Ahmet Qeriqi: Polifonia shqiptare, margaritar edhe i muzikës botërore, e pranuar në UNESCO I

Ahmet Qeriqi: Polifonia shqiptare, margaritar edhe i muzikës botërore, e pranuar në UNESCO I

Ahmet Qeriqi
Ahmet Qeriqi

Kënga  dhe muzika shqiptare përgjithësisht është shumë e pasur si për nga ritmika e begatshme, melodia, mënyra e këndimit,  instrumentet e shumta autentike, muzikore, me të cilat përcillet dhe ekzekutohet ajo,  por edhe ato veçoritë karakteristike  të botës muzikore, të artit e të muzikës, përgjithësisht. Pikërisht sepse kjo botë autentike dhe shumë e pasur muzikore ofron mundësi të pashtershme të këndimit,  këngëtaret e këngëtarët shqiptarë kanë pasur dhe kanë mundësi të ndërtimit të stileve të veta, kanë mundësi të shprehin botën e tyre të pasur  artistike, me të gjitha format  e shprehjes.

E veçanta e këngës dhe muzikës shqiptare ndër shekuj ka qenë dhe ka mbetur sidomos Polifonia, e cila buron nga antikiteti ilir arbëror e mbase edhe më herët.

Kënga polifonike e Jugut të Shqipërisë e cila përmes arvanitasve është përhapur edhe në tërë Greqinë e mesjetës e më vonë, është një vlerë autentike kombëtare e pranuar si e tillë edhe në UNESCO.  Studiuesi i polifonisë shqiptare, Asqeri Petani me të drejtë konstaton se, “Kënga polifonike, e rrallë në botën e sotme, zë një vend të rëndësishëm në tërësinë e kulturës shqiptare. Ajo përbën një mënyrë të kënduari sa të hershme aq dhe të veçantë e tërheqëse, e cila duke aktivizuar zëra me ngjyrime të ndryshme krijon një produkt harmonik e magjepsës. Megjithëse nuk dihet se kur, ku dhe si lindi, polifonia i ka shoqëruar vazhdimisht shqiptarët në jetën e tyre të përditshme dhe në ceremonialet e ndryshme.

Lindja e polifonisë, pa dyshim se u takon  kohëve të lashta mbase edhe para  homerike, pasi në strukturën e paraqitjes së grupit, këndimit, harmonisë  dhe kombinimit të zërave, pa përcjellje me instrumente muzikore, ajo ruan vjetërinë e saj shumëshekullore, mbase edhe para shpikjes së instrumenteve muzikore, sepse në fillim ishte njeriu, pastaj zanoret e bashkëtingëlloret,  zëri, me aparatin fonetik të të folurit,  kënga në rrokje  pastaj fjala e më vonë edhe instrumenti  në shërbim të fjalës. Që kënga dhe vaji janë para të folurit na dëshmon lindja e fëmijës me vajin që e përcjellë dhe ninulla me rrokje.  Kjo radhitje edhe mund të mos i akordojë mendimit të përgjithshëm shkencor  lidhur me lindjen e fenomenit të muzikës, por mënyra dialektike e interpretimit të këtyre fenomeneve lidhet në radhë të parë nga materia, pastaj ideja e të tjerat me radhë.    Në këtë mënyrë e shoh e kuptoj dhe mundohem ta shpreh mendimin tim për polifoninë, pa pretendime se po bëj shkencë mbi shkencën, por me pretendime të arsyeshme  për të zbuluar diçka, që i përballon mendimit kritik.

Polifonia është një fjalë që rrjedhë nga gjuha greke. Koncepti i referohet njëkohshmërisë së tingujve të ndryshëm që formojnë një harmoni. Në këtë mënyrë, pavarësisht pavarësisë së këtyre tingujve, dëgjuesi i percepton ato në tërësi. Një kompozim polifonik përbëhet nga melodi të ndryshme. Në varësi të cilësive të njerëzve, çdo subjekt do të jetë në gjendje të vërejë pak a shumë melodi të pavarura në kuadrin e krijimit polifonik. Ajo që nënkupton polifonia, në fund të fundit, është një lloj teksture muzikore. Kjo ide përfshin harmonitë, ritmet dhe meloditë që hyjnë në lojë gjatë krijimit të një kompozimi, duke e pajisur atë me cilësi të ndryshme. Tekstura muzikore është rezultat i marrëdhënieve ndërmjet këtyre komponentëve: në polifoni, shumëllojshmëria e melodive nuk na pengon ta njohim veprën në tërësi.

(https:definicion.de polifonia)

Polifonia (nga greqishtja πολύς [polis] = “shumë” dhe φονος [phonos] = “tinguj, melodi”) në muzikë është një lloj teksture muzikore në të cilën tingëllojnë njëkohësisht zëra të shumtë melodikë që janë kryesisht të pavarur ose imitues të njëri-tjetrit. po, me rëndësi të njëjtë dhe me ritme të ndryshme. Prandaj ndryshon nga muzika me një zë të vetëm (monofoni) si dhe nga muzika me zë melodik mbizotërues e shoqëruar me akorde (homofoni, melodi e shoqëruar). Vikipedia.

Ka mendime të ndryshme lidhur me strukturën e polifonisë. Dikush e krahason këngën polifonike me një orkestër harqesh, një tjetër e krahason atë me prijësin dhe ndjekësit e tij, e kështu me radhë. Do të pëlqeja që strukturën e ndërtimit dhe funksionimit të polifonisë ta lidhja me faktorët natyror të truallit ku ajo u krijua dhe mbijetoi. Kjo sepse në modelimin e saj nuk mund të përjashtohen elementët e qenësishëm të truallit me tërë hapësirën e vlerave që ata marrin brenda kushteve specifike ekzistuese. Dhe këtu nuk përjashtohet as modeli i prijësit që hedh idenë dhe ndjekësve që e mbështesin atë, për të krijuar kështu harmoninë e saj të veçantë.( Asqeri Petani)

Për mendimin tim, për nga vjetëria e paraqitjes, polifonia është pas këngës solo, të formatit të parë të këndimit me rrokje, pastaj vargje me rrokje, në periudhën e parë të të folurit njerëzor. Vetëm kur njeriu ka begatuar fjalorin, mbase duke emetuar zëra të natyrës  dhe ka filluar ta begatojë edhe komunikim me të folur, pavarësisht se cila ka qenë gjuha e parë e tij, sepse të gjitha gjuhët e botës, që i flasin njerëzit  kanë pothuajse të njëjtit tinguj zanorë e bashkëtingëllorë, të cilët artikulohen në aparatin e të folurit ku marrin pjesë gjuha, qiellza, dhëmbët, buzët, ezofagu, laringu, faringu e hunda. Ku aparat përveç  gjuhës dhe komunikimit shërben edhe për frymëmarrje pije dhe ushqim të njeriut.  (Fonetika)

 

Referencat:

 

https:definicion.de polifonia, 

Homofonia, melodi e shoqëruar, në Vikipedia.

Asqeri Petani: Magjia e këngës polifonike, “Dita” shtator  2017.

Ahmet Qeriqi: Edicioni i shkrimeve: Nëpër shekuj kënga e popullit. www.radiokosovaelire.com Kultura

Fonetika e gjuhës shqipe, tekst shkollor, universitar.

Kontrolloni gjithashtu

Albert Z. ZHOLI; Drithijet e  Panairit të librit  të 27-të, “Tirana 2024”.

Dje, pas një maratone prej 5 ditësh në Pallatin gjigand të Kongreseve, u mbyll panairi …