Në Sheshin “Skënderbej”, në Tiranë, edhe sivjet besimtarët islamë e falën namazin e Bajramit të Madh. Në mesazhin e tij, kryetari i Komunitetit Mysliman Shqiptar, Bujar Spahiu, uroi besimtarët pas muajit të agjërimit duke thënë se të gjithë ata që kanë agjëruar, kanë fituar dimensione të reja shpirtërore e morale. Muaji Ramazan është muaji ku për secilin nga ne u krijuan rrethanat për shpëtim dhe udhëzim në rrugën e vërtetë. Lutemi të kemi dalë nga muaji i Ramazanit me një pastërti dhe ndriçim shpirtëror. Ai kërkoi nga të gjithë të përkushtohen më shumë ndaj prindërve, të moshuarve dhe të gjenden pranë jetimëve. “T’i japim dorën njerëzve me nevoja të veçanta, të përkujdesemi dhe tregojmë mëshirë ndaj tyre. Nuk mund të mendohet që të ketë gëzim dhe kënaqësi Bajrami për ata, që u kthejnë shpinën miqve, të afërmeve, fukarenjve dhe vëllait të mbetur mënjanë. Kryetari i Komunitetit Mysliman Shqiptar u ndal edhe te lufta në Ukrainë duke uruar paqe e prosperitet në botë pasi pasojat e konflikteve ndihen kudo dhe prekin njerëzit e pafajshëm. Luftërat dhe konfliktet janë shfaqur sërish në vende të ndryshme të botës. Nga Lindja në Perëndim, pasojat e këtyre konflikteve ndihen kudo dhe ato i ndiejnë drejtpërdrejt njerëzit e pa fajshëm, fëmijët, të moshuarit, gratë. T’i lutemi Zotit për paqe e prosperitet në botë”, përfundoi Bujar Spahiu.
Kontrolloni gjithashtu
BE mirëpret gatishmërinë e Kosovës për normalizimin me Serbinë, por kërkon veprime konkrete dhe të menjëhershme”
Bashkimi Evropian mirëpret gatishmërinë e Qeverisë së Kosovës për të zbatuar marrëveshjen e normalizimit me …