Kina akuzon Perëndimin për “standarde të dyfishta” në qëndrimin lidhu me luftimet në disa vende të botës

Kina ka akuzuar Perëndimin për zbatimin e “standardeve të dyfishta” duke u kujdesur për të drejtat e njeriut të njerëzve që ikin nga lufta Rusi-Ukrainë, por duke injoruar ato të refugjatëve nga vendet në Lindjen e Mesme, Afrikë dhe Amerikën Latine, transmeton Anadolu Agency. “Dua të theksoj se komuniteti ndërkombëtar nuk duhet të miratojë standardet e dyfishta për çështjen palestineze dhe çështje të tjera të nxehta ndërkombëtare dhe rajonale”, tha në një konferencë për media zëdhënës i Ministrisë së Punëve të Jashtme, Wang Wenbin. Ai komentoi deklaratën e presidentit palestinez, Mahmoud Abbas, i cili të dielën pas takimit me sekretarin amerikan të shtetit, Antony Blinken, tha se incidentet e fundit në Evropë kanë vërtetuar se “ekzistojnë standarde të dyfishta që vërehen në mënyrë flagrante në mbarë botën”. “Çështja palestineze nuk duhet të margjinalizohet apo harrohet dhe padrejtësia që zgjat mbi 50 vjet nuk duhet të vazhdojë”, tha Wang. Duke iu referuar “tre propozimeve specifike” nga Pekini drejt zbatimit të zgjidhjes me dy shtete, ai tha se, “Kina do të vazhdojë të qëndrojë e vendosur me popullin palestinez”.

Gjatë takimit të tij me homologun palestinez, Riyad al-Maliki, javën e kaluar në margjinat e Samitit të Ministrave të Jashtëm të OBI-së në Pakistan, ministri i Punëve të Jashtme i Kinës, Wang Yi, kishte sugjeruar se Autoritetit Kombëtar Palestinez “duhet të forcohet”.

Wang gjithashtu bëri thirrje për “unitet më të madh” midis fraksioneve palestineze ku ata mund “të arrijnë pajtim të vërtetë të brendshëm”. Së treti, Pekini sugjeroi “mbajtjen e një konference të madhe ndërkombëtare paqeje, më autoritative dhe me ndikim, me pjesëmarrjen e anëtarëve të përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe të gjithë palëve të interesuara në procesin e paqes në Lindjen e Mesme për të eksploruar mënyra efektive për një zgjidhje politike të çështjes palestineze”.

“Standardet e dyfishta të papranueshme”

Më tej, Wenbin theksoi se standardet e dyfishta duke simpatizuar refugjatët e Ukrainës dhe duke injoruar refugjatët nga vendet e Lindjes së Mesme, Afrikës dhe Amerikës Latine “janë të papranueshme”. “Është standard i dyfishtë dhe i papranueshëm të quash krime lufte aktet që dëmtojnë civilët në Ukrainë, ndërkohë që lejohet që dëmi i bërë ndaj civilëve në Republikën Federale të Jugosllavisë, Afganistan, Irak dhe Siri të mbetet i pandëshkuar”, tha Wenbin, duke iu referuar luftës së Rusisë kundër Ukrainës, e cila filloi më 24 shkurt. Të paktën 1.151 civilë janë vrarë në Ukrainë dhe 1.824 janë plagosur, sipas vlerësimeve të OKB-së, e cila paralajmëroi se shifra reale mund të jetë shumë më e lartë.

Më shumë se 3,87 milionë ukrainas kanë ikur gjithashtu në disa vende evropiane, ndërsa miliona të tjerë janë zhvendosur brenda vendit, sipas agjencisë së OKB-së për refugjatët.

Wang, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Kinës, i cili vetë është përballur me kritika lidhur me akuzat për shkelje të të drejtave të njeriut të ujgurëve, tha gjithashtu: “Është standard i dyfishtë dhe i papranueshëm të theksohet se sovraniteti është i pacenueshëm në çështjen e Ukrainës, ndërkohë që të drejtat e njeriut konsiderohen si superiore ndaj sovranitetit kur bëhet fjalë për çështjet që lidhen me Republikën Federale të Jugosllavisë dhe Irakun”.

Duke theksuar se sovraniteti dhe integriteti territorial i të gjitha vendeve “duhet respektuar”, zyrtari i Ministrisë së Jashtme kineze vuri në dukje se qëllimet dhe parimet e Kartës së OKB-së “duhet të respektohen”.

“Shqetësimet e legjitimuara të sigurisë të të gjitha vendeve duhet të vlerësohen. Vetëm kur të hidhen poshtë standardet e dyfishta, çështjet e pikave të nxehta rajonale mund të trajtohen në mënyrë të drejtë dhe paqja e qëndrueshme mund të arrihet në Evropë dhe vende të tjera të botës”, shtoi ai. (AA)

Kontrolloni gjithashtu

REAGIM PUBLIK NGA ROSCAP NDAJ INSTRUMENTALIZIMIT POLITIK TË TEMAVE QË NDËRLIDHEN ME CILËSINË E ARSIMIT DHE MIRËQENIEN E FËMIJËVE

Rrjeti i Organizatave të Shoqërisë Civile për Arsimin Parauniversitar (ROSCAP) shpreh shqetësimin dhe indinjatën më …