Më 29 mars të vitit 1999, forcat ushtarake dhe policore serbe, ekzekutuan dhe masakruan 49 shqiptarë në fshatin Beleg të Deçanit. Ishte edhe kjo një hakmarrje mizore e forcave serbe kundër popullatës civile shqiptare, për shkak të bombardimeve të NATO-s. Një ditë para fillimit të bombardimeve të NATO-s, krerët kriminelë në Serbi, kishin paralajmëruar se në rast të fillimit të bombardimit do t’ i shfarosnin shqiptarët.
Edhe 23 vjet pas kësaj masakre mizore që kryen serbët, ende nuk është zbardhur fati i 33 të pagjeturve të këtij fshati si dhe fshatrave të tjera të Deçanit. Për këtë krim makabër, të kryer kundër popullatës shqiptare, ende nuk ka dalë para gjyqit asnjë nga kriminelët, pavarësisht disa përpjekjeve sa për sy e faqe të UNMIK-ut dhe EULEX-it, të cilët janë marre dhe merren intensivisht me luftëtarët e lirisë së Kosovës dhe jo me kriminelët serbë, që shëtisin lirshëm jo vetëm në Serbi por kudo në vendet e Evropës e të botës, disa prej tyre po luftojnë edhe në radhët e ushtrisë ruse kundër Ukrainës. (Kalendari Kombëtar: TV-Dielli, RKL)