( Përurimi i librit “Feniksët e lirisë-13, më 14 maj 2011, në Prishtinë)
Me ftesë të “Redaksisë Dëshmorët e UÇK-së” dhe drejtorisë së Radios-Kosova e lirë, ka qëndruar për një vizitë treditore në Kosovë, z. Alfredo Bider nga Biella e Italisë, vëlla i dëshmorit, Françesko Bider, pjesëtar i UÇK-së, i cili ka rënë në Frontin e Kosharës, më 7 maj të vitit 1999.
Alfredo Bider ka arritur në Prishtinë, më 14 maj 2011 së bashku me Valdet Hotin, ish pjesëtar i UÇK-së dhe anëtar i stafit të Radios-Kosova e Lirë gjatë luftës, i cili aktualisht është i zënë me punë në Itali.
Po atë ditë, në orën 16. z Bider ka marrë pjesë në përurimin e monografisë, “Feniksët e lirisë-13”, në Amfiteatrin e Bibliotekës Kombëtare dhe Universitar të Prishtinës. Prania e tij u prit me shumë respekt nga organizatorët e përurimit të librit dhe nga të gjithë familjarët e dëshmorëve të pranishëm në ditën e përurimit të librit.
Në fjalën e tij para të pjesëmarrësve, ai falënderoi organizatorët dhe të pranishmit për pritjen e ngrohtë e vëllazërore, si dhe për respektin që populli i Kosovës ka treguar për familjen e dëshmorit Françekso dhe të gjithë dëshmorëve, duke shtuar se ndihet krenar për aktin e vëllait, i cili ia fali jetën çlirimit të Kosovës nga kthetrat e robërisë shekullore.
“Ndihem i emocionuar me këtë mikëpritje tejet miqësore dhe këtë organizim të jashtëzakonshëm, me rastin e kësaj ngjarjeje kulturore me rastin e daljes në dritë të këtij libri, ku i keni përjetësuar me shkrim veprat e dëshmorëve, ka thënë ai mes tjerash.
Më këtë rast, Alfredo Bider i ka dhuruar Radios-Kosova e lirë një gravurë të sajuar me një kombinim elementesh arkaike e bashkëkohore ku janë segmentuar motive të ndryshme dhe dy figura, ajo e Komandantit, të Brigadës 138 të UÇK-së Agim Ramadani dhe figura e dëshmorit nga Italia, Françesko Bider.
Pas përurimit të librit “Feniksët e lirisë-13” Bider është përshëndetur dhe ka biseduar me kryeredaktorin e librit, z. Nezir Myrtaj, pastaj me anëtarin e Redaksisë, Sabahajdin Cena, bashkëpunëtorin e Redaksisë, Zenun Gjoci dhe me familjarë të shumtë të dëshmorëve.
Ndërkohë së bashku me z Alfredo, Valdet Hotin dhe në përcjellje me veturë të Zamir Qeriqit, keni shkuar për të pushuar në Parkun e Gërmisë ku kemi qëndruar dhe kemi biseduar gjerë e gjatë. Afredo nuk i përmbante dot emocionet, duke parë se Kosova tashmë ishte rindërtuar nga shkatërrimet që ia kishte sjellë lufta në të gjitha segmentet.
Në restorantin “Freskia” kemi takuar, Lulëzim Jasharin, djalin e komandantit Adem Jashari, i cili i uroi mirëseardhje, z Bider në Kosovë.
Në mbrëmje kemi shkuar për të pushuar në “Motel Beni”, në Gazimestan, afër Prishtinës ku Bider është akomoduar gjatë tri ditëve të qëndrimit në Kosovë.
Për habinë time, ai është një njohës i mirë i historisë së Kosovës, madje edhe i disa çështjeve të diskutueshme historike, sikur janë pretendimet serbe lidhur me Luftën e Kosovës të vitit 1389, duke anashkaluar pjesëmarrësen vendimtare të shqiptarëve në këtë luftë dhe çështje të tjera të diskutueshme.
Meqë flet shpejt edhe pse rrjedhshëm më ndodh që të mos e kuptoj në tërësi dhe për ndihmë i drejtohem Valdet Hotit, i cili e flet bukur dhe rrjedhshëm gjuhën italiane. Valdeti i cili ka ardhur nergut për ta shoqëruar Alfredon gjatë tri ditëve do të jetë së bashku me ne gjatë vizitave që kemi planifikuar të bëjmë në Drenicë dhe në Dukagjin. Rreth orës 22.00 unë, Valdeti dhe Zamiri i urojmë natën e mirë, vëllait të dëshmorit nga Italia, Alfredi Bider, për të cilin do të përkujdeset pronari i restorantit, z Bejtush Selaci.
Natën vonë Valdetin e kemi dërguar me xhipin e Radios në shtëpinë e tij në Carrallukë, ndërkohë që me Zamirin, jemi kthyer në Shtime rreth orës 23.00.
Edhe pse ndihem i lodhur, më ka emocionuar takimi me z Alfredo, i cili reflekton një miqësi të përzemërt dhe me të cilin kemi filluar komunikimin dy vjet më parë përmes internetit. Ai më ka dërguar shumë të dhëna biografike për dëshmorin Bider, madje më ka dërguar përmes postes edhe dy ekzemplarë të librit “La mimosa”, të botuar në Biella, në vitin 2006 ku janë përfshirë, disa rrëfime dhe poezi të dëshmorit, Françesko Bider.
Gjatë komunikimit me z Bider, kam mësuar se babai i tij, Gjuzepe Bider nuk e merr pensionin nga Qeveria e Kosovës. Ndërkohë kam kontaktuar organet kompetente në Prishtinë dhe ata më kanë bërë me dije se babai i dëshmorit e gëzon të drejtën e pensionit. Pas një angazhimi këmbëngulës që ka zgjatur gati një vit, për shkak të sjelljeve burokratike dhe definimit jo të qartë të çështjes rreth tre dëshmorëve internacionalistë që kanë rënë në Luftën e Kosharës, me interesimin e pakursyer të zyrtarit, Bajram Pajazit, u mor vendimi për të drejtën e pensionit për babanë e dëshmorit.
Ky vendim u mor më 1 tetor 2010. Vendimi parasheh që pensioni mujor dedikuar babait të dëshmorit, të derdhet në Reiffeissen Bank, me të drejtë të tërheqjes së parave nga babai i dëshmorit, apo nga personi të cilin e autorizon ai. Duke qenë se për shkaqe shëndetësore dhe moshës 80-vjeçare ai nuk mund të vinte për të tërhequr paratë, kërkova të më autorizonte në mënyrë që shërbimet e dërgimit të parave të i kryeja unë.
Edhe pse kam kompletuar të gjitha dokumentet e kërkuara nga banka, të hollat nuk kam arritur t’i tërheq me arsyetime krejt të paqëndrueshme të zyrtarëve të bankës, e cila nuk merr parasysh faktin se babai i dëshmorit, Gjuzepe Bider nuk vjen dot nga Italia për të tërhequr paratë.
Meqë, ndërkohë kishim ftuar z. Alfredo për vizitë në Kosovë, i kemi bërë me dije të marrë autorizimin nga babai, për t i tërhequr paratë… Shpresojmë që ditën e hënë, Alfredoja të kryejë punë.
E diel 15 maj 2011, te Varrezat e Dëshmorëve në Koshare
Në orën 8.00 së bashku me Zamirin, jemi nisur me xhip për të shkuar në Mazgit, te Hotel Beni ku ka kaluan natën mysafiri i Redaksisë dhe i Radios, Alfredo Bider. Ndërkohë, presim të na bashkohet edhe Zenun Gjoci, i cili ka shprehur dëshirë të na shoqërojë edhe për faktin se ai e njeh mirë terrenin në Koshare, kur kemi vendosur të bëjmë një vizitë te Varrezat e Dëshmorëve, atje ku ndodhet edhe varri i dëshmorit Françesko Bider së bashku me 120 dëshmorët të tjerë, të rënë gjatë luftës në këtë pikë të frontit të UÇK-së.
Alfredoja na ka pritur në oborrin e Motelit. Ndihet i disponuar edhe për faktin se kemi arritur me kohë. Përballë hotelit ndodhet një xhami dhe ai në mëngjes ka dëgjuar ezanin. Interesohet të dijë kuptimin e fjalëve dhe unë ia shpjegoj ngadalë në një italishte të cilën përgjithësisht e kuptoj mirë por e flas me vështirësi.
Në orën 9 vjen edhe Zenun Gjoci, me të cilin kemi punuar së bashku në Akademinë Pedagogjike të Prishtinës në vitet ’70 dhe më vonë jemi dënuar së bashku për vepra penale kundër regjimit jugosllav. Me Zenun Gjocin kam mbajtur kontakte të vazhdueshme, ndërsa gjatë luftës kam njohur kushëririn e tij, luftëtarin e paepur të luftës së UÇK-së, Agush Gjoci, tani dëshmor i kombit.
Rreth orës 10.00 kemi arritur në Carrallukë te Valdet Hoti. Zamiri është kthyer me xhip, meqë ka punë në Prishtinë, ndërsa ne do të qëndrojmë pak kohë te Valdeti dhe pastaj ai me veturën e tij do të na shoqërojë gjatë tërë ditës.
Alfredos i bën përshtypje të veçantë mikëpritja vëllazërore, edhe pse hetohet se ai po ashtu është shumë mirëpritës dhe i dashur me të gjithë. Atë e ka përshëndetur vëllai i Valdetit, Safeti, më i moshuari nga vëllezërit, pastaj nëna e Valdetit, bashkëshortja dhe bijtë e bijat e Valit.
Pasi jemi nisur në drejtim të Dukagjinit kam marrë në telefon Salih Lajçin, nga Peja një shok të burgut dhe epror i UÇK-së. Ai më ka treguar se nuk mund të na përcjellë, meqë ditë më parë i ka vdekur xhaxhai dhe ndodhet në pritje të miqve për ngushëllime. Megjithatë, Saliu është përkujdesur dhe ka caktuar tre bashkëluftëtarë për të na shoqëruar deri në Koshare. Na ka dhënë numrin e telefonit të Emërim Lajçit, me të cilin kemi vendosur kontakt dhe jemi takuar në hyrje të Pejës. Së bashku me Emërimin, ndodhet edhe Fanoli e Bekimi. Nolin e kam njohur dhe jemi takuar edhe më parë.
Meqë Alfredoja kishte shprehur dëshirë të blinte një kapelë të bardhë shqiptare, kemi hyrë në qytet dhe jemi ndaluar te një shitore. Pasi kemi blerë kapelën dhe një relikt të UÇK-së, jemi nisur në drejtim të Deçanit.
Me dy veturat, jemi nisur në drejtim të Deçanit. Zenuni na flet për vendin, fshatrat, masakrat serbe, sidomos në Lybeniq, ndërkohë që propozon të shkojmë edhe në vend-stacionimin e forcave italiane të KFOR-it. Alfredoja nuk e ka ndërmend të lajmërohet në këtë bazë ushtarake ku edhe ashtu është i ndalura komunikimi me civilë.
Ndërkohë, kemi ndaluar në … meqë Zenuni ka propozuar të drekojmë në një gjellëtore të kushëririt të tij, Rizahut i cili na pret me dashamirësi.
Dëfrim Lajçi, na bën me dije se në Koshare ndodhet edhe babai i dëshmorit, Pjer Pajar nga Franca, me të cilin TV-Dukagjini po e realizon një emision. Ndërkohë na përshëndet edhe një ish luftëtar, invalid i luftës, pjesëtar i FSK-së, i cili vjen me ne për të na shoqëruar.
Me dy veturat rreth orës 13.00 jemi nisur nga fshati Batushë, jemi nisur rrugës për në Kosharen e mirë njohur të luftës së UÇK-së.
Dita është me diell, ndërsa fryn një puhizë e lehtë e cila valëvit degët e pllajave shekullore të këtij masivi alpin, i cili u bë i njohur sidomos gjatë luftës së fundit, meqë në Koshare ishte vija e fronit, mes forcave çlirimtare të UÇK-së dhe forcave pushtuese e vrastare serbe.
Sapo kemi arritur në Lëndinën e varrezave kemi vërejtur grupe të shumta vizitorësh që kanë ardhur për të vizituar varrezat për përvjetor të rënies së akëcilit dëshmor.
Vendi ku janë varrosur dëshmorët është mes një pllaje të malit në një lëndinë me pak pjerrtësi.
Gjithçka kishte gjallëruar. Një shoqërues yni na shpjegon se takimin e ka organizuar Idriz Bojku, babai i dëshmorit, i cili ka ftuar edhe TV-Dukagjinin për të realizuar një si reportazh ditor.
Fillimisht me propozimin e Fanolit, Emërimit e të tjerëve jemi rreshtuar dhe kemi bërë homazhe te varri i dëshmorit, Françeko Bider. Pas homazhit, Alfredoja ka nxjerrë nga xhepi një gur të vogël që e kishte marrë në vendlindje dhe e ka vendosur te varri, ndërkohë që nga atu ka marrë një guralec, për të cilin na thotë se do ta vendos në vendin ku e ka marrë gurin. Ai na shpjegon këtë simbolikë si lidhje bashkimi vëllazëror mes Kosovës dhe Italisë. Gjesti i Françeskos na prek të gjithëve, ndërsa ai edhe pse bëri përpjekje të përmbahej, sytë iu lëngëzuan, por nuk u dha.
Ish luftëtari, tani major i FSK-së, Sheqer Maloku një djalë gazmor dhe shumë i shoqërueshëm merr rolin e një kustosi dhe organizon defilimin e organizuar te varrezat e dëshmorëve të tjerë. Një homazh kolektiv e kemi bërë edhe te varri i komandantit të Brigadës 138, Agim Ramadani.
Takojmë edhe plakun vital të Francës, Arno Pajar, babanë e dëshmorit, gazetarit dhe luftëtarit të UÇK-së, Pjer Pajar, i cili ka rënë, më 5 maj të vitit 1999 te Rrasa e Kosharës, disa qindra metra më lart. Plaku Arno Pajar ndodhet me bashkëshorten e tij i shoqëruar nga Idriz Bojku, i cili ka përgatitur gjithçka për këtë ditë. Në një vend është vendosur skara, ku piqet i freskët dhe i bollshëm për një “batalion ish luftëtarësh”, pastaj përballë piqen fli dhe miqtë gostiten me mish, fli, salsiçe, djathë e artikuj të tjerë ushqimorë.
Kosharja është kthyer në një kamping të jashtëzakonshëm. Gjithçka lëviz. Dikush viziton varrezat, bon foto, dikush ushqehet, ish luftëtarët evokojnë kujtime dhe shpeshherë shpërthen e qeshura e gazi, dikush pi birrë, tjetri lëng, ujë, disa fëmijë të ish luftëtarëve lozin në fushën e madhe, ndërsa plaku Arno Pajar është ulur mbi një batanije dhe me bashkëshorten e tij ha peta të flisë, e cila i pëlqen shumë meqë ka ngrënë edhe më parë. Ai ndihet shumë i emocionuar edhe për faktin se takoi, italianin, Alfredo me të cilin merren vesh fare mirë, meqë Alfredoja e flet mirë frëngjishten.
Na mungon familjari i Murad Muhamet Aliut nga Algjeria, për të cilin nuk kemi asnjë të dhënë edhe 12 vjet pas luftës. Kjo tregon një indolencë të shëmtuar të institucioneve tona, ndoshta edhe për faktin se ai ka qenë algjerian dhe ndokush mund të mendojë mos ka qenë muxhahedin. (Mendja servile dhe shpirti eunuk mund të paragjykojë edhe diçka të tillë, por Murad Muhamed Aliu ka derdhur gjak për çlirimin e Kosovës, së cilës nuk i ka pasur asnjë borxh). Ndërkohë, ngrihem nga vendi dhe shkoj për të qëndruar edhe njëherë te varri i tij, i cili më duket çuditërisht i vetmuar. Në pllakën përkujtimore, të cilën e ka vendosur një bashkëluftëtar i tij nga Shkupi, është shkruar një ajet i Kuranit, në gjuhën arabe dhe përkthimi në gjuhën shqipe. Aty thuhet “… nuk vdes kurrë ai që ka luftuar në rrugën e drejtë… Bëj edhe një foto tjetër te varrit të Murad Muhamed Aliut dhe sytë më mbushen lot.
Varrezat në Koshare presin të ndërtohen. Edhe 12 vjet pas luftës ende nuk ka gjurmë se ka filluar diçka serioze në këtë drejtim. Megjithatë është vendosur rrethoja me tela dhe hetohet se dikush përkujdeset sidomos për kurorat, të cilat në shumicë janë nga plastika dhe të krijojnë përshtypjen e freskisë, por… mungon shumëçka që nuk do të duhej të mungonte, meqë në Koshare ka të rënë nga të gjitha vendet e Kosovës, madje edhe nga Italia, Franca dhe Algjeria. Po sot këtu ndodhet edhe një familje nga Llapi. Pjesëtari i kësaj familje ka rënë në Koshare, ashtu sikur edhe komandanti Agim Ramadani me origjinë nga Zhegra e Gjilanit, Abaz Thaçi nga Drenica, Sali Çeku nga Dukagjini, e shumë të tjerë nga shumë vende të Kosovës, të Shqipërisë e të Maqedonisë…
(Agim J Ramadani , Driton G Veliu Sali B Çeku, Sylejman A Shala , A Gj.Gashi, Xhafer H. Lipkovci, Haxhi Sh Kajolli, Adu Ubejde Murat Muhamed Ali, Françesko Xh.Bider, Ali M. Hasli, Abaz J. Thaçi, Xhemal M. Fetahaj, Bashkim R, Jasiqi, Fadil H. Maloku, Ramiz B. Krasniqi, Xhevat Caush Nitaj, Shptim Idriz Bojku, Fisnik B. Saliu, Hafiz H.Thaçi, Hasan N.Beka, Arben S.Jusufi, Afrim B. Selmani, Aziz B.Gashi, Haziz R Tolaj, Ernez I.Zeqiri, Xhemshit Z.Asallni, Xhafer H.Lipovci, Afrim Gj.Gashi, Hamdi B.Sheremeti, Lulzim N.Vesela j, Faik B.Qahiati, Imer I.Kryeziu, Gazmend Z.Berisha, Arsim R.Rexhepi, Flurim M. Baliqi, Bejt A. Kodomaqaj, Emin N. Kryeziu, Sinan S.Thaçi, Shaban T.Hajzeraj, Bekim L.Thaçi, Gezim S.Sahiti, Rifat S.Celaj, Ilir A.Hoxha, Zeqirja M.Dardhishta, Zeki Xh.Shylejma, Gezim H.Morina,Milazim S.Mavraj, Tafil V.Osmani, Ramush J. Shatrolli, Ali A. Ivaja, Urim G.Mehmeti, Naim Sh. Orllati, Izet Zeqiraj, Muharrem F Mehemeti, Nikoll M.Dodaj, Fatos Shefqet Limani, Loenard Dedë Palucaj, A.Mekaj, Milazim Q.Shala, Fatmir H.Kerqeli,Ramadan G.Salihi, Jonuz M.Krasniqi, Nazmi M.Buduri, Sokol Ganijali, Luan R.Gashi, Pajard Arnaut Pierre, Nazmi Lushaj, Safet Y. Gjinovci, Fitush Kukaj, Burim A. Griçevci, Fatos M. Ademaj, Hasan Z. Qerkini,Besim S. Rexhepi.)
Tubimi zien nga bisedat e bashkëluftëtarëve të gjallë të dëshmorëve. Birrat që kanë pirë dhe mishin që hanë, i ka disponuar, andaj nuk mungojnë as shumë shaka të ndryshme dhe shpeshherë shpërthejnë të qeshura, që jehojnë në pllajat e larta të lisave shekullorë.
Alfredoja, komunikon me të gjithë. Afër vetes ka Valdetin i cili i përkthen, por mjaft prej të pranishmëve dinë deri diku edhe italisht e frëngjisht, sa për komunikim fillestar. Ai ndihet tejet i ngazëlluar me organizimin dhe nuk e merr dot me mend si ndodh tërë ky manifestim kaq i jashtëzakonshëm.
Idriz Bojku më rrëfen se disa herë në vit bën organizime të tilla dhe të gjitha shpenzimet e kryen vetë. Është një burrë shpirt gjerë, i cili më në fund edhe tërë kampin e pastron vet dhe nuk kërkon ndihmë nga askush. Flet me të gjithë, ju ofron ushqime, pije. Ai është edhe nikoqir e familjes Pajar, me të cilën njihet qysh moti.
Ndërkohë, Emërim Lajçi dhe Noli më rrëfejnë se kur për herë të parë ka ardhur Arnoja në Koshare, kishte sjellë me vete të palosur mirë një sasi dheu, të cilin e kishte marrë nga kopshti ku ka lozur Pjeri i vogël. Atë dhe e kishte vendosur te varri, nga ku kishte marrë një grusht dhe, për ta dërguar po në kopsht, kur ishte kthyer ne Francë. Dëgjoj me vëmendje për këtë traditë evropiane, e cila më bën shumë përshtypje të veçantë. Kam dëgjuar nga gjyshi se kështu kishin vepruar më parë familjet e nizamëve, apo të atyre shqiptarëve, që cilët ishin shpërngulur dhunshëm nga Kosova në kohën e dëbimit masiv për në Turqi nga regjimet antishqiptare serb. Ata kishin marrë një sasi dheu, ku kishin mbjellë ndonjë pemë, e cila iu përkujtonte vendlindjen. Të tjerët kishin ruajtur dheun në një vend të caktuar dhe kishin lënë amanet që dheu t’u hidhej mbi varr në ditën e varrimit….
Zenun Gjoci njihet me shumicën e të pranishmëve, meqë i takon kësaj zone. Ai na shpjegon për të kaluarën e fshatit, për jetën e banorëve dhe lëshimin kolektiv të fshatit nga banorët, në kohën e luftës së UÇK-së, meqë ishin rrezikuar nga serbët, të cilët kishin vendosur bazën e tyre ushtarake, me qëllim për të parandaluar depërtimin e luftëtarëve të lirisë, të cilët në verë të vitit 1998 kishin krijuar një korridor të gjerë nga ku ushtarët e UÇK-së sillnin armë e municion nga Shqipëria…
Në fshatin Koshare tashmë nuk ka asnjë banor, përveç vizitorëve të shpeshtë që vinë për të vendosur kurora lulesh në ditë lindjet apo ditë rëniet e dëshmorëve, dhe pranisë së barinjve gjithnjë e më të rrallë, që kullosin bagëtinë në këto livadhe plot me bar e ujë të pastër.
Rreth orës 16.00 Emërimi dhe Noli na bëjnë me dije se Salih Lajçi na pret për një vizitë në Pejë, me ç rast do t i shprehim edhe ngushëllime për vdekjen e xhaxhait.
Alfredoja ndihet jashtëzakonisht i emocionuar. Ai thotë se ka ngrënë fli e mish për katër ditë, meqë e kishte vështirë të mos e merrte nga ata që ia afronin.
Përshëndetemi me të gjithë miqësisht e vëllazërisht dhe nisemi për në Pejë.
Salih Lajçin e njoh qysh nga koha e burgut. Kemi qëndruan në të njëjtin burg në Suboticë dhe në Novi Sad në vitet 1984- 1987. Saliu, së bashku me vëllezër dhe të afërm ka mobilizuar luftëtarët e Rugovës ku edhe ka themeluar Brigadën e kësaj ane. Gjatë luftës ka rënë dëshmor, vëllai i tij, Selman Lajçi, pastaj kushëriri Besnik Lajçi e shumë të tjerë.
Pas luftës ka qenë oficer i TMK-së, dhe tani është këshilltar në Asamblenë komunale të Pejës.
Ai na pret përzemërsisht, ndërkohë që Alfredoja, unë, Zenuni dhe Valdeti i shprehim ngushëllime. Bisedojmë përzemërsisht, dhe luftëtari i lirisë, Emërim, një burrë tërë emocione dhe shumë komunikativ na ofron që natën ta kalojmë, në Pejë. Propozimin e tij e mbështesin edhe Saliu dhe Noli, por ne kemi vendosur të kthehemi dhe pa vonuar nisemi në rrugën Pejë-Prishtinë. Noli, oficer në FSK, pas disa ditësh udhëton për një trajnim në Amerikë. Përshëndetemi vëllazërisht dhe ndahemi me shpresë së do të shihemi e do të
Gjatë kthimit nga Peja kemi shkuar për vizitë edhe në Shtëpinë-Muze të Radios-Kosova e lirë. Alfredoja ka mjaft informacione për Radion, meqë vazhdimisht e shfleton faqen e Radios në Internet dhe ka parë fotot e luftës në Berishë. Sapo kemi zbritur u ndeshëm me një erë të fuqishme, e cila na ndalonte edhe hapin. Kemi bërë disa foto para Stemës së UÇK-së dhe jemi futur në dhomën e muzeut ku Alfredoja ka parë teknikën e transmetimit gjatë luftës. Riza Berisha, më tregon se gjatë ditëve të fundit ka pasur shumë vizitorë në Muze.
Në orët e mbrëmjes, pasi dërgojmë Zenun Gjocin në Vushtrri, Alfredon e lëmë në Motel Beni, ndërsa Valdeti dhe unë drejtohemi drejt shtëpive tona. Me Valin vij deri në Prishtinë ku më pret Zamiri.
E hënë 16. 5. 2011
Zamiri ka shkruar herët në Mazgit dhe është kthyer së bashku me Alfredon. Kemi pritur pak kohë derisa ka ardhur edhe Valdeti. Pa vonuar Vali, Jeton Syla dhe Alfredo kanë shkuar në selinë qendrore të Raiffajssen Bank, me qëllim për të tërhequr të hollat nga pensioni në adresë të Gjyzepe Biderit, babait të dëshmorit, Françesko Bider. Edhe pse Alfredo ka sjellë autorizimin nga babai dhe të gjitha dokumentet e kompletuara, Banka nuk ia ka akorduar pensionin prej tetorit të vitit të kaluar me arsyetim se autorizimi nuk ofron dëshmi të mjaftueshme për personin të cilit i dedikohet pensioni. Gjyzepe Bider është 80 vjeçar dhe aktualisht shëndeti i tij e pamundëson ardhjen në Prishtinë për ta tërhequr pensionin. Ky është “interesimi” i institucioneve të Kosovës për familjet e atyre, që kanë derdhur gjak për çlirimin e vendit tonë, edhe pse këta tre internacionalistët nuk i kanë pasur asnjë borxh Kosovës, as kanë qenë mercenarë, as agjentë të huaj, por thjesht idealistë dhe internacionalistë ashtu si Xhemal Kada, Asim Vokshi e shumë shqiptarë të tjerë, që kanë rënë në luftë kundër fashizmit të Frankos në Spanjë, në vitin 1938.
Ndihem shumë keq, ndërsa një shqetësim jo edhe aq të hutueshëm e vërej edhe te Alfredoja, i cili nuk i jep shumë rëndësi këtij fakti, meqë beson se një ditë do të rregullohen letrat. Banka i ka dhënë një letër speciale, të cilën duhet ta vërtetojë në Biella dhe pastaj, sërish unë duhet të tërheq të hollat dhe përnjëherë t ia dërgoj atij.
Një punë shumë e ngatërruar dhe një shprehje mosbesimi të egër nga zyrtarët e bankës. Fajin kryesor e ka Ministria e Punës e cila nuk e ka shqyrtuar fare këtë problematikë. Mendoj se në ministri as edhe e dinë këtë problem.
Për dallim nga dje, sot kemi një ditë me shi dhe me ulje të temperaturave.
Pasi kemi ngrënë bukë në një restorant në Prishtinë, Vali Alfredoja dhe unë jemi nisur për në Prekaz, ku mendojmë ta vizitojmë kompleksin “Adem Jashari”. Ndërkohë kam lajmëruar Murat Musliun që të na pres në Skënderaj. Përmes telefonit kam kontaktuar edhe me Sabahajdin Cenën, i cili me veturën e tij ka ardhur në Prekaz dhe na ka shoqëruar.
Gjatë rrugës nëpër Drenicë, Alfredon e kam njoftuar me të kaluarën e këtij rajoni kryengritës së Kosovës dhe veçmas me luftën e UÇK-së. Fillimisht kemi ndaluar te Obelisku në Marinë, ku në një pllakë të madhe masive prej mermeri janë skalitur emrat e mbiemrat e të gjithë dëshmorëve të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Edhe pse bën ftohtë dhe të gjithë jemi të veshur hollë, kemi vizituar këtë kompleks ende të papërfunduar, ndërsa Alfredoja ka gjetur emrin e vëllait, ku ka marrë disa fotografi me aparatin e tij.
Meqë kishte filluar të binte shi, pasi kemi qëndruar pak në Sheshin “Adem Jashari” ku edhe jemi fotografuar, jemi futur në një lokal dhe kemi pritur Murat Musliun, ish i burgosur politik i vitit 1981, veprimtar i KMDLNJ-së dhe gazetar e reporter i luftës. Duke qenë se gjatë vizitës në Kosovë e kam njoftuar me disa nga ish të burgosurit, Alfredoja ka krijuar bindjen se të gjithë intelektualët shqiptarë kanë kaluar nëpër burgje. Shiu nuk pushonte. Dolëm nga lokali dhe shkuam në Kompleksin Memorial “Adem Jashari”, ku shumica e punimeve janë kryer, por ka mbetur ende shumë për t u bërë.
Alfredoja ndihet i emocionuar dhe i pasionuar. Atë e shoqëron Vali i cili përgjigjet në pyetjet e tij të panumërta.
Atje takuam edhe kustosin e Kompleksit Rifat Bejtën.
Pas një qëndrimit rreth një orë në Prekaz, jemi përshëndetur me Sabahajdin Cenën e Rifat Bejtën, ndërkohë që Vali Alfredoja dhe unë jemi nisur për në Prishtinë.
Gjatë rrugës kemi ndaluar te Hotel Aviano, ku kemi qëndruar rreth dy orë dhe ku kemi biseduar për shumë çështje me Alfredon, i cili ka natyrë hulumtuese dhe tregohet i etur për të marrë përgjigje në çdo pyetje sidomos rreth së kaluarës. Ai ka informacione edhe nga opinioni serb për Kosovën, edhe pse i beson fuqishëm opinionit tonë, të cilin madje edhe e mbështet me fakte që ka lexuar e ka dëgjuar.
Për dallim nga vizita në Koshare, kur na mori edhe moti i mirë, vizita në Drenicë nuk pati aq shumë sukses, meqë shiu na kufizoi lëvizjet.
Në mbrëmje, kemi arritur në Motel Beni ku kemi ngrënë darkë dhe rreth orës 21.00
E martë 16. 5 2011
Takimin e fundit me Alfredon e bëmë në lokalet e Radios-Kosova e lirë, ku gjatë këtyre tri katër ditëve kemi kthyer kohë pas kohe. Fillimisht Zamiri ka vajtur me xhip te Motel Beni dhe e ka sjellë Alfredon në lokalet e Radios. Kemi pirë nga një kafe, ndërkohë që Alfredoja ka shprehur falënderim për mikëpritjen. Pa humbur kohë, kemi përshëndetur me Alfredon, të cilit ia kam dhuruar disa libra dhe dy dhurata modeste një për babanë e tij Gjuzepen dhe një për bijën e tij.
Në Aeroportin “Adem Jashari” Alfredo është takuar me Valdet Hotin dhe kanë fluturuar me aeroplan për në Itali.