Në moshën 89-vjeçare ka vdekur dhe është varrosur, në Prekaz, veprimtari dhe i burgosuri politik i viteve 50-të, 60-të, Bislim Tahir Bislimi. Ai i përket gjeneratës së veprimtarëve të Adem Demaçit, Ali Aliut, Metush Krasniqit e veprimtarëve të tjerë të njohur të kohës, të cilët kishin vazhduar luftën, që e kishte filluar NDSH-ja por kishin vepruar në kushte dhe rrethana të reja. Pas një veprimtarie në konsolidimin e grupeve ilegale, në vitin 1959 grupi i tij ishte zbuluar nga UDB-ja dhe pas procesit gjyqësor, Bislimi ishte dënuar gjashtë vjet burg. Prej një vit e gjysmë e deri në pesë vjet burg ishin dënuar: Adem Alia, Sherif Muslia, Beqir Meha, më vonë dëshmor i UÇK-së, Ramadan Zeneli dhe Istref Hasani. Bislim Tahir Bislimi do të mbetet në kujtesë si burrë i pathyeshëm, i pa kompromis në mbrojtjen e bindjeve të tij atdhetare, hokatar dhe kritik i papërmbajtur kundër padrejtësive shoqërore. (RKL)