I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun, Mirosllav Lajçak, tha se sot, më 20 prill, është mbajtur takimi i fundit i grupeve punuese të Kosovës dhe Serbisë, lidhur me çështjen e targave. Sipas tij, u takon kryenegociatorëve të të dyja shteteve të arrijnë një marrëveshje për këtë çështje, gjatë takimit të tyre më 21 prill. “Sot, ekspertët nga Kosova dhe Serbia u takuan për herë të fundit në kuadër të grupit punues për targat e makinave, para afatit të fundit të 21 prillit. Me punën e tyre, ata kanë përgatitur diskutimet e kryenegociatorëve, që do të mbahen nesër. Tani, u takon kryenegociatorëve që të arrijnë një marrëveshje për të lëvizur përpara”, ka shkruar Lajçak në postimin e tij.