Radio-Kosova e Lirë, vazhdon të vizitohet e të mbështetet moralisht nga shumë veprimtarë, sidomos nga ish të burgosur politikë, nga invalidë e veteranë të luftës së UÇK-së, veçmas nga familjarët e dëshmorëve e të martirëve të kombit. Sot qëndruan për një vizitë veprimtarët: Mehmet Bislimi dhe Mujë Gashi. Ata biseduan me drejtorin e Radios-Kosova e Lirë, Ahmet Qeriqi. Ai i njoftoi shkurtimisht me punën dhe aktivitetin e Radios, e cila ka hyrë në vitin e 24-të të transmetimit të programit, duke filluar nga 4 janari i vitit 1999.
Mehmet Bislimi shfaqi interesim lidhur me sektorin e botimit të veprave, pasi Radio-Kosova e Lirë deri tani ka botuar shumë vepra nga fondi vet informativ, historik, vepra autoriale të stafit të Radios por edhe të shkrimtarëve e poetëve nga Kosova e më gjerë.
Veprimtari dhe ish i burgosuri politik i viteve 80-të, Mujë Gashi solli në kujtesë aktivitetin e dy vëllezërve të tij, martirë të lirisë: Adem Avdyl Gashi dhe Xhafer Avdyl Gashi të cilët kanë rënë me 30 prill të vitit 1999, në Vërboc të Drenicës, në ditën kur ka rënë edhe Komandanti i Brigadës 114, Ilaz Kodra.