Ish kryetari i Skënderajt, Bekim Jashari deklaroi se në 23-vjetorin e intervenimit të NATO-s në Kosovë, edhe një herë përsërisim falënderimet, mirënjohjet dhe respektin ndaj shteteve përbërëse të kësaj organizate, Amerikës, kryetarit amerikan të kohës Bill Clinton, Sekretares amerikane të Shtetit, Madeleine Albright e cila fatkeqësisht dje ndërroi jetë, komandantit suprem të forcave të bashkuara të NATO-s për Evropë, Wesley Clark e të tjerëve. Intervenimi i NATO-s në Kosovë, ishte sinjal i qartë që sundimit gjenocidal të Serbisë në Kosovë po i vjen fundi. Gjatë 78 ditëve të fushatës së bombardimeve të NATO-s në Kosovë shteti serb kryente krime të mëdha, duke u nisur nga masakrat mbi civilët si: Masakra e Izbicës, Rezallës, Krushës së Madhe, Therandës, Besianës, Mejës, Qyshkut, Burgut të Dubravës e shumë të tjera. 23 vjet më pas ushtria jonë, falë përkrahjes së SHBA-së dhe shteteve mike, ka arritur të rreshtohet krah forcave paqeruajtëse të botës, duke treguar kështu profesionalizëm dhe gatishmëri për t’i kontribuar paqes në botë ka shkruar mes tjerash Bekim Jashari.
