RKL: Si u ringjallen e mbijetuan mercenarët informativë të titizmit, në Kosovën e pasluftës dhe si mbijetoi Radio-Kosova e Lirë

Shumica e popullatës shqiptare, në trojet e robëruara,   për më shumë se dyzet vjet ishte e lidhur si  mishi me thoin me Jugosllavinë e Titos, madje edhe pas vdekjes së tij, me moton:  Shoku Tito ne të betohemi, se nga rruga jote (as pas vdekjes)  nuk do të largohemi. Shumë prej tyre edhe sot e mbajnë betimin, por pas luftës së UÇK-së dhe çlirimit të Kosovës, ata  ia kthyen ndryshe, tani sipas motos së njehur të gjysh-stërgjyshërve bizantino lindorë: Haja qenit pija qenit, tash i bimë karadyzenit”. Dhe po i binë kadadyzenit  si më së miri, pa iu hyrë asnjë therë në këmbë, të paktën deri tani… Dhe, realisht, logjikisht nuk mund të ndodhte ndryshme, të paktën jo pa veprim revolucionar,  sepse në luftë për çlirimin e vendit nga robëria serbe, në luftën e UÇK-së,  nuk morën pjesë as  pesë për qind e popullatës vitale shqiptare,  prej 18 deri në 55 vjet. Luftën e përkrahën vetëm ata që mbeten në Kosovë, deri në përfundimin e saj. Madje krerëve të institucioneve të Kosovës iu vjen keq pse u shpallën rreth dyzet mijë veteranë.  Ata duan ta thjeshtësojnë numrin, ta minimizojnë deri atje sa të krijohet përshtypja se as luftë nuk ka pasur fare, por vetëm grupe të armatosura njerëzish që e paskan improvizuar atë!

Shumica që kishte ikur nga lufta, me anti moton: “Prej luftës,  ai që nuk largohet, është i lindur tradhtar”, u kthyen fitimtarë nga Maqedonia, nga Shqipëria, nga Mali i Zi dhe nën mbrojtjen e UNMIK-ut, secili u kthye në vendin e vet të punës, fillimisht në administratë, pastaj në Shërbimin Policor, disa madje edhe në TMK, në medie e kudo.

Shumë prej nesh  që zbritëm nga malet mbetem,  ante portas.

Pozitat udhëheqëse në Kosovën e pas luftës, ishin ndarë në Tiranë.

Ne, të tjerët që kishim qëndruar dhe luftuar në Kosovë, duhej të kënaqeshim që kishin shpëtuar gjallë, kështu na thoshin jo vetëm me qesëndi disa nga shokët tanë, që ia kishin mbathur me kohë para dhe gjatë luftës.

Pati të tillë që thanë se këta që nuk kanë ikur, që i kanë parë dhe e kanë vuajtur tmerret e luftës, nuk janë të aftë ta qeverisin vendin, por duhet të shtrihen  nëpër spitale psikiatrike,  duhet të rehabilitohen  brenda dhe jashtë vendit, pasi dihej se pushteti do t’ i takonte LDK-së dhe atyre që kishin ikur nga Kosova, “sepse ata kishin vuajtur shumë më tepër se ne”, sidomos duke kaluar kufirin, në Bllacë, ku gjatë orëve të pritjes “kishin përjetuar holokaustin”.

Realisht, pas luftës, pushtetin e  mori shumica pacifiste, me prejardhje nga LKJ-LDK-ja, shumica e  ikanakëve dhe atyre që e kishin kryer luftën në hotelet e Tiranës, apo në disa qytete të Evropës.

Dhe erdhën, postuan njëri-tjetrin në të gjitha institucionet e përkohshme, filluan nga puna, dikush me përvojë, dikush nga e para…

Mbeten jashtë më të përkushtuarit,

ata që kishin humbur familjarët,

ata që kishin lënë gjymtyrët në luftë,

ata që nuk kishin luftuar për ta bërë kapital për vete luftën.

Disa mbeten edhe për faktin se nuk kishte vende e pozita për secilin.

Ishte një luftë, një garë, një shtyrje me gjokse, me grushte, madje edhe në disa raste edhe më keq…

Në vitin e parë pas luftës, ndërroi maskën klasa e mercenarëve.

Ata që kishin bërë faje ndaj popullit, ata që frikësoheshin se do t’ u zbuloheshin krimet, ata që i kishin duart e lyra me gjakun e shqiptarëve, gjatë kohës sa kishin qenë në shërbim të Serbisë, ata me kohë e ndien rrezikun e mundshëm të hakmarrjes,  andaj likuidonin njëri- tjetrin dhe shpallnin fajtore UÇK-në, jo me emër e mbiemër, ndonjë komandant apo ushtar  të caktuar, por të gjithë në plan global.

Çdo vrasje, rrëmbim, hakmarrje grupesh e klanesh, çdo plaçkitje prone apo  uzurpim kishte një adresë paragjykuese – komandantët e UÇK-së, edhe pse ajo ishte shpërbërë tre muaj pas luftës.

Klani i mercenarëve ishte konsoliduar dhe kishte shfrytëzuar situatën, duke e kthyer në favor të vetin, meqë kishte shumicën në të gjitha instancat e pushtetit, kishte mbrojtjen e UNMIK-it dhe të organizatave ndërkombëtare.

Ata, kishin shfrytëzuar të gjitha format e metodat që për gjithçka që ndodhte në Kosovë të fajësohej UÇK-ja,  dhe ia kishin arritur përmes medieve të tyre.

Duke u vetëshpallur viktima dhe shënjestra të UÇK-së, ata morën mbrojtje e siguri nga strukturat përkatëse të UNMIK-ut dhe siguruan veten e familjet e tyre.

Ata dirigjonin dhe kryenin krimet brenda llojit të vet dhe faji u mbetej çlirimtarëve, të cilët natyrisht se nuk ishin “engjëj”, mbase ndonjëri edhe ishte hakmarrë, por individualisht, në asnjë rast të vetëm në emër të UÇK-së.

Klani ilegal, mafioz mercenar, nën maskën e BIA-s serbe në Kosovë, arriti qëllimin në shumë segmente.

Pasi i vranë 14 serbë në Grackë të Lipjanit, Veton Surroi, që nuk ishte larguar nga Kosova, meqë e ruante BIA serbe, pa asnjë fakt publikoi lajmin se krimin në Grackë e kishin kryer revanshistët fashistë të UÇK-së.  UÇK-ja etiketohej si fashiste dhe çuditërisht një pjesë e njerëzve u pajtua me  trillimin e BIA-s serbe, sepse lajmi  ishte shpërndarë  nga Veton Rexhai Surroi, djali i ambasadorit të Titos në Spanjë,  i aksidentuar në rrethana skandaloze. Surroi ishte “autoritet” për të huajt, dhe për disa nga krerët e luftës së UÇK-së, si pjesëmarrës në nënshkrimin e Marrëveshjes së Rambujesë, i cili nuk përfaqësonte askë tjetër por vetes dhe klasës që i takonte.

Kundërvënia ndaj atij lajmi të pavërtetë, të pa faktuar  nga Radio-Kosova e Lirë, largoi nga vendi i punës, drejtorin e Kosovapresit, vetëm sepse ai e kishte botuar komentin e Radios-Kosova e Lirë, ndërsa Kosova e Lirë u shpall, “non grata” nga Qeveria e Përkohshme e Kosovës dhe dënimi e ndëshkimi nuk iu hoq asnjëherë.

Fitoi gënjeshtra e Kohës së fanatikut titist e rankoviçist, Veton Surroi.

UNMIKU- dhe organizatat e huaja  fuqizuan Kompaninë Koha.

LDK-ja financonte gazetën antishqiptare, “Bota Sot”.

PDK-ja kishte Kosovapresin dhe disa gazeta që dështuan, një pas një ndërsa mediet e tjera ishin vasale të pushtetarëve.

Përpjekjet për t’i ndalur zërin Radios së vetme të luftës, u bënë pikërisht nga Ministria e Informimit e Qeverisë së Përkohshme, e pastaj edhe nga brenda, nga disa “argatë” që i kishte emëruar kohë pas kohe, ndërsa ministri merrej me kthimin në transmetim të Radio Prishtinës, e cila do të quhej Radio-Kosova.

Mendohej se me ndaljen e  financimit Radio-Kosova e Lirë do të falimentonte, por nuk ndodhi ashtu sepse kishim punë për të bërë, sepse edhe sot 23 vjet pas luftës endke kemi punë për të bërë..

Nga 200 mijë marka sa i kishte ndarë Qeveria e Përkohshme, për dy mediumet, 25 mijë iu dhanë Radios-Kosova e Lirë, 175 mijë Kosovapressit. 

Disa  nga krerët e Qeverisë i kërkuan Komisioni të  Përkohshëm të Medieve, (asokohe  administrohej nga OSBE-ja), që Radio-Kosova e Lirë të mbyllej, meqë nuk kishte  licencë. Ndërkohë pasi aplikuam, si mediumi i vetëm i luftës në Kosovë, nuk  na  u lejua  licenca me mbulim në tërë vendin, por me mbulim të kufizuar, vetëm në rajonin e Prishtinës.

Licencat  me mbulim në tërë Kosovën iu ndanë Radio-Kosovës, Radio-Dukagjinit, ndërsa TV-21 iu nda për TV  dhe Radio, edhe pse nuk ishte parape që një  medium t’ i kishte dy licenca të shkallës së tillë.

Për kufizimin apo degradimin e dëgjueshmërisë së Radios-Kosova e Lirë votuan tre anëtarë, dy ishin kundër. Në mesin e pesë anëtarëve, dy ishin shqiptarë, Vehap Shita dhe inxhinieri, Fatmir Berisha,  të dy votuan për degradim të statusit, ashtu sikur edhe zyrtari i larë i OSBE-s Sajmon Hejsllok. Një anglez  dhe një  pakistanez votuan kundër reduktimit të statusit.

Me përpjekje për ta ngulfatur Radion-Kosova e Lirë, pretendohej të harrohej  lufta, trashëgimia e saj. Madje disa emra “të luftës”  me qesëndi na thoshin, se lufta ka mbaruar, se nuk duhet të  merremi edhe më tej me të, se duhej të liroheshim “nga primitivizmi”, e të tjera.

Dikujt edhe sot i duket primitivizëm transmetimi i emisioneve për dëshmorët e kombit në ditëlindjet e ditë-rëniet e tyre, i duket primitivizëm përmbajtja tërësisht kombëtare e programit me tema nga historia, trashëgimia kulturore, historia e rezistencë dhe ditë për ditë, me gjuhën e fakteve-diskreditimi i politikave antishqiptare, denoncimi i tradhtisë si në të kaluarën ashtu edhe tani.

Krerët e luftës hoqën dorë nga mediet, në radhë të parë nga Radio-Kosova e Lirë, meqë nuk e nënshtronin dot për interesa partiake. Ata po ashtu mendje-lehtësisht besuan  se mediet do të jenë të pavarura dhe doemos  në shërbim të lirisë e përparimit, por u doli e kundërta.

Është e dhembshme, historia e mbijetesës së Radios-Kosova e Lirë, që nuk e kishte asgjësuar Aleksander Vuçiqi, i cili në kohën e luftës në Kosovë,  ishte ministër i Informimit në Qeverinë e Milosheviqit, në Beograd. Ai ishte zotuar se do të na asgjësonte. Për ta mbajtur zotimin,  aviacioni serb, më 27 mars të vitit 1999, tri ditë pas fillimit të bombardimeve të NATO-s kundër Serbisë, dërgoi dy aeroplanë, mbi fshatin Berishë të Rrafshnaltës së Drenicës, na bombardoi, por anëtarët e stafit dhe Radioja shpëtuan.

Po të mos ishte me rëndësi fjala e Radios-Kosova e Lirë, nuk kishte pse të bombardohej. Në Prishtinë asokohe  dilte pa asnjë pengesë “Koha ditore, Kosova sot, Bujku, emetonte lajme TV-21. Më pas, gazetarët e kohës shkuan në Maqedoni, jo sepse i kishte kërcënuar regjimi, por sepse atje kishte shkuar një pjesë e popullatës  shqiptare të qyteteve.

Radion, që nuk kishte arritur ta asgjësonte regjimi shqiptar vrasës i Milosheviqit, edhe pse kishin rënë shumë dëshmorë në mbrojtje të pozicioneve ku ajo transmetonte,  nuk e mori në mbrojtje Kosova e çliruar e pas luftës, madje as e trajtoi  dhe as e trajton si vlerë të saj, pavarësisht trashëgimisë informative të ruajtur e të botuar, historisë, përmbajtjes dhe tërë kapitalit informativ, kulturor e kombëtar që e disponon.

Në vitet e pas luftës, Radio-Kosova e Lirë ishte dhe mbeti i vetmi medium besnik i gjakut të derdhur për liri, e vetmja rojtare e jetës  dhe veprave të dëshmorëve, i vetmi medium që transmeton program ditor, kombëtar, dhe nuk iu ka nënshtruar as i nënshtrohet asnjë koniukture politike. I vetmi medium që ka përkrahur dhe përkrah pa rezervë, çlirimtarët, luftën e UÇK-së, familjet e dëshmorëve e martirëve, invalidët e veteranët e luftës, përkrah herë me rezervë herë pa rezervë “krahun politik të luftës”, për ditë kritikon e denoncon, mashtruesit, mbetjet e regjimeve antishqiptare, kritikon servilët e plastofilët, kameleonët e poltronët dhe ia ka dalë e do t ia dalë, pavarësisht injorimit nga institucionet, pavarësisht nga mungesa e trajtimit institucional, pavarësisht nga ata që përditë presin të falimentojnë, që na qesëndisin, na urrejnë, disa edhe na lehin, por tani në Kosovën e Lirë nuk mund të na kafshojnë ashtu sikur na kanë kafshuar, vrarë e sakatosur dikur.

Radio-Kosova e Lirë, ka qenë, është dhe do të jetë, zëri i së vërtetës, zëri i lirisë dhe i pavarësisë së Kosovës, pikërisht ashtu sikur ishim zotuar dhe sikur e kishin kumtuar këtë mesazh në lajmin e parë të hapjes së programit më 4 janar të vitit 1999.

Ahmet Qeriqi

22.4.2022

Kontrolloni gjithashtu

Grupi Parlamentar i PDK-së refuzon pjesëmarrjen në seancën e thirrur për adresimin vjetor të presidentes Osmani

Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës, refuzon edhe këtë vit pjesëmarrjen në seancën e …