Sabit Jaha, është emër i njohur i kulturës, letërsisë, historisë e publicistikës ndër ne. Rrugëtimin e tij letrar e ka filluar shumë herët, ndërsa tani kur ka arritur në të shtatëdhjetat, veprimtaria e tij tashmë është degëzuar si një “rrap shekullor”, i zgjeruar në shumë degë, me përmbajtje nga shumë fusha të krijimtarisë, në të cilat shkëlqen me afinitet origjinal, krijues, komunikues me lexues të çdo moshe, me qasje inventive në përzgjedhjen e temave, të cilat i ka trajtuar dhe i trajton me vokacion të pasur stilistik e artistik.
Sabit Jaha është poet, kritik letrar, publicist, botues, redaktor e mbi të gjitha krijues origjinal me një botë të pasur krijuese, meditative.
Libri i tij, “Dialogë të të vdekurve të pavdekshëm”, i botuar në një format i vogël, me vetëm 50 faqe, është një paraqitje sintetike e ndërlidhjes së të veçantave në të përgjithshmen, me një strukturë dhe narracion të begatshëm të kumtimit letrar artistik, larg mostrave skematike, përshkimeve të gjata, larg kufizimeve të zhanreve statike.
Në veprën e tij të ndërtuar me një imagjinatë kreative, krijuese, Sabit Jaha ka arritur të sintetizojë metamorfozat, ka arritur që dialogun e thjeshtë ditor, ta vë në funksion të një ligjërimi që flet pak e nënkupton shumë, pasi ai kësaj radhe ka kursyer fjalët e shumta, për t i dhënë hapësirë nënkuptimit nga lexuesit, pasi ata tashmë dinë shumëçka për jetën dhe veprat heroike, të Jusuf Gërvallës, Kadri Zekës dhe Bardhosh Gërvallës andaj mjafton nga një biografi i shkurtë për së cilin, një rikthim në kujtesë.
Në dialogun inventiv të tre të heronjve të përjetshëm: Jusuf Gërvalla, Kadri Zeka e Bardhosh Gërvalla, ai ka ndërtuar “Godinën” madhështore të përjetësisë, të pavdekësisë së tyre virtuale, duke i paraqitur si “kujdestarë të përhershëm” që bëjnë roje mbi Atdheun, që prijnë në bashkë-rrugëtimin e tyre, duke shprehur lavde për të arriturat në Atdhe por edhe duke qortuar për lëshimet e përçarjet…
Mini-drama poetike: “Dialogë të të vdekurve të pavdekshëm”, është e veçantë në mënyrën se si autori iu ka qasur ndërtimit struktural, përmbajtjes kohezive, prosedeut bashkëkohor në kumtimin poetik, sintetik, duke u kursyer nga klishetë, përsëritjet, përshkimet melodramatike, por duke vërë në spikamë bërthamën, mesazhin e heronjve, nëpër kohë, sepse si të pavdekshëm që janë, ata janë prore të pranishëm, rojtarë të përjetshëm të atdheut.
Ky diskurs krijues i Sabit Jahës është mbëltim i imagjinatës kreative, e cila depërton papengueshëm në botën krijuese të autorit, që ndihet shumë i sigurt në atë që shkruan, pasi në radhë të parë disponon talentin, arsimimin e tani edhe përvojën e gjatë krijuese.
Është për çdo lavd edhe ana praktike e botimit të këtij libri të vogël në dukje për nga sasia e faqeve, pasi është njëlloj karremi për lexuesin e pangeshëm, i cili e merr në dorë me qëllim për ta lexuar në çast, ndërsa i nxjerrë punë studiuesit e recensuesit, sepse autori me qëllim ka lënë shumëçka pezull, për t’u nënkuptuar e vetëkuptuar…
Libri është i formatit të vogël, ka vetëm 62 faqe, shtypi SAS, në Prishtinë.