Prof. Asoc. Dr. Albin Sadiku: Studiuesi Zymer Neziri boton një vepër të rrallë për Eposin e Kreshnikëve në Ballkan

Prof. Asoc. Dr. Albin Sadiku: Studiuesi Zymer Neziri boton një vepër të rrallë për Eposin e Kreshnikëve në Ballkan

(Zymer Ujkan Neziri,  Eposi i Kreshnikëve në Ballkan: Indeksi i Projektit E5, 2012-2016. Dëshmi dokumentare për UNESCO, Instituti Albanologjik, Prishtinë, 2021, ISBN 978-9951-24-146-5, 616 f.)

Vepra e radhës e prof. dr. Zymer Ujkan Nezirit, Eposi i Kreshnikëve në Ballkan: Indeksi i Projektit E5, 2012-2016. Dëshmi dokumentare për UNESCO, është libër për projektin kërkimor – shkencor ’’Eposi i Kreshnikëve – monument i trashëgimisë kulturore shqiptare në Ballkan: Kosovë, Shqipëri, Mali i Zi, Maqedoni, Serbi’’, 2012 -2014 – 2016, i njohur me emrin Projekti E5, pra, ku përfshihen dhe Maqedonia Perëndimore, Presheva, Bujanoci, Medvegja, Kraja e Tivarit dhe Malësia e Madhe me qendër në Tuz. Projekti E5, i hartuar, i udhëhequr dhe i realizuar me sukses në pesë shtete të Ballkanit, nga autori i librit dhe me ndihmën e bashkëpunëtorëve, i miratuar për realizim nga Instituti Albanologjik dhe Ministria e Shkencës, është vepër e rrallë dhe e para e këtij lloji ndër ne, në folkloristikën shqiptare. 

Duke qenë pjesëtar i këtij projekti, më të madhit të këtij lloji në fillim të këtij shekulli, kam pasur nderin të punoj me hartuesin dhe drejtuesin e tij, studiuesin Zymer U. Neziri. Kam marrë pjesë nga nisja, më 2011, së bashku edhe me studiuesin Shaban Sinani. Pastaj, në vijim, rreth një vit, edhe edhe me grupin e pasues të studiuesve, më 2013: Zeqirja Neziri, Bashkim Lajçi, Begzad Baliu, Vlorë Fetaj-Berisha, por vetëm deri më 2014, kur Projekti E5 u mbyll zyrtarisht nga Ministria. Pjesëtarë jo të rregullt të Projektit E5 ishin Hamit Xhaferi, Fazli Hajrizi, Nebih Balaj, Anton Prenkoçaj. Bashkëpunëtorë ndërkombëtarë –ekspertë të jashtëm ishin: prof. David Elmer, Universiteti i Harvardit; prof. Nicola Scaldaferri, Universiteti i Milanos. Ka pasur edhe rreth 90 realizues vullnetarë të dalluar dhe disa qindra studentë, që kanë punuar në nënprojektin e pyetësorëve për Eposin e Kreshnikëve.

Që në fillim dua të theksoj se ky libër, Eposi i Kreshnikëve në Ballkan: Indeksi i Projektit E5, 2012-2016. Dëshmi dokumentare për UNESCO, kushtuar Projektit E5, është i ngjashëm, siç thotë edhe autori,  me një botim amerikan të Universitetit të Harvardit për projektin e profesor Millmen Perit (Milman Parry) në Ballkanin Perëndimor, 1933-1935.

Autori, Z. U. Neziri, e hap librin me një parathënie shumë të plotë, ku thekson se Eposi i Kreshnikëve është monument i trashëgimisë sonë dhe një nga vlerat më të lashta poetike, por, tash është në rrezik dhe para zhdukjes, ashtu si eposet e tjera të Evropës. Pra, thotë ai, mbledhja urgjente e këngëve dhe e tregimeve të këtilla në pesë shtete të Ballkanit, në kuadër të projektit E5, ishte nevojë e domosdoshme në fillim të këtij mijëvjeçari, 2012-2016. Ai është edhe material dëshmues i ekzistencës së tij, për dosjen i përgatitur për UNESCO, ku ai është kryetar i Komisionit qeveritar.

Ai ka pasur parasysh edhe përfundimin e jetës së gjallë të eposeve evropiane, nga Spanja, Portugalia, Franca, Gjermania, Anglia, Irlanda, Islanda, Polonia, Estonia e deri në Finlandë, si dhe ndryshimet e mëdha edhe në jetën e shqiptarëve dhe në kulturën e tyre shpirtërore, ku tashme nuk jetojnë shume lloje të lirikës së pasur, prandaj kërkohen masa mbrojtëse për Eposin, thotë ai.   

Autori flet se Eposi i Kreshnikëve është hallkë e epikës ilire, sipas dëshmive historike, arkeologjike e gjuhësore dhe se lidhet me ardhjen e sllavëve të Jugut në Iliri, duke përmendur rezultatet e  studiuesve M. Lamberc, R. Katiçiq, A. Stipçeviq, Shtjefen Gjeçovi, Bernardin Palaj, Donat Kuti, Zihni Sako, Anton Çetta, Agnja Desnickaja, Qemal Haxhihasani, Demush Shala, Ishtvan Shyc, Enver Mehmeti, Shaban Sinani, Nikolla Skalldaferi, Aleks Buda, Selami Pulaha, Andromaqi Gjergji, Mark Tirta, Pirro Miso etj., kurse legjendariteti ruhet ende në këngë të kreshnikëve e në tregime, krahas qenieve mitike, sidomos të Orës dhe të Zanës, si dhe mitikes e fantastikes, ndërsa kundërshtarët e tridhjetë kreshnikëve ende quhen shkje e shkije, konstaton ai.

Po ashtu ai shton se deri në vitin 2012, pra, nga fillimi i botimit të Eposit, më 1897, ishin shënuar rreth gjysmë milioni vargje të këngëve e të motërzimeve për kreshnikët. Por, mbledhësit e Eposit të Kreshnikëve dhe studiuesit në Tiranë e në Prishtinë e dinin se ende nuk kishte përfunduar puna në terren, prandaj u realizua Projekti E5, i hartuar nga ai, që e pasuroi fondin kombëtar edhe me mbi 100 mijë vargje.

Autori i librit Eposi i Kreshnikëve në Ballkan: Indeksi i Projektit E5, 2012-2016. Dëshmi dokumentare për UNESCO, jep të dhëna të hollësishme për punën e vet në Ballkan, në Projektin E5, gjatë rreth treqind ditëve në terren me kameramanin Baton Z. Neziri, në vitet 2012-2016, po edhe të trefish më shumë ditëve në kabinet. Shtoja kësaj edhe dhjetëra ditë të pjesëtarëve të Projektit dhe rreth gjashtëqind ditë të bashkëpunëtorëve të terrenit – realizues vullnetarë, që punuan me pagesë, për t’i shkruar tekstet e diktuara nga këngëtarët. 

Me interes janë edhe të dhënat  e tij që flasin për tri format e ekzistencës së epikës heroike legjendare shqiptare: forma e kënduar, forma e recituar dhe forma e treguar. Pra, aty janë faza e tashme e jetës së Eposit në krahinat etnogjeografike të Republikës së Shqipërisë, ana veriore, krahinat e Republikës së Kosovës, si dhe krahinat shqiptare të Maqedonisë së Veriut, të Malit të Zi e të Serbisë. Ai përmend  veçimin e tri llojeve të këndimi të këngëve të kreshnikëve: këndimi i një këngëtari (solo), këndimi në dysh (duet), si dhe këndimi grupor shumëzërësh (polifonik) në anën perëndimore të Maqedonisë së Veriut, thotë autori.

Kanë peshë me rëndësi për etnomuzikologjinë edhe të dhënat e studiuesit Zymer U. Neziri,  për lahutën, veglën më të vjetër kordofone me një tel në Evropë, që vazhdon ende jetën e vet në disa vise shqiptare në Ballkanin Perëndimor, sidomos në zonat e thella të Malësisë së Madhe, të Dukagjinit, të Nikajve e të Mërturit, të Malësisë së Gjakovës, të Rugovës etj. Për vazhdimin e jetës së saj, shkruan ai, punën e vet po e bëjnë edhe lahutapunuesit, madje, ajo vazhdon jetën e vet edhe në ato familje ku nuk ka fare lahutarë dhe në odë mban vendin e nderit, zakonisht mbi oxhak, sipas traditës së kultit ndaj saj. 

Mirëpo, ndër rapsodët e Eposit të Kreshnikëve dëshmohet se tash ka më pak lahutarë, por janë edhe rreth njëqind e njëzet sish, mirëpo janë më shumë përdorues të sharkisë, thotë ai. Veglat e tjera në përdorim janë: çiftelia, primi, violina, fyelli, kavalli. Zakonisht përdoret një vegël muzikore për shoqërimin e këngës së rapsodit, por ka raste të përdorimit të menjëhershëm edhe të dy e tri veglave për shoqërimin e këngës së rapsodëve, thotë ai. Autori sjell edhe të dhëna të tjera me interes etnomuzikologjik se në terren, gjatë realizimit të Projektit E5, 2012-2016, janë gjetur mjaft raste të mospërdorimit të veglave muzikore, kryesisht në anën perëndimore të Maqedonisë se Veriut. 

Autori po ashtu jep të dhëna me shumë peshë për metodologjinë e realizimit të punës kërkimore-shkencore në Projektin E5, për këngët e hulumtuara, të shkruara dhe të incizuara me kamerë, për të cilat është plotësuar pyetësori për skedën e vogël të këngës, me të dhënat kryesore biografike të rapsodit, repertori, mësuesi i tij, mësimi i këngëve drejtpërdrejt, ose nga magnetofoni, apo nga libri e të tjera, si dhe tradita e këndimit të eposit heroik legjendar në familje, në katund dhe në krahinën e tij.

Në librin Eposi i Kreshnikëve në Ballkan: Indeksi i Projektit E5, 2012-2016. Dëshmi dokumentare për UNESCO, autori ofron për lexuesin e studiuesin edhe të dhëna metodologjike shumë me vlerë se gjatë realizimit të Projektit E5. Ai ka zbatuar edhe plotësimin e pyetësorit të skedës së madhe të këngës, gjatë këndimit të saj nga rapsodi, pyetësor për mbi 200 këngë të incizuara me kamerë nga Baton Z. Neziri, që bën pjesë ndër veprimet më të rëndësishme metodologjike kërkimore – shkencore në fushën e epikologjisë.

Skeda e madhe e këngës, thotë ai, përmban të dhënat e tij të hollësishme për këngën e kënduar: emri i rapsodit, vendi i këndimit e data, numri i të pranishëmve në odë, emri i instrumentit muzikor, minutazhi i këndimit, shpejtësia e këndimit të vargjeve në minutë, numri i vargjeve të kënduara, tema, motivi, personazhet, toponimia, llojet e armëve, dyluftimi, fundi i ndodhisë, legjendariteti, qeniet mitike, numrat mitikë, poetika e kohës, poetika e hapësirës, formulat e fillimit, të mesit e të fundit në këngë, figuracioni poetik, pamjet poetike, përshkrimet, portretet e kreshnikëve, tiparet etike e morale, kodeksi i nderit kreshnik, rrëfimi epik, digresioni, leksiku vendor, pushimet muzikore, pushimet teknike etj. Nga ky material ai ka krijuar Arkivin e Projektit E5, pjesa shkrimore dhe pjesa e incizimeve.

Autori, Zymer Ujkan Neziri, në pjesën qendrore të këtij libri, kushtuar Projektit E5 2012-2016, ’’Eposi i Kreshnikëve – monument i trashëgimisë kulturore shqiptare në Ballkan: Kosovë, Shqipëri, Mal i Zi, Maqedoni, Serbi’’, rendit skeletet e 15 vëllimeve me të gjitha të dhënat e përmbajtjes së tyre, me një korrektësi të rrallë shkencore. Aty janë, nga emri i institucionit dhe emri i projektit, emri i hartuesit e bartësit të tij, emrat e pjesëtarëve të tij, të bashkëpunetorëve – realizues vullnetarë, e deri te ekspertët e jashtëm. Pastaj, aty janë renditur edhe emrat e këngëtarëve e të tregimtarëve të vëllimit, datat e lindjes (për disa edhe e vdekjes), vendi dhe krahina, data e shënimeve biografike, repertori, data e shkrimit të teksteve, numri i vargjeve ose i rreshtave, emri i shkruesit, data e incizimit të këngëve, emri i incizuesit, minutazhi dhe, në fund, një përmbledhje e të dhënave kryesore të vëllimit.

Renditja në këtë libër e skeleteve të 15 vëllimeve me këngë dhe tregime, që kanë mbi 100 mijë vargje, është: Vëllimi I E5: Kraja e Tivarit, Malësia e Madhe (Tuz e Koplik), Dukagjini; Vëllimi II E5: Plava e Gucia, Rozhaja, Malësia e Gjakovës, Hasi, Luma; Vëllimi III E5: Nikajt, Mërturi, Lezha, Kurbini, Mirdita; Vëllimi IV E5: Rugova; Vëllimi V E5: Rrafshi i Dukagjinit, 1; Vëllimi VI E5: Rrafshi i Dukagjinit, 2; Vëllimi VII E5: Llapusha, 1; Vëllimi VIII E5: Llapusha, 2; Vëllimi IX E5: Drenica, 1; Vëllimi X E5: Drenica, 2; Vëllimi XI E5: Shala e Bajgorës; Vëllimi XII E5: Rrafshi i Kosovës; Vëllimi XIII E5: Llapi; Vëllimi XIV E5: Gallapi; Vëllimi XV E5: Maqedonia e Veriut, ana perëndimore. Renditja e vëllimeve, I-XV, u bë, thotë autori,  sipas shtrirjes gjeografike të krahinave, kurse disa sosh, dy e më shumë, nga varësia e vargjeve, janë bashkuar në një vëllim, e disa janë ndarë në dy vëllime, se kanë pasur shumë vargje.

Pas pjesës qendrore të librit, janë renditur katër pasqyra: Pasqyra të XV vëllimeve të Projektit E5 të Eposit të Kreshnikëve: këngëtarët, tregimtarët e bashkëpunëtorët – realizues vullnetarë në Ballkan, 2012 – 2016; Pasqyra të shkurtra të vëllimeve I-XV të Eposit të Kreshnikëve në Ballkan, 2012 – 2016; Pasqyrë e këngëtarëve dhe e tregimtarëve të vëllimeve I-XV të Eposit të Kreshnikëve në Ballkan, 2012 – 2016; Pasqyrë e bashkëpunëtorëve në terren- realizues vullnetarë të Projektit E5 në Ballkan, 2012 – 2016.

Pas katër pasqyrave të hollësishme, në libër pasojnë dy vlerësime nga ekspertët e jashtëm për Projektin E5 të Eposit të Kreshnikëve në Ballkan, anglisht dhe shqip: Dejvid F. Ellmer, Profesor i Klasikes, Kurator i Asociuar, Koleksioni i Letërsisë Gojore i Millmen Perit, Universiteti i Harvardit, Kembrixh, Ma, SHBA, si dhe Nikolla Skalldaferi, Profesor i Etnomuzikologjisë dhe i Antropologjisë së Muzikës, Universiteti i Milanos, Departamenti i Trashëgimisë Kulturore dhe Mjedisore.Në vijim është Çmimi Europa Nostra për Projektin E5 të Eposit të Kreshnikëve në Ballkan, anglisht dhe shqip: tekst nga Prof. Işık Aydemir, kryetar i Jurisë së Çmimeve të Trashëgimisë, kategoria Hulumtim, Hagë, 1 mars 2016, anglisht e shqip.

Edhe këto të dhëna vijuese të autorit kanë peshë shumë të madhe për lexuesit e studiuesit: në Projektin E5 kanë marrë pjesë rreth 300 subjekte terreni, këngëtarë e tregimtarë, nga viset tona, nga Kraja e Tivarit e deri në Kurbin dhe nga Malësia e Madhe deri në Kërçovë. Nga repertori i tyre janë evidencuar 865 njësi. Janë shkruar 502 këngë e motërzime, me 114 016 vargje, si dhe janë shkruar 123 tregime me 2 777 rreshta. Nga incizimet me kamerë të Baton Z. Nezirit, 5438,  e 27 sekonda, janë realizuar 32 tregime dhe 225 këngë, që kanë rreth 63 834 vargje. Por, punë ka mbetur për t’u kryer kryesisht në zonat nga Kelmendi deri në Kurbin, Pukë e Mirditë, thotë ai, për shkak të gatishmërisë së pamjftueshme të lahutarëve të atyre zonave për incizimin me kamerë të repertorit të tyre me këngë të kreshnikëve dhe të shkrimit të teksteve. Aty bën pjesë edhe Sanxhaku i Pazarit, për shkaqe politike. 

Autori, në librin Eposi i Kreshnikëve në Ballkan: Indeksi i Projektit E5, 2012-2016. Dëshmi dokumentare për UNESCO, ka paraqitur edhe këtë pasqyrë me shumë interes për Projektin E5, 2012-2016: kanë kënduar mbi 1500-2000 vargje: Isë Llapçeva, Bajram Baja, Naim Krasniqi, Sinan Shala, Halit Gashi, Berat Musliu, Qamil Topilla, Selajdin Berisha, Jeton Fetiu, Kadri Zymeri; mbi 2000-2500 vargje: Ali Krasniqi; mbi 2500-3000 vargje: Kapllan Dauti, Hasan Hasani – Kçiqi, Milazim Krasniqi; mbi 3000-3500 vargje: Muharrem Gashi; mbi 3500-4000 vargje: Asllan Ademi – Shala, Imer Sefë Gashi, Osman Sefë Gashi,  Brahim Sefë Gashi; mbi 4500-5000 vargje: Sylë Hazir Mushkolaj, Januz Hazir Mushkolaj; mbi 5500-6000 vargje: Ajet Shala; mbi 6000-6500 vargje: Halil Kuliqi; mbi 6500-7000 vargje: Isë Elezi-Lekëgjekaj, Fehmi Nishefci. Ndonëse dy të fundit, kanë në repertor mbi 10 mijë vargje, kjo është tepër pak në krahasim me gjendjen para një gjysmë shekulli, kur mbi dhjetë mijë vargje i kanë kënduar shumë lahutarë e këngëtarë me sharki të Shqipërisë së Veriut në pesë vende të Ballkanit, e ndër ta, vetëm në Rugovë ishin shtatë sish.  

Ai ka vlerësuar edhe kontributin e këngëtarëve që kanë kënduar deri në 1500 vargje, sidomos lahutarin më të vjetër shqiptar, Gjokë Nonaj (Lezhë), tri lahutaret Ajshe Muriqi (Rugovë), Lumturie Nonaj (Lezhë) dhe Zyra Ahmetaj (Bytyç),  lahutarët Gjokë Kalaj (Grudë), Rrok Prenkoçaj (Triesh), Ahmet Duli (Shkrel), Zeqir Smajli (Plavë e Guci), Rrahmon Lajçi (Rozhajë), Mehmet Alia (Krasniqe) e Pjetër Matusha (Kurbin), këngëtarët Tahir Kurtishi (Kumanovë), Shefki Troja e Jashar Jashari (Kërçovë).

Shkruesit e teksteve të këngëve të Projektit E5, të diktuara nga këngëtarët, të hulumtuara paraprakisht dhe të incizuara me kamerë nga Baton Z. Neziri, janë vullnetarë terreni, sipas Rregullores, pra, nuk janë mbledhës, kurse me kontratë, për punën e kryer, janë shpërblyer sipas Rregullores dhe Tarifave në fuqi, të miratuara nga Ministria. Cilësia gjuhësore e këngëve dhe e tregimeve të shkruara në 15 vëllime të Projektit E5 është afërsisht e mirë, vlerëson autori, varësisht nga përgatitja gjuhësore e shkruesve, të cilët ishin studentë, arsimtarë me studime të kryera të shqipes ose të ndonjë lënde tjetër, studentë të masterit, doktorë shkencash, shkrues edhe nga profesionet jogjuhësore, si muzikolog, etnolog, jurist, politikolog, agronom etj., disa nga të cilët na kanë befasuar për cilësinë e mirë, thotë ai.

Këto 15 vëllime të Projektit E5, me këngë e tregime për kreshnikët, rreth pesë mijë faqe A4, duhet përgatitur për shtyp, sipas standardeve të larta profesionale, ku duhet të punojnë në ekip: epikologu, dialektologu dhe etnomuzikologu, thotë autori. Mirëpo, kjo fazë e dytë e punës varet krejtësisht nga mundësitë finaciare. Ai ka përgatitur edhe një antologji të Projektit E5 me këngë të përzgjedhuara dhe me përfaqësim të të gjitha viseve ku është realizuar ky projekt. Ai ka planifikuar e ka përzgjedhur tridhjetë këngë, ku ruhet simbolika e tridhjetë kreshnikëve. 

Në Pasthënie, autori jep të dhëna se Projektin E5 e ka shtrirë edhe jashtë Ballkanit, në mërgatë, ku jetojnë shqiptarët, që nga Evropa Perëndimore e deri në Amerikë. Hulumtime të pjesërishme ka kryer kryesisht në Austri, Zvicër, Gjermani, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndërsa Turqinë e përmend si vend ku patjetër duhet të kryhen këto hulumtime për Eposin.

Nga ata që e kanë vlerësuar lart realizimin e Projektit E5 dhe 15 vëllimet e tij në përurimet në Prishtinë, Shkup, Tiranë Cyrih e Tuz, mendimet e të cilëve, shkurtimisht, i ka paraqitur autori, po e veçojmë profesorin Dejvid Elmer (David Elmer) nga Universiteti i Harvardit, që thotë: ’’Dr. Neziri njihet si autoriteti kryesor i epikës shqiptare. Ai është gjithashtu koleksionisti më energjik dhe më pjellor dhe botues i këngëve epike shqiptare. Projekti i dr. Nezirit ka rëndësi të madhe, si për studimin e drejtë të epikës shqiptare, ashtu edhe për studimin e traditave epike evropiane në përgjithësi.’’ Në vijim, po e përmendim edhe profesorin arbëresh Nikolla Skalldaferi (Nicola Scaldaferri) nga Universiteti i Milanos: ’’Përgjegjësi i këtij projekti, prof. dr. Zymer U. Neziri, është një dijetar i njohur edhe në qarqet ndërkombëtare. Numri i vëllimeve të parashikuara e te kryera në përfundimin e këtij projekti, tashmë përbëjnë një arritje his-torike, si për kulturën shqiptare ashtu edhe për studimet epike’’.

Mirëpo, këtu autori shton dhe thotë: ndonëse pa dëshirë, nuk duket aspak e besueshme, por ky projekt i madh i përmasave ndërkombëtare dhe ndër më të mëdhenjtë për Eposin e Kreshnikëve në dy shekujt e fundit, nuk është vlerësuar ende nga Dega e Folklorit e Institutit Albanologjik të Prishtinës, e cila e kishte miratuar vlerën shkencore dhe rëndësinë e tij, me rastin e paraqitjes në konkursin e Ministrisë ASHT. Ky projekt nuk është trajtuar drejt as nga Drejtoria e Shkencës e Ministrisë ASHT, shkruan ai. Drejtori i këtij organi shtetëror ka qenë gjithashtu i papërgjegjshëm ndaj këtij projekti shtetëror. Faza e dytë, 2014 – 2016, u krye me vetëfinancim. Pra, pësova vetëm unë dhe familja ime, thotë ai, kurse Projekti E5 shpëtoi, u realizua plotësisht, fitoi albanologjia dhe epikologjia botërore.

Autori i falënderon për mikpritje të gjithë rapsodët e tregimtarët, rreth treqind familjet e tyre, nga Kraja e Tivarit e deri në Kurbin e Kërçovë; shoqëruesit, që e kanë ndihmuar gjatë rreth treqind ditëve nëpër Ballkan, të cilat i kaloi me kameramanin Baton Z. Neziri; ekspertët e jashtëm, profesorët Dejvid Ellmer e Nikolla Skalldaferi; ekipin e rregullt dhe jo të rregullt të Projektit E5; qindra arsimtarë e studentë, që ndihmuan në plotësimin e mijëra pyetësorëve në shkolla; qindra studentë, që punuan në plotësimin e pyetësorëve të nënprojektit; rreth njëqind bashkëpunëtorë të terrenit – realizues vullnetarë; juristin Sylë Kasumaj dhe shumë të tjerë, që kanë ndihmuar dhe i janë gëzuar shumë realizimit të Projektit E5, që e kanë përkrahur edhe në çaste të vështira, siç thotë ai, të shkaktuara nga disa zyrtarë të lartë të institucioneve shtetërore të Kosovës, që punën në Projektin E5 e kanë penguar dhe e kanë ndërprerë zyrtarisht më 2014 dhe nuk kanë dhënë as afat shtesë edhe kur ai nuk kërkoi mjete financiare shtesë për përfundimin e punës në terren, që doli sa trefishi i planifikimit.

Studiuesi Zymer U. Neziri me të drejtë thotë se Projekti E5, 2012-2016, dëshmon ekzistencën e njërit ndër eposet më të lashta të Evropës, të eposit heroik legjendar shqiptar, që vazhdon jetën e vet edhe në fillim të këtij mijëvjeçari të tretë të kohës së re në pesë shtetet e Ballkanit Perëndimor, prandaj ky material është dëshmi e pakontestueshme edhe për dosjen e Eposit të Kreshnikëve që do të paraqitet në UNESCO.  Për materialet e mbledhura e të incizuara të Projektit E5 mund të shkruhen edhe dhjetëra disertacione doktoratash nga epikologët, po edhe nga etnomuzikologët, dialektologët, fonetikanët, leksikologët, morfologët, sintaksologët, thotë ai.

Libri Eposi i Kreshnikëve në Ballkan: Indeksi i Projektit E5, 2012-2016. Dëshmi dokumentare për UNESCO i autorit prof. dr. Zymer Ujkan Neziri, është projektuar  edhe në imtësitë më të vogla për paraqitjen e Projektit E5 2012-2016 dhe është punuar me përkushtim të madh, me kujdes të rrallë, me saktësi të pashoqe dhe është përfunduar sipas standardeve të larta teknike – shkencore, me shpresë, siç thotë autori, se do të hapet dera për pranimin e tij në UNESCO si pasuri e përbotshme dhe si thesar botëror i kulturës, që dosja të dorëzohet në Paris sa më parë, të regjistrohet në UNESCO dhe të konsiderohet thesar botëror i trashëgimisë etnokulturore.

Përvoja e autorit, mbi 40-vjeçare, e punës në mbledhjen e studimin e epikës gojore, sidomos në hulumtimin, incizimin e shkrimin e mbi njëqind mijë vargjeve të Eposit të Kreshnikëve në krahinën e Rugovës, në vitet 1979-1988, e tash edhe me mbi njëqind mijë të tjera në Ballkan, me Projektin E5, 2012-2016, studiuesin Zymer U. Neziri e bën mbledhësin më të dalluar të Eposit të Kreshnikëve ndër ne, në fondin e përgjithshëm, rreth gjashtëqind mijë vargje, sa ka nga G. Majeri (1897) e këndej, sepse një e treta e këtij fondi kombëtar ka kaluar nëpër duart e tij.

Me tekstet e rëndësishme edhe në gjuhën angleze, Parathënia, Hyrja e Pasthënia, po edhe me mendimet e studiuesve prof. Ellmer, prof. Skalldaferi e prof. Ajdemir, për Projektin E5, libri bëhet shumë i lehtë për përdorim edhe nga studiuesit e jashtëm. 

Në fund, e përgëzoj autorin e librit Eposi i Kreshnikëve në Ballkan: Indeksi i Projektit E5, 2012-2016. Dëshmi dokumentare për UNESCO,  për këtë vepër shumë të rrallë në fushën e epikologjisë, kurse Instituti Albanologjik do jetë i nderuar me një botim të tillë nga epikologu Zymer Ujkan Neziri, që Eposin e Kreshnikëve e bëri edhe më të njohur në arenën ndërkombëtare, me ligjërata në shumë universitete dhe me kumtesa të mbajtura në konferenca shkencore ndërkombëtare në Ballkan, Evropë, Azi e Amerikë, nga Vjena e Parisi e deri në Kembrixh, në Universitetin e Harvardit, dhe në Pekin, në Akademinë e Shkencave Sociale të Kinës.

Kontrolloni gjithashtu

Doli nga shtypi vëllimi 19-të i monografisë “Feniksët e lirisë” 

Doli nga shtypi vëllimi 19-të i monografisë “Feniksët e lirisë” 

Në vazhdim të realizimit të projektit për botimin e monografisë për dëshmorët e Ushtrisë Çlirimtare …