PDK

PDK paditë anëtarët e Bordit të ZRRE-së: Nuk do të lejojmë plaçkitjen e 350 mijë familjeve të Kosovës

Partia Demokratike e Kosovës ka dorëzuar Kallëzim Penal për anëtarët e Bordit të ZRRE-së, në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, për mos zbatim të aktvendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, për pezullimin e zbatimit të vendimit për shtrenjtimin energjisë për qytetarët e Republikës së Kosovës. Sekretari i Përgjithshëm i PDK-së, Bajrush Xhemajli në një konferencë për media pas dorëzimit të padisë tha se ZRRE, përkundër detyrimit ligjor për të zbatuar vendimin e gjykatës, dezinformoi opinionin publik, se gjoja ky vendim nuk mund të zbatohet pasi ata do të ankohen në Gjykatën e Apelit. “Në cilësi të Sekretarit të Përgjithshëm të PDK-së, së bashku me përfaqësuesin e autorizuar, Avokatin Faton Fetahu, duke vepruar në emër të Partisë Demokratike të Kosovës, parashtruam Kallëzimin Penal kundër Bordit të Zyrës për Rregullatorin e Energjisë, i cili nga data 8 prill i këtij muaji, dështoi të zbatojë Aktvendimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës, i cili pezulloi vendimin për shtrenjtimin e energjisë elektrike deri në përfundim të procesit gjyqësor në Padinë e PDK-së, të cilën e kemi bërë kundër vendimit të ZRRE-së.

Pasi ZRRE mori vendim në fillim të muajit shkurt për shtrenjtimin e energjisë elektrike, PDK duke vepruar në mbrojtje të interesit të qytetarëve të Kosovës, konsumatorëve familjarë të energjisë elektrike, ka parashtruar Padi për shfuqizimin e vendimit të ZRRE-së. Dhe krahas kësaj padie, ne kemi bërë edhe kërkesë për shtyrjen përkatësisht pezullimin e vendimit të ZRRE-së, deri në shqyrtimin dhe vendosjen meritore të Padisë, me qëllimin që të evitohen pasojat e mëdha dhe humbjet që ky vendim po u shkakton qytetarëve tanë.”, tha Xhemajli. Përkundër që PDK ka bërë thirrje publike për zbatimin e këtij vendimi të gjykatës, ZRRE ka vazhduar të faturojë energjinë me tarifa të shtrenjta deri në 109%, duke u shkaktuar dëme financiare 350 mijë familjeve të Republikës së Kosovës.

“Krejt kjo paligjësi, po kalon në heshtje nga Kryeministri dhe tërë mazhoranca në Qeveri e Parlament, që tregon se janë në sinkron të plotë me ZRRE-në. Bordi i ZRRE, ka vendosur të veproj mbi ligjin e mbi vendimin gjyqësor, prandaj ne këtë nuk do ta tolerojmë dhe nuk do të ndalemi së kërkuari drejtësi për qytetarët të cilët po plaçkitën. Xhemajli tha se PDK mirëpret fillimin e hetimeve penale ndaj Bordit të ZRRE-së, sepse beson në shtetin ligjor dhe demokratik.

Ndërkaq, Faton Fetahu, avokat i PDK-së tha me këtë rast, nga ky muaj kur qytetarët e Kosovës t’i pranojnë faturat e energjisë me rritje të çmimeve, ata kanë të drejtë ligjore të bëjnë padi indiduale ndaj KESCO-s dhe ZRRE-së, për shkak se sipas tij, ky faturim tanimë është në kundërshtim me vendimin e Gjykatës, rrjedhimisht është pa bazë ligjore.

“Meqenëse operatori i shpërndarjes me udhëzime të anëtarëve të bordit të ZRRE-së nuk e respektuan aktvendimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës, ky kallëzim penal ndaj secilit anëtar të bordit të ZRRE-së do të sjellë pasoja të rënda juridike për ta. Meqenëse ata i kanë konsumuar tashmë 4 vepra penale, baza e të cilave lidhet me mos zbatimit e vendimit gjyqësor dhe ata me dashje dhe me qëllim kanë dëmtuar interesin e qytetarëve, të cilët i ka mbrojtur Gjykata me vendimin e saj”, tha avokati Faton Fetahu.

 

Kontrolloni gjithashtu

Ali Ahmeti uron 22 nëntorin: Deri dje e avansonim, sot duhet ta mbrojmë gjuhën shqipe

Ali Ahmeti uron 22 nëntorin: Deri dje e avansonim, sot duhet ta mbrojmë gjuhën shqipe

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, z. Ali Ahmeti, ka uruar të gjithë shqiptarët për …