Historiani, Pëllumb Xhufi ka thënë se janë 30 vjetët e kaluara të krizës totale, që i kanë lënë shqiptarët pa punë, pa bukë, pa drejtësi, pa rend, pa mbrojtje, pa shkollë, pa ideale, pa moral, pa nder, pa dinjitet. Ky është mëkati i pafalshëm i klasës sonë politike të kësaj periudhe 30-vjeçare, e cila duhet të kishte qenë periudha e një zhvillimi e progresi spektakolar. U zhbë gjithçka. Fusha bregdetare, nga Kopliku i Shkodrës në Vrinë të Sarandës, e sistemuar, bonifikuar, ujitur, u kthye në truall banimi dhe sot është jashtë funksioni. Miliarda dollarë punë e djersë të shqiptarëve shkuan dëm. Dhe ne sot jemi pa grurë e pa qepë. E njëjta gjë ka ndodhur me fushat pjellore të Dibrës e të Korçës. U privatizuan, u shfrytëzuan barbarisht e sot janë kthyer në kohët parahistorike minierat e kromit, ku sot njerëzit rrezikojnë kokën për të nxjerrë me hejbe ndonjë copë minerali. U privatizua, u mol e u vodh barbarisht industria e naftës, ajo e hidro-energjisë. U mbyllën e u shitën për skrap uzina e prodhimit të plehrave azotike në Fier, me teknologji të avanguardës, e ndërtuar nga kompania italo-amerikane Mont-Edison. U mbyllën e u dërguan për skrap uzina e telave-Shkodër, uzina e shkrirjes së kromit-Burrel, Uzina e përpunimit të naftës-Ballsh, uzina e instrumentave-Korçë, kombinati siderurgjik-Elbasan, uzina e traktorëve-Tiranë e të tjera e të tjera…Dhe kështu, ministrat e kryeministrat tanë të të gjitha ngjyrave, shitën për skrap tanket, avionët, topat, mitralozët, kallashët, raketat, predhat, fishekët, deri tek copa e fundit. Deri sa plasën, bashkë me Gërdecin e babëzisë së tyre. Shkatërrimi i ushtrisë e në përgjithësi i gjithë mekanizmave të sigurisë kombëtare, është një nga gjëmat më të mëdha antikombëtare që politikanët e këtyre dekadave të fundit i kanë bërë vendit të vet. Dhe të jeni i bindur, se historia do i dënojë. Por për inatin e turpin tonë, atëherë ata do jenë duke bërë gjumin e përjetshëm, “si derra të kënaqur”, do të thoshte i madhi Migjen, ka thënë mes tjerash, historiani, Pëllumb Xhufi. ( kliko, Intervista!)