Dëshmori, Bafti Jemin SHALA u lind me 13 prill të vitit 1969 në fshatin Mushtisht, Komuna e Suharekës.
Ishte fëmija i gjashtë me radhë nga shtatë fëmijët që lindën prindërit e tij: Nëna Nazife dhe Babai Jemini.
Fëmijërinë e kaloi në fshatin e tij të lindjes, fëmijëri të lumtur edhe pse në kushte të rënda ekonomike.
Baftiu Shkollën fillore e përfundoi në “EDIT DURHAM”, në Mushtisht me sukses të shkëlqyeshëm.
Vazhdoi shkollimin e mesëm në shkollën “ JETA E RE”, paralelja në fshatin Mushtisht, ndërsa dy vite në Therandë, ish-Suharekë.
Shkollën e mesme e përfundon me sukses te shkëlqyeshëm, duke fituar të drejtën që të regjistrohet në Fakultetin Ekonomik në Universitetin e Prishtinës.
Çdo herë shquhej për pjekurinë në mendimet e tija. Ishte i bindur se rruga për liri do të ishte e vështirë po e domosdoshme për të i dhënë fund robërisë nga pushtimi shumëvjeçar i Serbisë.
Duke qenë anëtar i strukturave organizative të kryesisë së fshatit Mushtisht, për shumë vite ndihmoi në vetëfinancimin e arsimit dhe në mobilizimin e të rinjve për përgatitjet e formacioneve luftarake dhe mbrojtëse të fshatit.
Kur forcat serbe filluan aksion të gjerë të masakrave, dhunës dhe spastrimit etnik, duke i detyruar tërë banorët shqiptarë të largohen nga fshati e tyre, Baftiu aktivitetin e tij e përqendroi në luftën për liri.
Fillimisht angazhohet në formacionet e rregullta të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës – Batalionit i II që ishte i vendosur në Budakovë, në kuadër të Brigada 123 në Zonën Operative të Pashtrikut .
Ishte një gjendje e rëndë dhe çdo kund ndihej terrori që ushtronte Policia, Ushtria serbe dhe sistemi çetnik i Miloshoviqit mbi popullatën shqiptare, Baftiu si ushtar i UÇK i gjendur ne këtë situata ku po zhvillonte luftime në fshatrat e Suharekës si në Bukosh, Budakovë, Greiqevc, Qafë e Dulës etj.
Ai së bashku me shumë luftëtaret pozicionohen në fshatin Bukosh, ku vepronte Kompania e II e Batalionit. Baftiu për ditë me radhë ishte në vijën e parë të frontit ku luftohej në distancë të afërt me armikun, edhe pse të pabarabartë në armatim dhe më të paktë në numër, ishte trimëria e guximi i paepur i ushtarëve të UÇK-së, që nuk lejonte depërtimin e forcave serbe në zonat e banuara me popullatë civile.
Baftiu vazhdoi luftën në betejat e egra e të fuqishme në 21,22,23,24,25,26 deri më 26 prill të vitit 1999 ku dhe plagoset rëndë në luftimet që atë ditë zhvilloheshin në fshatin Bukosh. Nga plagët e marra nga kjo betejë u përjetësuar në altarin e lirisë, duke i shtuar emrit të tij, epitetin e lavdishëm të Dëshmorit të Kombit.
Pas çlirimit, me datë 18 shtator të vitit 1999 trupi i Dëshmorit Bafti është rivarrosur në varrezat e Dëshmorëve, në Suharekë ku dhe pushon në Përjetësi.
Për ne Ushtarët e UÇK që sot që kujtojmë Dëshmorin, Bafti Shala është e pamundur që të mos i kujtojmë virtytet e larta njerëzore që kishte në personalitetin e tij dhe me këtë rast po i përmendim disa prej tyre, sepse po ti themi të gjitha nuk do i kapte dhe një roman i shkruar.
Si i ri ishte një djalë i urtë e punonte shumë në mësime, i sjellshëm e i edukuar, i dashur e plote gjallëri për jetën. Student i dalluar e i vendosur për të nxënë dijen, mësonte fort që në të ardhmen të jetë gati për të dhen kontribut në zhvillimin e atdheun, kishte shumë ëndrra për të ardhmen, ishte një prind dhe bashkëshort i devotshëm, mësues i përkushtuar që edukonte nxënësit në frymën atdhedashëse dhe krijonte brezat të ri patriotësh e intelektual (Në këtë periudhë kohore ishte mësues në fshatin Dolloc në paralelen e ndarë të shkollës fillore “EDIT DURHAM” e Mushtishtit).
Si luftëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i vetëdijshëm se liria do të fitohet duke luftuar ishte pjesë e pa ndashme e UÇK-së, i qëndrueshëm dhe i pa luhatur në vendimet që merrte, besnik e i guximshëm, luftëtare sy pa trembur, i shkathët, bashkëpunues dhe mbështetës i shokëve luftëtar dhe shumë cilësi tjera. Dëshmori BAFTI SHALA është pishtar i ndriçimit të rrugës sonë dhe gur themel i lirisë që e gëzojmë.
Lavdi Dëshmorit BAFTI SHALA dhe gjithë Dëshmorëve të Kombit Shqiptarë