Këtu e 23 vite më parë saktësisht, më 28.III.1999 ditë Bajrami, në orët e mbrëmjes, kriminelët civilë serbë, banorë të fshatit Suhadoll i Epërm, të cilëve iu printe postieri Lubisha Simiq, në oborrin e shtëpisë së vet e vrasin Fehmi (Rexhep) Alushin (49 vjeç) dhe djalin e tij, Rexhep (Fehmi) Alushin (19 vjeç), djemt e vëllaut të Fehmiut, Avni (Alush) Alushin (22 vjeç) dhe Ilmi (Alush) Alushin (32 vjeç).
Prej aty, në afërsi të ish-kafiterisë “Te Llapa”, policët serbë vrasin edhe Eshref (Fazli) Eminin (54 vjeç), Qerim (Brahim) Rexhepin (50 vjeç) dhe Ahmet (Qerim) Rexhepin (18 vjeç) nga fshati Suhadoll i Mitrovicës, miq të familjes Alushi.
Sipas deklaratës së bashkëshortes së Qerimit, Sabrije Rexhepit (48 vjeç) dhe Zejnepe (Bajram) Eminit (50 vjeç), bashkëshorte e Eshrefit, të cilat kanë qenë të pranishme kur janë pushkatuar të lartpërmendurit, në mesin e kriminelëve ka qenë edhe milici, Ratko Antonijeviq.
Vlen të ceket se deklaratën e ka marrë prej tyre autori i këtyre rreshtave, më 29 mars 1999.