leoni

Vdiq Nijazi Straja, ish-i burgosuri politik, atdhetari dhe bashkëveprimtari i Adem Demaçit!

Avni Dehari: Vdiq Nijazi Straja, ish-i burgosuri politik, atdhetari dhe bashkëveprimtari i Adem Demaçit!

Morëm lajmin e hidhur se ish-i burgosuri politik, bashkëveprimtar i Adem Demaçit, i dëbuar nga Kosova për në Turqi, Nijazi Straja, në moshën 89-vjeçare, paska ndërruar jetë në Stamboll.

Nijazi Straja ka lindur më 18 nëntor të vitit 1933 në Prishtinë. Shkollën fillore në gjuhën shqipe e ka mbaruar në shkollën “Elena Gjika”, ndërsa Gjimnazin Real e ka mbaruar në vitin 1954. Në vitin 1957, për shkak të qëndrimit atdhetar, organet e pushtetit jugosllav e kanë përjashtuar nga shkolla fillore “Emin Duraku” të Prishtinës, ku ushtronte detyrën e mësuesit.

Si pasojë e dhunës së pushtetit jugosllav mbi shqiptarët, më 7 nëntor të vitit 1958, si shumë shqiptarë të tjerë, edhe Nijazi Straja, me gjithë anëtarët e familjes shtrëngohet të marrë rrugën e shpërnguljes për në Turqi.

Edhe pse jetonte në dhe të huaj Nijazi Straja asnjëherë nuk pushoi të punojë për çlirimin dhe për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Në vitin 1964, tok me të vëllanë Tefikun, u antarësua në organizatën LRBSH, që udhëhiqej nga Adem Demaçi. Më 23 qershor të po këtij viti u arrestua nga UDB-ja në Prishtinë, ku kishte ardhur ta merrte Statutin dhe Programin e organizatës. Për këtë aktivitet patriotik u dënua me 9 vjet burg të rëndë dhe u dërgua ta vuante dënimin në burgun famëkeq të Mitrovicës së Sremit.

Në vitin 1968, pas amnistisë së grupit të LRBSH-së, edhe Nijaziu u lirua nga burgu. Ende pa u çmallur me anëtarët e fisit dhe me miq e shokë, që i kishte gjithandej, UDB-ja jugosllave e urdhëroi që për 24 orë të largohej nga Jugosllavia.

Organet jugosllave ia pamundësuan fizikisht të qëndronte në Kosovë, por kurrë nuk mundën t’ia pamundësonin që me shpirt e me zemër të jetonte dhe të punonte për Kosovën.

Në vitin 2019 iu rinjoh shtetësia e Kosovës. Po në këtë vit në Prishtinë botoi romanin me elemente autobiografike “Rrathët e ferrit”.

Nijazi Straja është autor edhe i disa shkrimeve të pabotuara, në të cilat, si në romanin “Rrathët e ferrit”, paraqiten vuajtjet e tij dhe të popullit shqiptar nën pushtimin Jugosllav dhe në Turqi.

Viteve të fundit, për ta shuar mallin e vendlindjes disa herë ka ardhur në Kosovë. Dëshira e tij e më e madhe dhe e pashuar, gjatë gjithë kohës, ka qenë ta kalonte pleqërinë në Kosovë dhe të vdiste në vendlindje.

Në moshën 89-vjeçare Nijazi Straja u nda nga kjo jetë me mallin e prushtë për Kosovën dhe me dëshirën e paplotësuar që eshtrat t’i pushojnë në Atdhe.

Nijazi Straja ka lënë në Stamboll bashkëshorten, Nadimen, djalin Arbënin, dhe vajzat Arjetën dhe Ajdanen.

Bashkëshortes, anëtarëve të tjerë të familjes, mbarë farefisit të tij, miqve e shokëve që ka, në emrin tim dhe në emër të miqve ngado që janë, u shpreh ngushëllimet më të thella e më të çiltra për ndarjen nga jeta të këtij atdhetari të madh.

Lavdi jetës dhe veprës së Nijazi Strajës!

I përjetshëm qoftë kujtimi për jetën dhe për veprën e Nijazi Strajës!

Kontrolloni gjithashtu

Pleurat Sejdiu: Për katër pesë vjet rreth mbi 550 ekipe mjekësore janë larguar prej Kosovës

Pleurat Sejdiu: Kosova ende pa një sistem shëndetësor funksional për shkak të moszbatimit të ligjeve

Kryetari i Odës së Mjekëve të Kosovës, Pleurat Sejdiu, ka shprehur shqetësimin për mungesën e …