Pikërisht ë kohën kur e gjithë Kosova po i përkujton masakrat më mizore dhe më makabre të kryera nga forcat policore dhe ushtarake serbe ndaj civilëve të pafajshëm shqiptarë, mediat serbe të financuara dhe të mbështetura fuqishëm nga Vuçiqi po plasojnë “dokumentar” të sajuar gjoja se të krimive të kryera nga UÇK-ja! Përpjekja e tyre është që orë më parë nga xhelati të shndërrohen në viktimë dhe anasjelltas shqiptarët që ishin viktima t’i shndërrojnë në xhelat dhe ata që vet ishin agresor në viktimë. Ky fakt na sjellë ndërmend vërtetësinë fjalës se ‘lumi fle e armiku nuk fle’.
Një gjë e tillë nuk duhet të lejohet, me aq sa kemi fuqi dhe aq sa mundemi duhet që të gjithë para botës ta tregojmë të vërtetën e krimeve serbe në Kosovë dhe njëkohësisht ta dëshmojmë pastërtinë e luftës së drejtë dhe çlirimtare të drejtuar nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Jo vetëm ne si qytetarë të rëndomë një aktivizim i tillë tani është nevojë imediate edhe e vet shtetit të Kosovës.
Përderisa shteti serb nuk rresht se propaganduari kundër luftës së UÇK-së, krerëve të luftës çlirimtare dhe vet shtetësisë së Kosovës më të gjitha mjetet politike, diplomatike dhe mediatike pse një gjë e tillë kalohet në heshtje dhe indiferencë absolute nga Kosova?!.
I vetmi medium i luftës radio Kosova e Lirë që edhe sot funksionon e mbijeton mes sfidash e vështirësive, ka punuar vazhdimisht për ndriçimin e historisë më të re dhe më të ndritur të kombit shqiptarë, epokës së luftës të lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, me emisione tematike dhe monografike për dëshmorët e kombit, si më mbledhjen e fakteve dhe dëshmive për krimet serbe në Kosovë.
Por për çudinë më të madhe të gjitha partitë politike të cilat kanë qenë në pushtet ndër periudha të caktuara kohore që nga paslufta asnjëra nuk e ka gjetur as forcën as kurajë për ta mbështetur qoftë moralisht apo edhe simbolikisht këtë medium shumë të rëndësishëm e që më plotë të drejtë mund ta konsiderojmë vlerë të luftës tonë çlirimtare.
Më e keqja është së këtu institucionet fare pak punojnë në drejtim të ndriçimit të krimeve serbe në Kosovë por edhe në dëshmimin e pastërtisë së luftës çlirimtare. Akoma me keq është fakti që edhe ato burime nga të cilat mund të merret si referenca të vërteta, çfarë edhe janë të tilla nuk po shfrytëzohen. Siç thotë një proverb tjetër shqipe “ki inatin jepja hakun”, pse nuk lartësohet puna e radios Kosova e Lirë, kur vërtetë ka punuar shumë në drejtimin e duhur të historisë më të re të atdheut për gjatë këtyre 22 viteve dhe duke qëndruar vertikalisht e vetme në këtë drejtim. Pse nuk përdorën statistikat e profesor Nusret Pllanës për fëmijët e vrarë e masakruar në Kosovë, por të OJQ-ve, shoqërive civile me financim të dyshimtë dhe Natasha Kandiqit?
Mos të presim nga të tjerët e aq më pak nga Evropa e cila edhe tani kur bota është në ankth të pëlcitjes së një lufte të tretë të përmasave botërore, ajo mundohet të bëjë “drejtësi” duke segreduar, gjykuar dhe akuzuar njëanshëm krerët e luftës së UÇK-së, por pa dënuar asnjë nga kryerësit e masakrave në Kosovë. Ngase edhe Prekazi, Rezalla, Izbica, Likoshani, Qirezi, Abria, Reçaku, Meja, Qyshku, Lybeniqi, Krusha e Madhe, Pokleku, Celina, Besiana, Theranda e shumë vende të tjera të Kosovës që tokën e kanë të ujitur me gjak kërkojnë drejtësi.
Por pse ende nuk është ndërtuar një muze për krimet serbe ku mund të ruheshin dhe ekspozoheshin aty dëshmi të mbetura e që nuk mund ti rezistojnë kohës në pafundësi nëse nuk merren nën përkujdese të veçantë institucionale? Pse nuk po intervenohet në kullat heroike të Jasharajve të cilat rrezikojnë të shembën dhe në shumë vend-beteja ku më gjak është shkruar historia?
Pse ende në kryeqytetin e Kosovës mungon shtatorja e komandantit legjendar, Adem Jasharit? Kush po e kundërshton atë apo këndë e pengon shtatorja e kyeheroit të Kosovës në Prishtinë? Pse nuk po punohet sa duhet për ndriçimin e personave të zhdukur? Janë një mori pyetjesh me “pse” në këtë vend që vazhdojnë ende të mbesin retorike dhe pa përgjigje.
Kurrë nuk është vonë që t’i kthehemi vetvetes, që ta njohim me shumë atë, historikun dhe të kaluarën, sepse një popull që e le në harresë historinë e tij dhe në indiferencë etiketimet e armikut ndaj tij, të ardhmen e ka të brishtë dhe të pa qartë. Ne nuk kemi aq shumë nevojë për të bërë filma aq sa kemi nevojë për ta thënë, dëshmuar, paraqitur e treguar të vërtetën e krimeve serb.