Organizata Ndërkombëtare për Migracionin e OKB-së ka njoftuar se prej fillimit të luftimeve në Ukrainë, afër dy muaj më parë e deri tani, mbi 7 milionë civilë janë zhvendosur brenda Ukrainës. Në deklaratën e lëshuar nga Zyra e Komisionerit të Lartë të OKB-së për të Drejtat e Njeriut raportohet se të paktën 1 mijë 932 civilë kanë humbur jetën dhe 2 mijë e 589 janë plagosur. Në deklaratë theksohet se numri i civilëve të vdekur dhe të plagosur mund të jetë shumë më i madh se sa ai i konfirmuar. Shumica e viktimave civile janë shkaktuar nga përdorimi i armëve shpërthyese me një sipërfaqe të gjerë ndikimi, duke përfshirë bombardimet dhe sulmet ajrore me artileri të rëndë dhe sistemet e raketahedhësve shumëgrykësh. Në lidhje me viktimat civile në Ukrainë, OKB-ja publikon vetëm shifrat që ajo mund t’i konfirmojë. Sipas autoriteteve ukrainase, numri i civilëve që kanë humbur jetën në luftë është shumë më i madh se shifrat e publikuara. Nga ana tjetër Prokuroria e Përgjithshme e Ukrainës ka deklaruar se që nga 24 shkurti, kur Rusia filloi sulmet, e deri më sot kanë humbur jetën 197 fëmijë dhe janë plagosur 351 fëmijë të tjerë.
Kontrolloni gjithashtu
Albin Kurti, në një intervistë për median zvicerane “NZZ”, thotë se Perëndimi po tregohet ‘shumë naiv’ me Beogradin zyrtar
Albin Kurti, në një intervistë për median zvicerane “NZZ”, thotë se Perëndimi po tregohet ‘shumë naiv’me …