Kaluan tri vjet që po ndihet mungesa e zërit të së vërtetës për gjenocidin e Serbisë ndaj shqiptarëve, tre vjet që mungojnë shkrimet për dëshmorët nga ZOD, tre vjet që mungojnë shkrimet analitike që ju çirrnin maskat mashtruesve, pseudo analistëve, tre vjet që mungojnë shkrimet për zërin e fuqishëm në mbrojtje të çlirimtarëve… po çka nuk mungon nga dora jote, nga mendja jote e ndritur e mbushur plot e përplot atdhedashuri, plot e për plotë frymëzim për kombin e atdheun.
Ende nuk doli askush pas teje që të bëjë studime të tilla si ato që i bëje për krimet e luftës në Kosovë. Te Fetnete Maxhun Ramosaj, ishin kombinuar në mënyrë të përsosur fisnikëria e idealeve me argumentimin e fakteve reale, historike.
Përkundër të gjitha këtyre kontributeve të Fetnetës, në zbardhjen e gjenocidit në Kosovë, që i argumentoi me fakte historike, e mbyllën Institutin për Krime të Luftës në Kosovë. Tani e sa kohë duan ta ri themelojnë por ende nuk ka asgjë konkrete në këtë drejtim. Duke e ditur punën kolosale të çlirimtares Fetnete Ramosaj, së bashku më shokët e idealit: Faton Mehmetaj e Fatmir Arifi dhe shumë të tjerë, iniciuam që kurdo që ri themelohet Instituti, edhe pse nuk po duket asgjë ende në horizont, ky Institut të mbajë emrin e veprimtares, çlirimtares, studiueses Fetnete Maxun Ramosaj.
Në këtë tre-vjetor sërish publikisht i bëj thirrje Ministrisë së Drejtësisë të marrë mundin ta shqyrtojë kërkesën për këtë iniciativë të arsyeshme. E kanë obligim moral të kthejnë përgjigje, sepse deri tani mbi 10 herë i kam bërë shkresa zyrtare ministres Haxhiu dhe kabinetit të saj, por asnjëherë nuk kanë marrë mundin të kthejnë përgjigje, se lëre më të më pranojnë në takim.
Duhet pasur parasysh se proceset kombëtare por edhe politike nuk nisin me ardhjen në pushtet të partive politike, andaj nuk kanë të drejtë të mos njohin kontributin paraprak të atdhetarëve, por në rastin konkret edhe kontributin kolosal të Fetnetës.
Një obligim në këtë drejtim e kanë të gjitha ata që në përvjetorë e kujtojnë, por ditëve të tjera sikur harrojnë, jo të gjithë por një pjesë e konsiderueshme po, sepse sipas mendimit tim nuk mjafton vetëm fjala LAVDI, por duhet dalë hakut Fetnetes, në këtë drejtim sepse ajo bëri shumë për ne, për Kosovën tonë, andaj duke i vënë emrin e saj, Instituti do të jetë kuptim plotë, sepse ishte pikërisht studiuesja, Fetnete Ramosaj, ajo që e bëri me emër atë Institut me punën e saj madhore, me veprat e botuara për krime lufte, me ekspozitat, me projektet kapitale, që asnjë e them me kompetencë të plotë nuk bëri sa Fetnetja. Andaj emri i saj do ti bënte nderë institucionit dhe mbarë Kosovës por edhe më gjerë.
Nuk është vetëm dëshira ime dhe e atyre që e përkrahin këtë Projekt por para së gjithash e kemi detyrim një gjë të tillë..
Vepra e saj është derdhur në të gjitha themelet e shëndosha atdhetare e kombëtare. Guximi dhe maturia ishin virtyte që kishte Fetnetja.
Mbresat dhe kujtimet e pashlyeshme do ti ruaj sot e mot, në zemrën time për Ty Fetnete, që ishte e pa përkulur ndaj vështirësive, që nuk kishe edhe shumë shoqe si TY.
Mjafton ta lexoni këtë fjali të shkruar nga Fetnete Ramosaj dhe të kuptoni personalitetin e saj: ‘Jam shumë e nderuar dhe krenare që isha pjesë e luftës për liri, e njerëzve të terrenit, që mbi gjithçka e kishim lirinë! Ashtu janë dhe duhet të jenë të gjithë bashkëluftëtarët e mi, pavarësisht sfidave të kohës! Jo gjithkush e ka fatin të jetë pjesë e bërjes së Lirisë!” Shkruante mes tjerash Fetnetja, motra jonë e paharruar.