Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka paralajmëruar se do të vizitojë krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët po mbahen në paraburgim nga Gjykata Speciale, në Hagë. Zonja Haxhiu ende nuk është e sigurt nëse Hashim Thaçi e Kadri Veseli, do të pranojnë në vizitë. “Nuk mund të them me siguri se do t’i takoj të gjithë, pasi që Hashim Thaçi e Kadri Veseli kanë refuzuar të takohen me mua dhe përfaqësuesit e Ministrisë së Drejtësisë gjatë një vizite që kam pasuar më parë, në Hagë”, ka deklaruar ministrja, Haxhiu, ndërsa ka njoftuar se për gjithçka nga këto takime me të paraburgosurit e Gjykatës Speciale do të informojë publikun.
