Punëtorët e Telekomit të Kosovës kanë mbetur pa paga pasi zyrtarëve të kësaj ndërmarrjeje i janë bllokuar llogaritë bankare

TELEKOMI I KOSOVËS KËRKON NGRIRJEN E MJETEVE NË LLOGARITË E DARDAFON.NET LLC DHE KTHIMIN E PARAVE

Telekomi i Kosovës sh.a. ka parashtruar kërkesë te Prokurori i Shtetit për marrjen e masave urgjente për pezullimin/ngrirjen e mjeteve në llogaritë e Dardafon.net LLC në lartësi prej mbi 30 milionë euro dhe kthimin e këtyre mjeteve në xhirollogarinë e Telekomit deri në vendosje përfundimtare të drejtë dhe të ligjshme nga Gjykatat e Kosovës. Po ashtu, Telekomi i Kosovës sh.a. ka kërkuar që nëse shuma e cekur nuk figuron në xhirollogarinë e Dardafon.net LLC, Prokurori i Shtetit të përdorë mekanizmat për të përcjellur lëvizjen e parasë nga xhirollogaria e Dardafon.net LLC dhe t’i gjurmojë dhe ngrijë llogaritë, kudo që kjo shumë është transferuar. Siç është njoftuar opinioni, tashmë, Gjykata e Apelit, bazuar në Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, e ka konfirmuar se Telekomi i Kosovës sh.a. ka qenë subjekt i një procedure gjyqësore të kundërligjshme dhe me shkelje serioze procedurale dhe materiale, e cila e ka favorizuar Dardafon.net LLC në dëm të Telekomit të Kosovës sh.a. Përmes kësaj procedure, Telekomi i Kosovës sh.a. është dëmtuar shumë rëndë financiarisht, gjë që ka ndikuar edhe në operimet ditore të kompanisë. Gjithashtu ka ndikuar negativisht në vazhdimin e projekteve vitale, për arsye se i janë tërhequr/debituar mjetet financiare përmes veprimeve të parregullta dhe kundërligjore të përmbaruesit privat dhe gjykatave të të tri niveleve.

Në bazë të kalkulimeve të deritashme, Telekomi i Kosovës sh.a. ka paguar miliona euro më shumë se sa shuma maksimale që Telekomi i detyrohet Dardafon-it, në bazë të vendimit të Arbitrazhit No.20990/MHM. E shohim të rëndësishme të sqarojmë opinionin se pikërisht për shkak të kësaj përllogaritjeje  arbitrare dhe të pasaktë të borxhit, nga ana e gjykatës, është kthyer në rigjykim e tërë kjo çështje.

Duke qenë se ekziston rreziku real që Dardafon.net LLC mund t’i tjetërsojë të gjitha këto mjete jashtë Republikës së Kosovës e që do të vështirësonte gjurmimin dhe kthimin e tyre në rast të një vendimi të drejtë të gjykatës, Telekomi i Kosovës sh.a. ka kërkuar asistencën e Prokurorit të Shtetit në ndërmarrjen e veprimeve urgjente, që mundësojnë sigurimin e mjeteve financiare deri në vendosjen përfundimtare të drejtë dhe të ligjshme nga gjykatat e Kosovës.

Kjo kërkesë është vetëm njëra nga masat që Telekomi i Kosovës sh.a. i ka ndërmarrë, dhe do të vazhdojë ta bëjë këtë edhe më tutje, në mbrojtjen e biznesit të kompanisë dhe në rikthimin e ligjshmërisë. Telekomi i Kosovës sh.a., synon të rikthehet fuqishëm në shërbim të konsumatorëve të vet dhe të qytetarëve të Kosovës, me një kulturë të re dhe me një përkushtim të lartë ndaj punës. Një sistem i drejtësisë efektiv, dinamik dhe i paanshëm është i domosdoshëm për të mbrojtur bizneset dhe qytetarët nga veprimet e paligjshme, ndërkaq Telekomi i Kosovës sh.a. do të ndjekë të gjitha rrugët ligjore për të rikthyer mjetet që i janë marrë jashtëligjshëm nga arka e shtetit apo nga fondet e dedikuara për investime strategjike, duke i kthyer ato në infrastrukturë dhe shërbime më të mira për konsumatorët dhe qytetarët.

Kontrolloni gjithashtu

Fahrije Hoti; Ministri, Faton Peci, duhet t’ iu kërkojë falje publike të gjitha grave të Krushës, për njollosje të emrit dhe shpifje

Drejtoresha  e Kooperativës Bujqësore “Krusha”,  Fahrije Hoti,  ka thënë se ministri i Bujqësisë, Faton Peci …