte.

Disa ditë para fillimit të bombardimeve, krerët e regjimit kriminal të Beogradit kishin paralajmëruar NATO-n se në rast të sulmeve, dëmin më të madh do të pësojnë shqiptarët në Kosovë. Ky paralajmëruam filloi të vihet në jetë qysh në ditët në vijim me fillimin e masakrave e gjenocidit kundër popullatës shqiptare, në zonat e luftës, në  zonën e Rahovecit, pastaj në Therandë, Izbicë, Krushë  e në shumë vende të tjera, ku për katër-pesë ditë, serbët  vranë dhe masakruan më shumë se një mijë pjesëtarë të popullatës civile, burra të moshuar gra e fëmijë.

NATO-ja nuk kishte intervenuar me këmbësori  e artileri por vetëm me avionë luftarakë dhe në një situatë të tillë, ajo nuk mund ta mbronte popullatën civile, e cila kishte filluar të largohej nga Kosova.

Është krejtësisht i paqëndrueshëm dhe antihistorik konstatimi i kryetares, Vjosa Osmani,  e cila ka shkruar se  “23 vjet më parë, NATO ndërhyri për të ndaluar gjenocidin e vazhdueshëm të kryer kundër popullit të Kosovës. Njëjtë ka deklaruar edhe kryeministri, Albin Kurti.

 

Gjenocidi kishte ndodhur para dhe sidomos  gjatë bombardimeve të NATO-s dhe këtë e dinë të gjithë, sidomos ata që e kanë përjetuar mbi kurriz, ndërsa nuk e dinë, ose nuk duan ta pranojnë ata që kishin ikur nga Kosova, ose ata që meritat kryesore për çlirim ia adresojnë avionëve të NATO-s dhe jo gjakut të derdhur rrëke për liri e pavarësi.

Nëse është dikush i pari që   duhet ta falënderojë NATO-në, për meritat e saj, në ndihmë për çlirimin e Kosovës,  atë me kohë e ka bërë dhe vazhdimisht e  falënderon, Ushtria Çlirimtare e Kosovës, e cila de facto ishte këmbësori e saj, edhe pse  e pashpallur publikisht.

Jo vetëm njëherë këtë fakt e ka përmendur vetë zëdhënësi i NATO-s Xhejmi Shia por edhe autoritete të larta të kohës.

Mos përmendja dhe anashkalimi i forcës më meritore kryengritëse  dhe të vetmes në Kosovë, në shtatë zonat operative të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në radhë tregon shpirtin qyqar e të mjerë të politikanëve pacifistë, të cilët nuk e kishin përkrahur luftën e UÇK-së dhe kryetari i LDK-së Ibrahim Rugova,  ishte ai i cili në maj të vitit 1999, në Beograd në prani të kriminelit Millosheviq kishte kërkuar ndërprerjen e bombardimeve të NATO-s.

Edhe pas çlirimit  të Kosovës në qershor të vitit 1999, Ibrahim Rugova nuk e kishte pranuar Qeverinë e përkohshme të Kosovës, e dalë në radhë të parë nga UÇK-ja, pavarësisht se në Rambuje kishte nënshkruar marrëveshjen, e cila e parashihte krijimin dhe funksionimin e asaj Qeverie deri në krijimin e kushteve për zgjedhjet e lira.

Gjatë tre muajve të bombardimeve të NATO-s serbët kishin kryer masakra, krime lufte dhe gjenocid kundër popullatës shqiptare në Kosovë. Kishin vrarë e masakruar rreth 13.000 pjesëtarë të popullatës civile shqiptare, kishin rënë në frontet e luftës çlirimtare të Kosovës më shumë se 2 mijë dëshmorë, ishin plagosur rreth 4 mijë pjesëtarë të UÇK-së, dhe mijëra të tjera nga radhët e popullatës civile, kishin mbijetuar luftën në zonat e saj brenda Kosovës rreth 1 milionë shqiptarë, ndërsa afër 700 mijë ishin larguar në drejtim të Shqipërisë e të Maqedonisë dhe më pas ishin shpërndarë në vende të ndryshme të Evropës e të botës. Pas hyrjes së trupave të NATO-s, në Kosovë, pjesa dërrmuese e tyre ishte kthyer në Kosovës e djegur e të rrënuar, sidomos në pjesën e sa rurale.

Anashkalimi i luftës dhe i meritave të pakontestueshme të UÇK-së nga klasa politike në pushtet, mos përmendja nga pushtetarët e sotëm të emrave më meritorë të luftës,  tetë nga të cilët ndodhen në paraburgim në Gjykatën Speciale, raciste dhe antishqiptare në Hagë, tregon nivel papjekurie e panjerëzie, por ky qëndrim nuk arrin ta zbehë rolin historik të UÇK-së, e cila me luftën e saj të drejtë arriti ta fitojë simpatinë e botës përparimtare demokratike e sidomos të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të Britanisë së Madhe.

Amerikanët nuk e shpallën Xhorxh Uashington të Kosovës, Ibrahim Rugovën, as Vjosa Osmanin, as Albin Kurtin, dhe asnjë tjetër, por Hashim Thaçi, kreun politik të luftës së UÇK-së e krahasuan me Xhorxh Uashingtonin, çlirimtarin dhe themeluesin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

 

Ahmet Qeriqi

  1. 3. 2022

Prishtinë

Kontrolloni gjithashtu

Ali Ahmeti uron 22 nëntorin: Deri dje e avansonim, sot duhet ta mbrojmë gjuhën shqipe

Ali Ahmeti uron 22 nëntorin: Deri dje e avansonim, sot duhet ta mbrojmë gjuhën shqipe

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, z. Ali Ahmeti, ka uruar të gjithë shqiptarët për …