Sali Onuzi: Qëndresa heorike e Karakushëve të Vlahnës së Hasit, më 27 prill 1944

Sali Onuzi: Qëndresa heorike e Karakushëve të Vlahnës së Hasit, më 27 prill 1944

Katër dëshmorë të Atdheut të Familjes Karakushi në një ditë:

Veli Avdi Karakushi ,

Uk Mehmet Karakushi,

Rustem Ibrahim Karakushi,

Muharrem Avdi Karakushi.

Që në nëntor 1942 , shtëpitë dhe stanet e Karakushëve , me të mëdhenj e të vegjël ,ishin lidhur me Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare. Ata , si dhe shumë familje të tjera nga ky fshat dhe nga Golaj, Kishaj,( Lleshaj),Kosturi, Helshani etj ishin bërë bazë e sigurtë e çetave dhe batalioneve partizane të Tropojës, të Hasit, të batalionit “ Perlat Rexhepi” të Shkodrës, të çetës ‘”Emin Duraku” të Kosovës etj

Në prill të vitit 1944, agjentët e Gestapos,  dhe bashkëpunëtorët e tyre u vunë në lëvizje dhe përgatitën sulmin kundër fshatit Vlahën dhe bazës partizane të Karakushëve, po edhe disa fshatrave të tjerë të Hasit. Natën e 26 prillit , të prirë nga kryetari i komunës së Zymit,armiqtë rrethuan Karakushët. Duke u gdhirë 27 prilli krisën pushkët dhe bombat. Karakushët dhe gjithë fshati u përgjigjën po me pushkë për orë të tëra.Barbarët dogjën disa shtëpi në Vlahën.

Në këtë ndeshje të pabarabartë ranë duke luftuar Veli , Uk dhe Muharrem Karakushi. Nazistët ia rrëmbyen Leme Karakushit djalin 12 vjeçar, Rustemin dhe ia pushkatuan para syve.U vranë atë ditë katër veta të familjes Karakushi dhe dy të tjerë nga Vlahni, Maxhun Sokoli ( Dëshmor i Atdheut )dhe Ismail Beqa, nga Hasi i Rrafshit , nip i Karakushëve.Po atë ditë në këtë luftim u plagos dy herë Hasan Karakushi,dhe bashkë me të u arrestuan edhe Adem e Sylë Karakushi që u dërguan në kampin e përqëndrimit në Prishtinë.U plagos gjithashtu edhe Rexhep Karakushi, i cili mundi të kalojë në ilegalitet, në mal e në Golaj,tek miq e të afërm të tij.

Jehona e luftës së Karakushëve kaloi gojë më gojë.Populli u thuri këngë .

Armiqtë dhe tradhëtarët nuk guxuan të futen më në Vlahën.

Po atë ditë të 27 prillit forcat gjermane sulmuan baza partizane dhe dogjën shtëpi edhe në fshatra të tjerë. Në Kishaj, arrestuan Kadri Alpapajn (të cilin ushtarët gjermanë  e varën te Ura e Gjegjnit) dhe Xhemile Lleshin , nënën e zv/komandantit të Çetës e të batalionit partizan të Hasit; në Pogaj arrestuan tri gra e dy vajza . Qëllimi i armiqëve ishte të godisnin e likujdonin bazat e luftës së formacioneve partizane në Has.Po nuk ia dolën.

.Në zonë ndodheshin forcat partizane të batalioneve “ Perlat Rexhepi”, “ Bajram Curri”, “ Rinia” dhe forcat territoriale të Malësisë së Hasit. Në të gdhirë të 1 majit, një forcë partizane nga nga këta formacione , e përkrahur nga fshatarët vendas, u futën në ndërtesën e Komunës së Zymit dhe tradhëtari ,ish kryetari i komunës, u kap i gjallë.Gjyqi partizan e dënoi me vdekje. Ndërsa xhandarët e komunës u detyruan të dorëzohen pa luftë.

Pas Çlirimit , më 1974 në fshatin Vlahën,me rastin e 30 vjetorit të kësaj qëndrese u përurua një Memorial ( një malësor hasjan me pushkë në pozicion luftimi) që evokonte dhe nderonte këtë epope.Fatkeqësisht, sot ky memorial nuk ekziston,gjë që e bën urgjente nevojën e ringritjes së tij.

Shënim : Fshati Vlahën ( me 30-40 shtëpi) ka qenë dhe është pjesë e krahinës së Hasit, mu afër kufirit shtetëror , në verilindje të Krumës rreth 6 km. në vijë ajrore.Shtrihet në një gropë të rrafshët, pak të valëzuar, me lartësi mesatare rreth 600 metra mbi nivelin e detit. Vlahnën e lidh me Krumën ( gropën ku shtrihet ajo) Qafa e Erës.Banorët  e Vlahnës merreshin me blegtori e bujqësi.

 Zymi , ish  qendra e Komunës  së Hasit , është rreth 21 km në vijë ajrore nga Vlahna, në Hasin e Rrafshit,matanë kufirit të sotëm shtetëror.

Burime:

1-Historia e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare të Popullit shqiptar.

Botim i Shtëpisë botuese “ 8 Nëntori”,Tiranë 1988,Vellimi III, faqe 788-89

2-Dëshmorët e Atdheut.Botim i Ministrisë së Mbrojtjes , Tiranë 2012, f.137-38

3-Në flakë e zjarr me pushkë ne dorë.Botim i Komitetit të Veteranëve të Luftës

dhe Muzeut të Rrethit Kukës , shtator 1974, f.20-21

4- Burime gojore të Mehmet Karakushit , të Uk Hoxhës (nëntor 2014)dhe të Drita Poga Karakushi ( 2022)

Fotot :

  1. Memoriali i ngritur me 1974 në nderim të Dëshmorëve të Atdheut dhe të qëndresës së Vlahnës me 27 prill 1944. Nga majta, Mehmet Karakushi, i biri i Hasanit; Izet Dyrmishi, ish sekretar i parë i komitetit të partisë të rrethit të Kukësit; Drita Poga Karakushi, e bija e Ismail Pogës, komandantit të Cetës e të batalionit partizan të Hasit. Në rreshtin e dytë nga e djathta, Selim Shehu, ish sekretar i komitetit të partisë të rrethit dhe pjesmarrës në veprimtari nga Vlahna  dhe Hasi.

  1. Më 1976 ,për vizitë në familjen Karakushi, znj Tefta Cami, ish ministre e Arësimit e Kulturës,( bijë e Dëshmorit të Atdheut, kapiten Ahmet Cami, ish komandant batalioni partizan në Dibër);në krahun e saj Leme Karakushi, nëna e Dëshmorit 12 vjecar Rustem Karakushi,i pari nga e majta, Mehmet Karakushi, i pari nga e djathta Shaq Karakushi.
  1. Hasan Karakushi

Kontrolloni gjithashtu

Albert Z. ZHOLI; Tafil Buzi, patrioti që hoqi vallen e jetës në buzë të greminës

Pa  dëshmor historia  e  një  kombi venitet, pa  heronj  historia  e një kombi  është destinuar  …