Ahmet Qeriqi: Imagjinata kreative, krijuese e Gjergj Fishtës arrin nivelin e kapaciteteve mendore të shkrimtarëve më të mëdhenj të botës II

“Te kisha Shën Gjonit”

Në këngën e 13-të të Lahutës së Malësisë, me titull “Te kisha Shën Gjonit”  Fishta përshkuan fjalimet e krerëve në Logun e Kuvendit, ku edhe rikonfirmohet vendimi për të mos ia lëshuar trojet Malit të Zi e Serbisë, pavarësisht vendimeve të Kongresit të Berlinit të qershorit të vitit 1878, kur ishte mohuar përkatësia kombëtare e shqiptarëve, dhe kërkesës që Perandoria u bënte shqiptarëve të pajtoheshin me fatin, sepse Stambolli paskësh mbetur “muhasere”, me lakun në fyt.

Përmes ligjërimit të krerëve në Kuvend, Gjergj  Fishta me imagjinatën e tij të thellë,  krijuese, kthehet në kohën dhe historinë e shqiptarëve para afër 400 vite,  me dhe nën Mbretin, për të cilin thotë se u kishte dhënë shqiptarëve mundësinë  të realizojnë të drejtat,  sipas kanuneve të veta, u kishte çilë kishë  e xhami, nuk i kishte rënduar me plaçkë e të dhjeta. Duke qenë njohës dhe interpretues realist i historisë, Fishta me gjuhen e personazheve reale të kohës flet për jetën e rëndë në robëri dhe në liri, për hiret dhe të papriturat e saj. Ai bën rekapitullimin e një epoke, e cila mirë e keq, kishte kaluar dhe kishte lënë shumë vurrata, por shqiptarët kishin mbijetuar, në radhë të parë sepse nuk kishin lejuar që pushtuesi e feja t i përçante. Ata i kishte bashkuar gjaku, gjuha, tradita, besa, trimëria, solidarësia, ndjenja e përkatësisë që ishte shumë më e fortë se përkushtimi ndaj fesë, cilado qoftë ajo .

Uh! Europë, ti kurva e motit,

Qi i rae mohit, besës e Zotit,

Po a ky â shêji i gjytetnís?

Me dá token e Shqypnís,

Per me mbajtë klysht e Rusís?

Po ti a kshtû sod na i perligje

Njata burra qi m’ kto brigje

Per tý vehten bâne flije

Kur ti heshtshe prej ligshtije?

Ti qi i a kalle flaken diellit

E i shestove rrathët e qiellit,

Ti, prej eshtnash t’ t’ ngratë Shqyptarve,

Qi bânë deken per dhé t’ t’ parve,

Bân sod t’ bîjn fatosa t’ rí,

T’ cilt nji troe t’ ksajë Shqypní

Mos t’ a lâjn Shkjaut n’ dorë me i rá

Krejt ne gjak nji herë pa e lá!

Ky fragment realist i gjendjes së shpërfilljes së shqiptarëve, nga Evropa apo “Shtatë krajlat” në imagjinatën krijuese të Fishtës merr formën e mallkimit, një mallkim i rëndë stigmatizues, sidomos kundër shteteve të Evropës, të cilat po i lëshonin pe, “Kralit të Rusit” duke vënë në pah padrejtësinë e madhe që iu bëhej shqiptarëve, në përligjjen e  pushtimit të  trojeve të tyre historike e etnike nga shkijet e Ballkanit, me ndihmën  e Moskovit dhe të gjithë të tjerëve, edhe pse shqiptarët edhe ashtu jetonin nën robëri, po e cila kishte disa favore për ta, falë qëndresës shekullore, por edhe bashkëpunimit me osmanët të një pjese të madhe të tyre.

Duke qenë njohës i thellë i historisë kombëtare, njohës i rrethanave politike të kohës, ai kishte marrë qëndrim parimor, të drejtë dhe të paanshëm, lidhur me situatën që mbretëronte në trojet shqiptare, në të katër Vilajetet, ku ata  përfaqësoheshin me pashallarët e tyre, në lidhjen qendrore, vertikale me Stambollin zyrtar, ndërsa në qeverisjen vendore sundonin vetë në krye të Vilajeteve dhe  administrimin e tyre në fushën e mbrojtjes e sigurisë dhe  përgjithësisht në jetën e organizuar qytetare, me rendin ekzistues e administrativ  çfarë mbretëronte në atë kohë.

Në këngën e trembëdhjetë të Lahutës së Malësisë,  “Te Kisha e Shëngjonit”, Fishta me fuqinë e mendjes dhe imagjinatës së tij të fuqishme,  përshkruan vendimet e kuvendeve shqiptare, personazhet, luftëtarë të paepur shqiptarë  që i kishte zgjedhur koha për të qëndruar, për t u larë me gjak, edhe pse  në një luftë të padrejtë e të pabarabartë. Ata u treguan unikë në luftën e tyre për të mbrojtur, me çdo kusht e me çdo çmim, vendin,  gjuhën, zakonet e Atmen.

Kjo është jeta e familjes së madhe të pandarë me pushtetin atëror (patria potestas), jeta e ndarjes së punës… e nderimit ndaj pleqve, jeta e besës, besë burri dhe besë fisi. Është një jetë lufte me armët përhera në brez, me t’u ruajtur përgjithherë nga armiku, me marrje të gjakut ose me gjak të blerë ose të falur bujarisht, me nderim trimash, me këngë kreshnikësh e me ligje (vajtime). Nuk na takon t’i përflasim poetit që ka marrë për lëndë të poemit të tij një trevë njerëzore gjeografikisht kaq të ngushtë; sepse te kjo botë e përshkruar prej tij njohin vetveten jo vetëm Malësorët e Veriut, por gjithë banorët e maleve shqiptare, ata të Verilindjes (Kosovë), të Lindjes (Dibër) e të Jugperëndimit (Labërí). Gjithkund këtu sundon, ku më fort ku më pak, jeta fisore dhe Kanuni i pashkruar. Atje ku kjo jetë, sikurse në fusha e në qytete, është zhdukur, ka ekzistuar dikur dhe ruhet sot e gjallë sëpaku në ndjenjë të gjindes. ( Eqrem Çabej po aty…)

 

Pas ekspozesë dhe lidhjes kompozicionale të shtjellimit të lëndës, në fillim duke e endur gjithandej e më vonë duke i lidhur pjesët me tërësinë e saj, pas përshkrimit gjerë e gjatë të gjendjes së përgjithshme në trevat shqiptare, por duke u fokusuar në pjesën e saj verilindore, Gjergj Fishta në “Lahutën e Malësisë”, arrin  edhe në momentin kur “besëlidhja” shqiptare ka filluar të mobilizohet si dikur motit, me krenë  fisesh e burra trima bajraqesh, për t’ i shqyrtuar gjerë e gjatë rrethanat dhe për të marrë vendime të pashkruara në letër, por të lidhura fort  me fjalën e besës, me besa-besë,  që kishte vlerës shumë me tepër sesa mund ti lidhte bashkë një letër, ku ata edhe ashtu do ta firmosnin, sepse besën e tyre do ta “shkruanin” me gjakun e derdhur në logjet e luftimeve për të ruajtur  bese e fe, nder e familje, gjuhë e zakona…

Kuvendimi i krerëve të luftës

Po, Çun Mula mbí shpinë t’ kalit,

U a çoi lajmin Krenve t’ malit;

U a çoi lajmin n’ derë t’ konakut,

Per me u mbeledhë n’kuvend t’ bajrakut;

E si rrokull kjenë rreshtue,

Kshtu zên Çuni me ligjrue;

Fol tash, Masho, ( Marash) ç’ po na thue?

Un qe, Krenët t ‘ i kam bashkue,

T’ cilve mundesh me u besue,

Pse armët kryq i kemi vû,

Si na e lanë të parët kanû.

Kjo paraqitje e rrethanave në Logun e Kuvendit ka përmasa homerike në përshkrimin e situatave kur burrat masin e peshojnë fjalët, kur secili jep mendimin e tij, vërejtjet e sugjerimet, duke i bërë me dije të pranishmëve në Kuvend se sa mund të japë secili nga vetja dhe pasuesit e vet, në mënyrë që të dihet se a është arritur përmasa e fuqisë për të qëndruar, apo për të sulmuar…

At herë Mashi zên kadalë:

Pa ndigioni, o trima ‘i fjalë,

Qi po u thom me besë te Zotit,

Porsi nipave t’ Kastriotit:

Katerqind e s’ dij sa vjet

Jânë qi i bâjm Mbretit hyzmet

Kush ushtrí, kush angarí,

Me armë n’ dorë, me zjarm në gjí,

Me ‘i kambë mbathë me tjetrën zdathë,

Buken n’ strajcë e shpínë senjurin,

Dushek token, jestek gurin,

T’ mbrame te hika e t’ pare te mbeta:

Trima n’ zâ se â zânun jeta:

Mos me drashtun krajl as Mbret!

Edhè Mbreti ket hysmet

Dér dikû na e ká pelqye,

S’ na ká lânë aj krejt m’ u thye:

Na ka lânë lirín jetike,

Na i ka lânun armët besnike,

Per me ruejtun Fé e zakona,

Per me mprojtë kto malet t’ ona

Per me mbajtë kanú’ n e t’ parve

Me ruejtë erzin e Shqyptarve:

Na ka çilë kishë e xhamí

Per dintarë e kryqelí:

Na ka falun pagë e t’ dheta,

Kanú m’ vedi sa t’ jetë jeta,

E na veç n’ e paçim çartë

Ket kanú qi na lanë t’ Parët,

Se e kem’ shkue jeten n’ lirí

Si në bjeshkë, ashtû në vrrî,

Si me gjâ, ashtû me bulqí:

Tue punue e tue gjallue,

Tue lutë festat trashigue,

Mort e darsem me kanú,

Sikur t’ parët na pa’ n punue.

Kjo paraqitje realiste e situatës që kishte mbretëruar në kohën, për të cilën shkruan Fishta, përmes dialogut të një  trimi  sikur ishte Marash Uci, ka vlerën e vet të konstatimit historik të jetës shqiptare nën Perandorinë Osmane, jo me këndin e mëvonshëm  e më armiqësor të kundrimit, por pikërisht të kohës, kur shqiptarët ishin bindur se Mbreti, edhe po të donte nuk bënte dot më shumë, sepse ishte zënë në lak. Ky dhe fragmente të tilla, ku Fishta nuk flet me përbuzje për Perandorinë, por flet me konsideratën e tij realiste për kohën, është  “pikë e zezë” për disa studiues e mohues ë veprës  së Fishtës, që dikur kanë qenë shumë por nuk mungojnë as tani. Ata duan që Fishta të kishte dhënë mesazhet, për bindjet që ata kanë sot 150 vjet  më vonë si rasti i një, Skifter Këlliqi apo këlliqëve të tjerë, që vënë në dyshim edhe atdhetarinë e Fishtës pse e thotë mendimin e vlerësimin e  tij  krejtësisht realist për një kohë të caktuar

Fishta me imagjinatën e tij krijuese ka krijua tablo realiste të pasqyrimit të tij subjektiv, krijues të realitetit  objektiv, mbizotërues  të një epoke e cila kishte filluar  përmbyllej me gjak, ashtu edhe sikur kishte filluar dikur motit…

Po, Moskovi, i u thaftë hovi!

E ka dá n’ Kuvend t’ Berlinës

Me i u lshue Knjazit t” Cetinës

Hot e Grudë, Plavë e Gucí.

E tash Knjazi i Malit t’ Zí

Ká ngrehë top, ká dyndë ushtrí

N’ kto trí dit me rá n’ Malcíi.

Në këtë shtatë vargje të Fishtës, pasqyrojnë tërë një histori, mjerisht historinë tragjike të shqiptarëve, sepse edhe sot pas 144 vitesh nga Kongresi i Berlinit, Plavë Guci, Nokshiq Malësi,  Ulqin e Tivar i mban nën sundim Mali i Zi, por jo me Rusinë prapa, por për fatin  tonë historik me NATO-n, të paktën tani për tani.

Këtë shtatë vargje të Fishtës burojnë nga një mendje tejet e kthjelltë, nga kolosi i mendimit të pavarur por realist, nga njëri ndër intelektualët më të mëdhenj të botës shqiptare në atë kohë. Ajo që ishte vendosur në Kongresin e Berlinit atë e përligj edhe sot BE-ja, por edhe miqtë tanë.

 

Jo pak “studiues”, që dikur edhe e kishin lehur Fishtën, ia shohin për të madhe pse ai si i krishterë të mos përkrahte Malin e Zi, Mark Millanin, Kral Nikollën, me Moskovin prapa, por të përkrahte Sulltanin, madje duke e pranuar edhe për mbret. Ja deri ku ka arritur babëzia e disa mendjeve të robëruara, që për të kaluarën gjykojnë sipas rrethanave të sotme, jo sipas kohën ku kishin mbretëruar ato.

Lahuta e Malësisë dhe përgjithësisht krijimtaria e Gjergj Fishtës, mbetet objekt studimi edhe në Universitetet tona të shumta por edhe nga kritikë letrarë, si nga atë mirëfilltë dhe pa ngarkesa të caktuara ideologjike edhe nga disa sharlatanë e mjeranë që duke shkruar zi e terr për Fishtën mundohen ta promovojnë vetet e tyre, shpirtngushtësinë dhe paaftësinë për të kuptuar drejt dhe realisht krijimtarinë e tij.

Ka madje edhe tema doktorantësh që, në punën e tyre kërkimore jo  vetëm që nuk kanë sjellë asgjë të re, por kanë interpretuar tekste e kritika të ndryshme sa për të pasur më shumë burime e literaturë, sa për ta marrë një diplomë magjistri apo doktor, por pa dhënë  as edhe një kontribut të caktuar.  Madje kur lexon tema të tilla fitohet dyshimi  real se e kanë lexuar apo jo  tërë krijimtarinë e tij, as i njohin emrat më meritorë të studiuesve të Fishtës.

Është për të ardhur keq kur në një doktoraturë të tillë, nuk po e përmend me emër, doktoranti arrin në përfundimin se “Lahuta e Malcis nuk ka një subjekt të mirëfilltë rreth të cilit të vërtiten ngjarjet, rrethanat e personazhet.  Pastaj konstatohet se Ngjarjet nisin në vitin 1858 me luftën e familjeve të Hotit dhe Grudës kundër malazezëve (1856-1858), me betejën e Vraninës dhe ndeshjen e Oso Kukës e 40 trimave të tij. Këto ngjarje përbëjnë rrafshin kohor të 5 këngëve të para të veprës.

(https://krijuesiterinj.com/wp-content/uploads/2021/04/Lahuta-e-Malcis-Gjergj-Fishta.pdf)

Këto konstatime janë të paqëndrueshme dhe nuk mund të dëshmohen me fakte e argumente, sepse “Lahuta e Malësisë” është më shumë se poemë epike, është një epope, është një “Homeriadë”, që mund të quhet së “Gjergjfishtiadë”, fare pa e ekzagjeruar, sepse është krijim i veçantë, origjinal që del nga përmasat e përkufizimet e ngushta teorike letrare, nga të cilat  teoria e letërsisë tashmë është liruar nga klishetë, paradigmat e shumë barriera të tjera. Vijon…

 

Kontrolloni gjithashtu

Albert Z. ZHOLI; Drithijet e  Panairit të librit  të 27-të, “Tirana 2024”.

Dje, pas një maratone prej 5 ditësh në Pallatin gjigand të Kongreseve, u mbyll panairi …