Shënohet 24 vjetori i daljes së parë publike të UÇK-së në Drenoc të Rahovecit

Sot, u bënë 24 vjet që nga dalja e parë publike e UÇK-së në Drenoc të Rahovecit. Drenoci ishte pikënisja e UÇK-së për Zonën Operative të Pashtrikut, prej ku do të dilnin shumë heronj e dëshmorë trima, që do të sakrifikoheshin për lirinë e Kosovës. Në shënimin e 26 prillit 1998, i pranishëm ishte kryetari i komunës së Rahovecit Smajl Latifi me bashkëpunëtor, Gjenerali i luftës, Ramush Haradinaj dhe shumë ish – eprorë e luftëtarë, familjarë të të rënëve, e qytetarë të komunës së REahovecit e më gjerë. Në këtë manifestim një fjalë rasti  para të pranishmëve e mbajti  kryetari Latifi, i cini tha:

NË ATË KOHË TË GJITHA RRUGËT TË ÇONIN NË DRENOC

Ishte një ditë e zakonshme, ashtu siç ishin edhe ditët tjera më parë; të zymta, të pashpresë, plot dëshpërim e pritje të pakuptimtë. Mirëpo, 24 vjet më parë, më 26 prill këtu u ndez shpresa e lirisë dhe u shkrua historia. Djemtë e kësaj ane, të cilët po përgatiteshin për vite me radhë, ia kthyen pushkën pushtuesit serb. Milicët që deri në atë kohë hynin nëpër shtëpitë e fshatarëve dhe bënin zullume të mëdha, mësuan se durimit i kishte ardhur fundi dhe se tani e tutje mund të komunikonin me këtë popull vetëm përmes grykës së pushkëve. Dalja publike e UÇK-së në Zonën Operative të Pashtrikut, përbën një nga ato ngjarje që i dhanë drejtim historisë. E gjithë Anadrinia u mobilizua dhe entuziazmi ishte i madh. Pleqtë e plakat me lot në sy i shihnin bijtë e bijat e tyre me armë në krah dhe të gatshëm për luftë e flijim për liri. Ishte dita e shumëpritur. Përgatitjet për luftën çlirimtare kishin kohë që po bëheshin, ndërsa grupet guerile të UÇK-së e LKÇK-së tashmë ishin konsoliduar, të gatshme për veprim. Bashkimi i këtyre potencialeve luftarake u bë pikërisht në Drenoc dhe kjo dëshmoi se populli ynë tashmë ishte pjekur për t’i dalë zot vetes dhe se pushtimit po i vinte fundi. Bashkimi i pushkëve të lirisë në një front të përbashkët i dha mesazh të qartë armikut, por edhe miqve tanë. Ky mobilizim dëshmoi se, liria nuk fitohet vetëm nëse e dëshiron, por ajo arrihet vetëm me luftë, punë e përkushtim dhe se nuk është dhuratë e të tjerëve. Përballjet e armatosura në Prekaz e gjetkë në Drenicë, ballafaqimi i luftëtarëve të lirisë në Gllogjan e Dukagjin, ishin sinjale se lufta kishte hyrë në rrugën e pakthyer, dhe se ky synim kombëtar duhet çuar deri në fund. Prandaj, ndodhi dalja e UÇK-së në Drenoc, si rrjedhim logjik i ngjarjeve historike. Deri te dalja publike, punuan e milituan veprimtarë që punonin fshehtë për luftën, të përfshirë në organizata patriotike. Pas një beteje me forcat serbe në afërsi të Piranës, dy ditë më herët, ishin Mensuri ‘500’, Bedrushi e Feimi, e djem të tjerë të këtij fshati që i kemi të gjallë si bacën Isuf, Vehbiun, Vajdinin e të tjerë… që dolën hapur. Më 26 prill 1998 e pas kësaj date, të gjitha rrugët të çonin në Drenoc. Ishte krijuar një realitet i ri, po hynim në një fazë të re dhe lufta po kulmonte. U kuptua se lufta ishte domosdoshmëri dhe se rrugë tjetër nuk ka. Këtu nisën të vinin burra nga e gjithë Anadrinia; nga Rahoveci, nga Prizreni, nga Hasi, nga Theranda, nga Malisheva e vise të tjera shqiptare. Pashtriku u bë udhëkryq i luftëtarëve të lirisë, të cilët shkonin e vinin matanë bjeshkëve për të marrë armë e materiale luftarake. Në atë kohë arma dhe municioni na duheshin më shumë se buka e uji, sepse konsideroheshin mjete përmes të cilave do të lindte jeta e re në këto troje. Në këtë rrugëtim që u karakterizua me beteja të shumta e të përgjakshme me forcat pushtuese serbe, ranë shumë luftëtarë, duke i lënë gjurmët e tyre të gjakut në rrugëtimin tonë drejt ardhmërisë. Dihet tashmë se liria duhet ujitur me gjakun e bijve e bijave më të dashur, sepse kështu ka qenë gjithmonë. Mirëpo, flijimet janë dëshmi e përkushtimit e gatishmërisë, janë dëshmi e pjekurisë dhe e synimit tonë historik. Luftëtarët dhe dëshmorët tanë ishin të vetëdijshëm për vështirësitë e rreziqet, por po ashtu ishin të vetëdijshëm se rrallë në histori të jepet mundësia të luftosh e biesh për liri. Natyrisht, askush nuk e dëshiron vdekjen, mirëpo luftëtari i lirisë e di se diku mund të ndeshet me të, por është e rëndësishme që vdekja ta gjejë me pushkë në faqe dhe në fushë të nderit. Sot skaj rrugëve tona shohim përmendore e vend-rënie të dëshmorëve, që vizatojnë hartën e historisë tonë tragjike e heroike njëkohësisht. Këto përmendore na kujtojnë çmimin e lartë të lirisë, duke na dhënë motivim për të punuar me përkushtim e vendosmëri që betimin e ushtarit të lirisë ta çojmë në vend. Këtë mësim e kemi për detyrë që ta mbajmë në mend gjithmonë, sepse dikush dha gjak nga gjaku i tij për të jetuar kombi e atdheu. Brezat e rinj do t’iu jenë mirënjohës e falënderues të gjithë atyre që guxuan dhe rezistuan, atyre që lanë gjymtyrët nëpër fushëbeteja dhe atyre që u ngurosën në rrugëtimin tonë të vështirë kah liria. Respekt e mirënjohje për ata që të parët i hapën shtigjet e lirisë, atyre që besuan në fitore dhe në jetësimin e idealit për çlirim e bashkim.

Lavdi e nderim të gjithë të rënëve për liri!

Drenoc, 26 prill 2022

Smajl Latifi

Kontrolloni gjithashtu

Finalizohet draft-ligji për Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030”

Kryetari i Komunës së Prishtinës, z. Përparim Rama ka njoftuar përmes faqes së tij në …