Kryetari i Ukrainës, Volodimir Zelenskij, në një fjalim të tij është cituar të ketë deklaruar se ushtria ruse gjatë dy muajve të invadimit në Ukrainë ka humbur rreth 23 mijë ushtarë, ndërsa më shumë se 1. 000 tanke ruse dhe rreth 2. 500 automjete ushtarake janë shkatërruar. Ndërkohë sipas konfirmimit të fundit nga autoritetet e Rusisë pranohet se ajo ka humbur 1 mijë e 351 ushtarë. Në një deklaratë të lëshuar të shtunën, Ministria ruse e Mbrojtjes tha se forcat ruse kishin shkatërruar 2 mijë e 600 tanke dhe automjete të blinduara ukrainase, 142 avionë, 112 helikopterë dhe më shumë se 650 dronë. Zelensky theksoi se pushtuesit po mbledhin forca shtesë për sulme të reja kundër ushtrisë ukrainase në pjesën lindore të vendit, duke theksuar forcat ruse po forcojnë prezencën e tyre rreth Harkovit. Megjithatë, sulmi me raketë në aeroportin e Odeses, i cili rezultoi në shkatërrimin e pistës pa shkaktuar fatmirësisht viktima, dëshmon, sipas analistëve, se aspiratat e Moskës nuk kufizohen në Ukrainën lindore, dhe se kanë gjithmonë në planet e tyre dhe kontrollin e daljes në Detin e Zi, ndërkohë që një fluturim i një aeroplan zbulues rus mbi Suedi po shkakton shqetësim, në një kohë kur proceset për anëtarësimin vendit si edhe Finlandës në NATO po intensifikohen. Moldavia është vënë në alarm të kuq nga frika se mos pushtohet nga Rusia, ndërsa sulmet terroriste territorin e Transnistrisë po përshkallëzohen.
