Shkolla Normale dhe Shkolla Teknike e Prishtinës ishin baza të fuqishme atdhetare në vitin 1981

Shkolla Normale dhe Shkolla Teknike e Prishtinës ishin baza të fuqishme atdhetare në vitin 1981

Në objektin e Shkollës Normale, në Prishtinë, në vitin 1981, përveç Akademisë Pedagogjike-cikli i ulët, zhvillonin mësim  edhe disa paralele të shkollës së mesme teknike. Në këto dy shkolla kanë vepruar edhe dy organizatat të fshehta atdhetare: Grupi-Marksist Leninist i Kosovës, dhe organizata e quajtur: Partia Komuniste Marksiste Leniniste e shqiptarëve në Jugosllavi.

Nga mesi i këtyre dy organizatave patriotike kanë rënë dëshmorë në demonstratën e dy prillit të vitit 1981 nxënësit, maturantë: Asllan Pireva dhe Naser Hajrizi. Po ashtu janë arrestuar e dënuar me burg të rëndë: Fatmir Graiçevci, Afrim Zhitia, (më vonë dëshmor) Ilaz Zhitia, Naim Mahmudi, Naim Statovci, Lutfi Maqedoni, Rrahim Rama, Raif Çela  e të tjerë. Edhe nga mesi i mësimdhënësve janë dënuar me burg të rëndë: Zenun Gjoci dhe Xhevdet Syla, tani të ndjerë, pastaj, Meriman Braha, Sheqir Zeneli, Nezir Myrtaj e Ahmet Qeriqi.

Shkolla Normale e teknike e asaj kohe ishin dy baza të fuqishme atdhetare, të cilat  komunisti titist, drejtori i atëhershëm, tani i vdekur, Jusuf Shushka i quante “çerdhe të nacionalizmit dhe irredentizmit shqiptar”, në Prishtinë.

Në një intervistë për gazetën “Ilustovana politika” të majit të atij viti, që botohej në Beograd,  ai kishte kritikuar “Komitetin” të cilin thoshte se  kishte lajmëruar me kohë, se  Ahmet Qeriqi, Zenun Gjoci e disa mësimdhënës të tjerë kishin “helmuar” nxënësit  me nacionalizëm e irredentizëm dhe ata nuk kishin ndërmarrë me kohë masa kundër tyre…

Madje ai veçonte se Ahmet Qeriqit, edhe pse iu kishte shqiptuar dënimi me burg, për vepër penale, propagandë armiqësore. në tetor të vitit 1980, në Ferizaj,  iu kishte lejuar të punonte me nxënës deri në plotfuqishmërinë e dënimit.  Mjerisht pati edhe disa arsimtarë  të verbëruar me “idealet” titiste, të cilët nuk e kuptuan me kohë se çështja e çlirimit dhe bashkimit kombëtar të shqiptarëve ishte e natyrshme, e pashmangshme, rruga do të ishte e gjatë, e përgjakshme dhe e mundimshme, por e domosdoshme… ( Ahmet Qeriqi)

 

Asllan Pireva e Naser Hajrizi, dy jetë të martirizuara në lulen e lirisë, për lirinë e Kosovës

 

Asllani e Naseri, apo Naser Hajrizi e Asllan Pireva, janë dy ndër dëshmorët e parë të  2 prillit të vitit 1981, të rënë në qendër të Prishtinës, të vrarë mizorisht nga forcat pushtuese jugosllave, në kohën kur në mesin e mijëra të tjerëve po protestonin me grushtin lartë e flamurin  ngritur edhe më lartë, në kohën kur po i brohorisnin lirisë, drejtësisë, barazisë të munguar me shekuj të shqiptarëve, denbabaden banorë të shtypur e të keqtrajtuar, në trojet e tyre.

Të dy ishin maturantë të Shkollës Teknike, në Prishtinë. Në dukje të parë nuk dallonin nga shokët e tyre. Ishin rritur tok me moshatarët, por diçka nga brenda, në qenin  e tyre  i kishte shtyrë përpara, duke i  burrëruar para kohe…

Ata e kishin kuptuar me kohë se Kosova do lirinë, por liria gjithnjë ka kërkuar dhe kërkon heronj. Dhe ata i kishin vënë gjokset e tyre në ballë të demonstruesve, që kërkonin Kosovën Republikë, që kërkonin atë që e gëzonin të tjerët, që kërkonin minimumin e të drejtave, duke qenë pjesëtarë të një kombi të ndarë, të keqtrajtuar, të shfrytëzuar e të katandisur  në disa republika e shtete.

Atë ditë, më 2 prill të vitit 1981, Asllan Pireva dhe Naser Hajrizi ishin zgjuar herët dhe nuk kishin menduar se ishte zgjimi i ditës së fundit në këtë jetë, dhe dita e parë në rrugë drejt përjetësisë. Të dy ishin bashkuar  në qendër të kryeqytetit, në mesin e shokëve e shoqeve të shkollës, në mesin e mijëra liridashësve, duke brohoritur për çlirimin e Kosovës. Po brohoritja, grushti lartë dhe flamuri kombëtar edhe më lartë, i kishte goditur në qenie forcat e territ, të cilat kishin zënë pritë me kohë mbi kokat e tyre, në godinën e lartë përballë,  dhe me vështrimet e tyre tinëzare  nëpër snajperë kishin marrë shenj  për të goditur më të zgjedhurit, më ngulmuesit, më të  paepurit. Dhe i kishin zbuluar. Dhe i kishin goditur, në ballë, në gjoks, në trupat e tyre, por jo në qenen e tyre, jo në   idealet e tyre, sepse ato ideale  nuk ka armë që i vret.

Ranë, Naseri e Asllani, u plagosën disa të tjerë, por Flamuri i kuq me shqiponjë në mes nuk ra për tokë, shokët e tyre nuk e lejuan të bjerë për tokë. Ata e morën dhe e valëvitën gjatë tërë ditës, nëpër barrikadat e Prishtinës, të përgjakura, të përskuqura nga gjaku djaloshar, nga gjaku i Asllanit, Naserit dhe shumë të tjerëve, jo vetëm në Prishtinë, por kudo në Kosovë…

Muzgu i asaj dite me tym e barot, si lubi e moçme, kishte lëshuar kthetrat mbi Prishtinë dhe kudo mbi Kosovë me ardhmëri të rrethuar. Retë e zeza tashmë kishin dendësuar. Rojet e territ kishin zënë prita nëpër rrugica, nëpër lagje, në sheshe dhe kudo, në tërë vendin ku ishte aplikuar masa ushtarake e shtetrrethimit.  Ata po bëheshin gati për të marrë dhe për të zbatuar urdhra, për të vrarë, për të burgosur, për të rrahur, bastisur, për ta përdhunuar  tërë një popull që kërkonte liri, barazi e drejtësi.

Agimi i tre Prillit të vitit 1981 Prishtinën e Kosovën i kishte gjetur nën rrethim të hekurt të qindra kordoneve ushtarake e policore,  të ardhura nga të gjitha viset e Jugosllavisë.

Në Morgun e kryeqytetit ndodheshin trupat e Naserit, Asllanit dhe rënëve të tjerë. Djalëria liridashëse e Kosovës, kishte marrë një goditje, por nuk ishte dhënë. Ajo kishte mobilizuar radhët. Jo vetëm që nuk ishte dorëzuar, por ishte kalitur nëpër barrikada. Asllan Pireva, Naser Hajrizi, Xhelal Maliqi, Salih Abazi, Salih Mulaku, Ruzhdi Hyseni, Rizah Matoshi, Sherif Frangu, Nesimi Dervishdana, Ibrahim Krasniqi, Afrim Abazi, nga emra të përgjithshëm shqiptarësh, ishin  bërë të përveçëm, emra dëshmorësh, ishin bërë emra frymëzimi për brezat që më në fund, me luftën heroike të UÇK-së, në ballë me legjendarin e legjendave të Shqipërisë, Adem Jashari, e  shkundën letargjinë shekullore dhe Kosovës i sollën lirinë e pavarësinë.

I përjetshëm qoftë kujtimi për ta, për buzëqeshjet e tyre të ngrira, për brohoritjet e tyre: Republikë-kushtetutë, o me hatër, o me luftë! ( Ahmet Qeriqi)

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …