( E mërkurë 31 mars, 1999). Forcat serbe kanë avansuar në drejtim të pozicioneve tona. Nga çasti në çast pritet sulmi në drejtim të fshatrave të Drenicës jugore prej Komaranit deri në Pjetërshticë
Edhe sot së bashku me Nezir Myrtajn jemi nisur në hapërimin tonë të përditshëm. Në hyrje të Grykës së Gashit ka filluar një valë tjetër e të dyndurve. Po kështu po ndodh edhe në Grykën e Kizharekës dhe në Grykën e Thatë.
Serbët tanimë po përgatitën për të na sulmuar nga Komarani, nga Çukat e Sankocit si dhe nga drejtimi i Magures. Luftëtarët e të dy batalioneve tona, “Imer Alushani” dhe “Ruzhdi Salihu” po qëndrojnë të patundur nëpër istikame. Ata janë të vetëdijshëm se nuk mund të zhvillojnë luftë frontale kundër njësive të motorizuara serbe, por janë vënë në hyrje të grykave me qëllim të mos e lëshojnë depërtimin e këmbësorisë armike te popullata civile.
Elez Durmishi, komandant i Batalionit “Ruzhdi Salihu” më ka bërë me dije se Komandanti i Zonës së Pashtrikut, Tahir Sinani u ka dhënë urdhër të prerë ushtarëve dhe eprorëve që në asnjë mënyrë dhe me asnjë çmim, qoftë edhe me çmimin e jetës së gjithsecilit ushtar të mos lejohen serbët të hyjnë në grykat e maleve ku ndodhen dhjetëra mijëra të zhvendosur.
Me Nezirin kemi dalë në Rrafshnaltë në mes të Fshatit të Ri dhe të Divjakës. Nga ajo lartësi vërehet Dukagjini, Drenica dhe një pjesë e Rrafshit të Kosovës. Neziri shpesh kthen kokën kah vendlindja, fshati Uçë i Istogut, nga ku shihet tymi i fshatrave të djegura.
Serbët po granatojnë nga distanca. Ka rrezik të godasin popullatën e zhvendosur. Drejt Rrafshnaltës janë drejtuar edhe shumë banorë të fshatrave Arllat, Tërpezë dhe Lladrovc. Dyndje të pjesërishme ka edhe nga fshatrat e tjera si Lladroviq, Senik, Banjë, Bellanicë, Ngucat e Bllacë.
Edhe sot kemi transmetuar një program të shkurtër të lajmeve.
Pastaj si gjithnjë me Nezirin jemi nisur në rrugë drejt Grykës së Nekocit.
Fillimisht jemi nisur nëpër një pllajë në anën e Grykës së Thatë, me qëllim që të depërtojmë shkurt drejt Grykës së Gashit, të fshatit Nekoc. Ndërkohë kemi humbur rrugën dhe kemi dalë në anën perëndimore të Grykës së Thatë. Pas dy tri orë rrugëtimi nëpër pllaja malesh kemi arritur më në fund të lëshohemi një rrëpire të rrezikshme drejt Grykës. Në vendin e caktuar e kemi takuar Ali Mullinin, i cili me veturë nga kthen në Krojmir.
Fshatrat rrëzë maleve janë boshatisur.
Tek tuk ka mbetur ndonjë burrë i moshuar ka mbetur në shtëpi dhe përkujdeset për bagëtinë.
Edhe fshatarët e Baicës së Kolshit kanë mësyrë Grykën e tyre. Vetëm Shala dhe Krojmiri ende nuk janë dyndur por presin të dyndën nga çasti në çast.
Kësaj radhe shumica e banorëve të zhvendosur janë shumë më mirë të përgatitur. Ata tashmë kanë fituar përvojë edhe në sajimin e tendave dhe krijimin e ambienteve më funksionale, të cilat i kanë përgatitur me kohë. Po mësohemi dhe po kalitemi me luftën tonë çlirimtare të bindur në fitore…