Kanë thënë mirë e keq për Fishtën
Janë të shumta vlerësimet që iu kanë bërë veprave të Gjergj Fishtës, nga studiues ndër më të njohurit shqiptarë, por edhe studiues të huaj.
Për fillim po prezantojmë disa vlerësime që hedhin dritë shkencore për jetën dhe aktivitetin atdhetar e letrar.
Eqrem Çabej
Asgjëkund poeti i shkathët nuk ndalet gjatë, vepra e tij është vepër epike me një ndërtim gati dramatik. Te heronjtë ndjejmë shpirtin jo aq ëndërrimtar, të aftë më fort për veprime, të njeriut dinarik: thjesht shqiptare është edhe mungesa e çdo mundimi spekulativ mendor. – Edhe gjuha, siç e çekëm më sipër, sjell pjesën e saj në karakterin popullor të veprës. Ajo përdor në dukje pa ditur, por në të vërtetë me dije të plotë e me dorë mjeshtri, arkaizma, solecizma, fjalë e thëna popullore. Poeti zbret poshtë te populli, merr ujë te gurra e gjuhës së tij. Thonë se ai pyeste shpeshherë malësorë për fjalë të rralla e bukurkumbuese, të cilat i përdorte pastaj te Lahuta. Këndej spjegohet për një pjesë të madhe përshtypja e freskët dhe e gjallë e kësaj vepre. – Por përveç kësaj poeti ka marrë nga ndonjë varg a ndonjë strofë prej këngëve popullore, nganjëherë edhe ndonjë këngë të tërë, dhe i ka përlidhur në veprën e tij. Ai i krihte ato ku i dukej mirë dhe i sillte kështu në trajtë të fisnikëruar. Ato strofa mallkimi të Oso Kukës kundër Knjaz Nikollës të Malit të Zi, atje te kulla e Vraninës, janë marrë besnikisht nga një këngë popullore shkodrane. Një këngë e vjetër ushtarësh janë ato vargje me të cilat u falet shokëve Mican Leka i vrarë:
Fishta qe një bir i vërtetë i polemit të tij dhe bash nga kjo rrënjosje te trualli i vet ai u bë, poeti kombëtar i Shqipërisë. Veçse ç’i fali vendi poetit, ky ia përligji në trajtë të fisnikëruar të artit. Sepse vepra e tij u bë pasqyra besnike, fytyra e kthjelltë e gjithë vërtetësisë etnike, trimërisë së ashpër, burrërisë luftarake, krenarisë raciale që ka mundur të ruajë gjer sot jeta shqiptare. Tërheqës si njeri, origjinal e i madh si shkrimtar . . . Lahuta është dhiata e shtrenjtë e poetit lënë trashëgim “nipnis s’kohve t’vona ene për të lè”.
http://www.gazetashkodra.net
Rexhep Qosja
“… Në Lahutën e Malcis të Gjergj Fishtës, disa personazhe janë figura reale, të njohura, të vendlindjes sime. Për këtë arsye, një numër i këngëve të kësaj epopeje kombëtare janë ditur përmendësh atje. I kam ditur në fëmijëri dhe i di edhe sot përmendësh shumë vargje të Fishtës. Kur më është lejuar paraqitja e tezës së doktoratës në vitin 1969, kam kërkuar të më bëhet e mundshme ta trajtoj krijimtarinë e tij. Nuk më është lejuar kjo për shkak të, si më është thënë, qëndrimit të tij ndaj malazezve dhe serbëve. Vepra e Fishtës është e gjithanshme, ajo është vepra e historisë sonë të dhembshme që përfshin pjesën e fundit të përpjekjeve për çlirim kombëtar, dhe atë të kohës së Pavarësisë. Prej Rilindjes dhe rilindësve ai do të trashëgojë idealizmin e njohur, përkushtimin ndaj lirisë, pavarësisë, tërësisë etnike dhe gjuhës, kurse prej periudhës së Pavarësisë do të marrë frymëzime për bashkimin kombëtar (Rexhep Qosja, Shkrimtarë dhe periudha, Tiranë 2005, f.149).
Kristaq Cipo: “At Gjegji ka qenë për ne, deri ditën që mbylli sytë, Patriarku i letrave shqiptare e Poeti më i madh i vendit tonë. Varri i ti do të jetë për ne, e gjatë kavaljeteve, një faltore e vogël evarije për Shqiptarët e vërtetë.”
Luigj Gurakuqi: Po, mbas gjurmës s’ate . . . si n’luftë mizore na leu hylli i Shqipnisë qi Knjazit tuten i a shtini at herë, kështu Hylli i Zanës Arbnore leu me Lahutë.”
Pashk Gjeçi: Gjergj Fishta ka dhanë kontributin e vet të fuqishëm për të përforcuar ndërgjegjen kombëtare e për të pasuruar vizionin tonë të madh shpirtëror: gjuhën.”
Ali Klisura: Gjergj Fishta zotëron pushtetin krijues të poezisë, këtë dhuratë qiellore, në nji mënyrë të çuditshme edhe si esencë e përtrirjes së e artit të tij të zgjedhur është një atdhedashuri e flakët dhe e shenjtë.
Kolec Çefa: Gjergj Fishta ashtë krijesa shumë kulturore ma e talentuara, ma e fuqishmja, ma patriotikja e më prodhimtarja e letrave shqipe. Është personalitet i veçantë e i shumanshëm, unik, e akoma i papërsëritshëm, që ka lanë gjurmë të mençura e të thella në shumë fusha të dijes e të kulturës shqiptare.
Mitrush Kuteli: “Fishta zë kryet e vendit në poezinë shqipe.”
Ernest Koliqi “Fishta heshti, por kangët e tija do të tingëllojnë të gjalla deri sa të flitet shqip nën kupë të qiellit.”
Lefter L. Dilo: “Shqipëria e luftëtarëve qan me gjithë zemër e me pikëllim Ushtarin e penës, Poetin e vet kombëtar . . . Mësuesin e të gjithë Shqiptarëve . . . Mbretin e Poetëve shqiptarë.
Radi and Radi
Në historinë e letërsisë shqipe vërtet janë të paktë ata shkrimtarë që kanë marrë lavde e epitete të mëdha sa Fishta, duke u pagëzuar poet kombëtar, patriark i letërsisë shqipe, pastaj vlerësime, siç ishte epiteti i Homerit shqiptar nga Maximilian Lambertzi, por edhe ato më përbuzëset nga regjimi komunist dhe dishepujt e tij kulturorë, kur ai dhe vepra e tij u tentua të zhdukeshin, duke u qitë në harresë. Përpos lavdeve, leximeve dhe botimeve të shumta, vepra e tij dhe autori u shoqëruan me kundërshti të forta: u ndaluan dhe u sulmuan në kohën kur mendjekëqijtë e ushqyer me ideologji staliniste donin që Shqipërinë e pushtuar ideologjikisht ta kthenin në një tokë të zaptuar kulturalisht, ku natyrshëm s’mund të kishte vend për shkrimtarë të llojit të Fishtës, vepra e të cilit u qit në harresë dhe u ndalua, kurse autori s’u la të prehej i qetë as në varr. ( Drita-Ndue Ukaj)
Lasgush Poradeci: “Shkëmb i tokës dhe shkëmb i shpirtit shqiptar, ky është si të thosha “monopoliteti” gjenetik i artit të Fishtës, kështu do t’i thosha me dy krahasime paralele gjithë poezisë që na ka falur ky vigan i kombit.
Skënder Gjinushi: “Gjergj Fishta është një figurë mbizotëruese për botën albanologjike të kohës që jetoi” Hits: 160
“Fishta ka qenë gjithnjë aty ku po ndodhte historia me gjithë dritëhijet e veta; është një emër që nuk mund të ndahet prej momenteve më të rëndësishme të saj.”
Dijetari gjerman Maximilian Lambertz, kur shkroi se Lahuta e Malcìs ishte epopeja e madhe e shqiptarëve krahasuar me eposin e kreshnikëve, të cilin e quante epopeja e vogël, me siguri këtë kishte parasysh. Eposi heroik legjendar ishte i vogël jo nga bëmat, sepse bëmat e tij ishin të mbinatyrshme, por për shkak se shqiptarët tashmë kishin nevojë për heronj të vërtetë, për njerëz frymëzues që nuk luftonin për bjeshkë e grabitje, por për kufirin e shtetit, për trojet e të parëve. Këtë shpërngulje të madhe epokale prej një periudhe të kryehershme, që ishte mbyllur me këngët për betejën e Fushë Kosovës, e bëri Gjergj Fishta.
Në traditën e shkrimeve shqip shumë herë ka ndodhur që laikja dhe religjiozja të bëhen bashkë. Por Gjergj Fishta, edhe duke qenë një poet që vinte nga radhët e klerit franceskan dhe që urdhri i rendit i kërkonte respektimin e kanonit, arriti si rrallëkush tjetër t’i bënte bashkë mitet pagane dhe mitet e krishtera, në një vepër që kishte receptimin më të madh për kohën kur u botua. Ky ishte një akt i shkëlqyer emancipimi, që do të guxonim ta quanim edhe iluminist. Figurativisht vepra e Gjergj Fishtës i kaloi të tria fazat: parajsën, ferrin dhe purgatorin. Prandaj flasim për tri kohë të Gjergj Fishtës në historinë e letërsisë shqipe, që janë kohët e nderimit, mbijetesës dhe rikthimit.
Besa Hoxha Beqiri, Prof. Asst. Dr. Kolegji AAB Gjergj Fishta është një ndër shkrimtarët më të analizuar të letërsisë shqiptare. Çështja e mohimit të tij gjatë periudhës së komunizmit në Shqipëri, si dhe vlerat e pamohueshme letrare kanë bërë që studiuesit e ndryshëm ta rikthejnë fuqishëm, me gjithë faktin se Fishta ishte gjithnjë prezent. Për kohë të gjatë, në periudhën e censurës komuniste, gjegjësisht deri më 2014, është menduar dhe shkruar për ndalimin e disa shkrimtarëve të periudhës 1912-1939, përfshirë edhe Fishtën. Në një përfundim të tillë vihet nga vetë fakti se veprat e ndryshme kritike dhe të historisë së letërsisë, si dhe antologjitë e periudhës së pasluftës, qofshin shkrime individuale apo grupore, nuk kanë përfshirë Fishtën në to. Aq më tepër, pas demokratizimit të Shqipërisë, u shkrua për ndalimin e shkrimeve të Fishtës për një periudhë pothuajse gjysmëshekullore nga censura e kohës. Fishta gjatë sistemit komunist dhe përfshirja e tij në historitë e letërsisë shqipe, pas vitit 1968, vit ky i ndalimit të dorëshkrimit “Historia e letërsisë shqipe 1912 – 1939”.
Autorja e librit Hulumtime mbi veprën e Át Gjergj Fishtës, Blerina Suta për studimin e veprës së Fishtës propozon metodën semantiko-interpretuese, për të cilën është paraprakisht e domosdoshme botimi i veprës në parametrat e saktë të vullnetit të autorit, si dhe atë filologjiko-interpretuese, përmes të cilave vlerat filologjike të tekstit do të kontekstualizohet në sfondin kulturor të realitetit ballkanik, që e ushqeu atë dhe të cilit i drejtohet vepra e Fishtës. Moderniteti i veprës dhe tejkalimi i modelit romantik qëndron posaçërisht në këtë përdorim gjenial të gjuhës së përditshme, të mesazhit romantik popullor të eposit sllav dhe përmbysjes së të vërtetës historike që bart e vetë e dukshmja artistike e këtyre shkrimtarëve. Fishta mund të kanonizohet si poet i stilit dhe jo si poet i kombit e, njëkohësisht, vlera historiko-sociale e veprës së tij të bëhet pasuri e trajtesës identitare kombëtare. Në këtë këndvështrim, rasti i tij i përgjigjet edhe çështjes së historiografisë letrare, të mohuar prej strukturalizmit, të asaj historiografie që shpreh memorien kolektive të një bashkësie të caktuar në fushë të letërsisë e në të njëjtën kohë reflekton konfliktin aktual të interpretimit.
Kanë fyer e përçmuar Gjergj Fishtën, Faik Konica, Ismail Kadare, Skifter Këlliqi…
Një kritik i Fishtës dhe i veprave të tij ka qenë edhe Faik Konica, i cili nuk e rrudhte gojën për të kritikuar të gjithë ata, që sipas mendjes së tij sedërtare , do të mateshin me te, dhe për të cilët mendonte se ishin nën te. Konica që kishte bërë përpjekje ta deklasonte Naim Frashërin, duke e quajtur poet të totave e tatave, kishte kritikuar Fishtën madje Lahutën e Malësisë e kishte nënçmuar si një poemë baritore kalorësiake.
Ja si kishte kritikuar e më pas kishte lavdëruar Faik Konica, Gjergj Fishtën.
Auktori i Lahutës së Maltsies është duke gatitur edhe të dytën pjesë të këtij libri açe të pëlcyer. Sa ka cen’ i pëlcyer, munt të kuptohet nga tsa fjalë ce po hecim prej një letre ce muarme tani shpejt: “Të katër tsopet e Lahutës i kam nis për Shcypnie, ci le t’i shpërdajn ndër Male, se jan fort të mira mer me u ‘nex gjakun Shcyptarve.” Cinizmi i Konicës nuk mbaron me aq. Ai kritikon Fishtën se ka kërkura ndihma nga Shteti për ta botuar e shpërndarë veprën e tij.
Çudi! Në vend që të kërkojë të shtohet ndihma, dhe në qoft’ e mundur t’u zgjatet dora edhe shoqërish muzikale të tjera kur këto shoqëri stervisin popullin me muzik klasike, At Gjergj Fishta i këshillon Guvernes të mos ndihhe…
Konica ka kritikuar veçmas Kongresin e Alfabetit të mbajtur në Manastir, në vitin 1908, ku kishte marrë pëlqimin projekti i Fishtës për 36 shkronjat e gjuhës shqipe.
Këta Shqipëtarë (apo a të thom, duke imituar një fjalë të Nietzches, këto Siper – Shqiptarë, se me të vërtet kanë dalë permi të tjerët duke shpënë në një lartësi të çuditshme gjithë vetijat e mira të kombit t’onë: besën, taktin, hoboresinë, kontemnimin e dinakërisë anadollake, etj.) u mbyllne në një odë dhe pas shumë dhembjesh pollne këtë kryevepre, ështëç fjala për të arriturat e Kongesit, të cilin Konica e mohonte dhe deri në vdekje ka shtuar me alfabetin e vet.
Mirëpo Konica ishte nga ata shanin e lavdëronin, që ndërronte mendimet e bindjet, sipas vaktit. Pavarësisht si kishte shkruar për Fishtën, Naimin, Nolin e të tjerë, ai fyente edhe lavdëronte, ku e donte nevoja. Ndërkohë, Faiku ka shkruar edhe fjalë të mira për Fishtën, ashtu sikur kishte bërë edhe Ismail Kadare, shumë kohë më vonë.
Konica: Do të përmend para të gjithëve Gjergj Fishtën, një françeskan i lindur në Zadrimë, i cili nuk është vetëm poet; ai, gjatë një të katërt shekulli, ka qenë një udhëheqës intelektual me influencë. Atë Fishta e ka treguar zotësinë e vet në çdo lëmi të letërsisë; ai ka shkruar poema, komedi, dhe të gjitha i kanë dalë me sukses. Por, jashtë kufijve të Shqipërisë, ai njihet vetëm si autor i “Lahutës së Malësisë”, një poemë baritore kalorësiake. Përkthimi në gjermanisht, i botuar disa vjet më parë në Laipcig, të jep vetëm një ide të zbehtë të origjinalit, sepse muzikaliteti i ritmit të Fishtës dhe koloriti i fjalëve janë të papërkthyeshëm.
Duke folur për Konicën e të tjerë si ai Fan Noli i Madh, më katër fjali i kishte bërë portretin intelektual Faik Konicës: Dhe Faiku faqe ndërron, dje shante sot lavdëron, fryn fulqitë e trumpeton, se katrani zbardhëllon.
Janë të njohura kritikat malicioze, nënçmuese, fyese e denigruese, që i ka bërë veprës së Gjergj Fishtës, shkrimtari Ismail Kadare, deri në vitin 1990, kur më pas edhe ky si dikur Faik beu kishte filluar ta lavdëronte krijimtarinë e Fishtës.
Kadare për Gjergj Fishtën
Që Fishta ishte konservator, reaksionar dhe nacionalist, madje shovinist, për të mos përmendur folklorizmin e patriarkalizmin, e kisha shumë lehtë ta besoja.
Përgjigja është e qartë për të gjithë: ky konservator ka qenë Gjergj Fishta. Fanatik i tërbuar, idealizues i çdo gjëje patriarkale, apologjet i fesë, i institucioneve mesjetare, hymnizues i primitivizmit, armik i egër i çdo përparimi – ky është portreti i këtij letrari prift. Lahuta Malsisë” një vepër për analfabetët, për çobanët, për ambientet pastorale, për antishqiptarët, proitalian, për zyrtarët, që nuk u punonte truri për me gjetë thelbin e saj monstruoz. Siç ndodhte shpesh me krijimet që kanë vulën e nacionalizmit, vepra e Fishtës, e sidomos “Lahuta Malsisë”, fitoi një popullaritet të veçantë, qoftë me rrethet zyrtare, sidomos ato proitaliane e më pas kuislinge, qoftë me shtresa të prapambetura e disa herë analfabetë të popullsisë, të cilat nuk ishin në gjëndje të kapnin thelbin e saj, por e shihnin ate pjesërisht si një zinxhir episodesh. Veprës së Fishtës, sidomos “Lahutës së Malsisë” i u ngrit një kult e iu u bë një reklamë e tillë , saqë rrezikonte ta kthente në një gur varri sa ti merrte frymën gjithë letërsisë shqipe. (Ismail Kadare)
Në plenumin e 4-të të Komitetit Qendror të Partisë shoku Enver, në një mënyrë thellësisht marksiste, zbërtheu esencën e vërtetë konservatore të borgjezisë dhe të revizionistit të sotëm. ‘Karakter konservator – thotë shoku Enver, – kanë jo vetëm ideologjitë e vjetra që vinë nga thellësitë e shekujve, por edhe ideologjia e kultura e sotme e degjeneruar borgjeze e revizioniste, i gjithë liberalizmi e modernizmi i tyre’.
Duke zbatuar tezën e shokut Enver në terrenin e letërsisë dhe të arteve, nuk është vështirë të dallojmë në kohën tonë aleancën e shenjtë të konservatorizmit më të tërbuar me modernizmin më të shthurur. Le të kujtojmë disa fakte nga historia e letërsisë sonë.
Cili ka qenë konservatori më i madh i letrave shqipe dhe jo vetëm i letrave, por i gjithë kulturës sonë? Përgjigja është e qartë për të gjithë: ky konservator ka qënë Gjergj Fishta. Fanatik i tërbuar, idealizues i çdo gjëje patriarkale, apologjet i fesë, i institucioneve mesjetare, hymnizues i primitivizmit, armik i egër i çdo përparimi – ky është portreti i këtij letrari prift. Mirëpo, nga ana tjetër po të bëjmë pyetje se cili ka qënë liberali më i madh i letërsisë sonë, përgjigja është po ajo: përsëri Gjergj Fishta. Filoitalian i papërmbajtshëm, agjent i Vatikanit, emisar i pushtimit fashist, partizan i çkombëtarizimit dhe i romanizimit të kulturës sonë.Pra, nga një anë kryekonservator fanatik, nga ana tjetër kryeliberal. Shovinist i tërbuar dhe njëkohësisht kozmopolit i tërbuar.Kur ishte fjala për idetë e reja shoqërore, përparimin, për revolucionin, ai ishte konservatori më fanatik. Kur ishte fjala për fatet e atdheut, për lirinë, për kufijtë ai ishte liberali më i madh. (“Zeri i Popullit”, 13 janar 1974, f. 3.)
Një tjetër kritik, i Lahutës së Malësisë, Skifter Këlliqi, nuk fyen e nuk përçmon sikur Konica e Kadare, por nuk pajtohet me mendimet e Fishtës, nuk pajtohet me disa nga qëndrimet e tij, sidomos kur Fishta flet mirë për Sulltanin, të cilin e quan edhe mbret edhe të shqiptarëve. Këlliqi e këshillon Fishtën si do të duhej të kishte shkruar, e qorton për gjuhën dialektore, e qorton për bindjet e tij të matura, për tolerancën fetare, për vendin e madh që i ka dhënë luftë së shqiptarëve kundër shkjeve të Ballkanit, madje duke shprehur edhe konsideratë e lavde për Mark Millanin dhe luftën e tij kundër shqiptarëve, që ishin në Turqinë. Këlliqi kritikon Fishtën për bindjet e tij kombëtare, politike, ideologjike, madje duke e mësuar sesi do të duhej të kishte shkruar, jo sipas bindjes së vet, në kohën dhe hapësirën e tij historike, por sipas botëkuptimeve të vetë Sfifter Këlliqit. Ja një fragment sa për ilustrim:
…Në vargjet e mësipërme Fishta dy herë nënvizon fjalën “mbret”. Kuptohet se me të ai nënkupton sulltanin e Turqisë. Pra, shqiptarët t’i shërbejnë sulltanit dhe madje për të mos i dhimbset as jeta, ashtu si Oso Kukës…
Në zërin “Oso Kuka”, të përfshirë në FESH, botim i dytë, midis të tjerash, shkruhet:”Atdhetar nga Shkodra, komandant i një njësie, që dha jetën për mbrojtjen e trojeve nga shovinistët malazeze”, (faqe 1396,vëllimi i dytë, 2008). Pra, nuk theksohet shprehja që ai dha jetën edhe ” për mbret”, me një fjalë për Sulltanin, paraardhësit e të cilit prej shekujsh kishin pushtuar Shqipërinë dhe të cilën ai e mbante me dhunë nën sundimin e tij mizor.
Mendoj se edhe Fishta kishte mundësi të mënjanonte shprehjen “për mbret”, të cilën e ka nënvizuar edhe në fund të faqes 44, kur shkruan:
”Mallkue qoftë njaj n’Shqipni,
…qi për mbret e për liri,
s’çohet sot me armë mizore…”.
(“Vranina”, faqe 44)
Po ashtu dhe në Këngën e Dytë “, Oso Kuka”, ai mund të mënajnonte dhe takimin e këtij heroi me Avdi pashën, sundimtarin turk të Shkodrës, të cilit i kërkon 40 trima dhe me ta niset për në Vraninë, për t’u përballur me trupa malazeze që kërkonin të pushtonin toka shqiptare, por që ishin prej shekujsh të pushtuara nga Turqia…
(Skifter KËLLIÇI: NJË LEXIM NDRYSHE I “LAHUTËS SË …https://alb-spirit.com › 2017/07/05)
Përfundimi
Vështrimi im për imagjinatën krijuese, artistike të Gjergj Fishtës, ka për qëllim t’ i ofrojë lexuesit e studiuesit e veprave të këtij krijuesi të madh edhe këtë segment të krijimtarisë së tij, sepse, me sa di unë, ka pak shkrime e studime në letrat tona që trajtojnë imagjinatën e krijuesve, ato kreativet, të dobishmet, të domosdoshmet, të cilat janë vënë në funksion të idesë për krijimtari të dobishme, jo si qëllim për vetvete.
Duhet pasur parasysh edhe faktin se krijimtaria e Gjergj Fishtës tashmë i përket epokës së tij, shekullit të kaluar dhe ajo kundrohet në këtë aspekt në kohën e hapësirën e tij, por kjo nuk do të thotë kurrsesi, të pushojnë gjurmimet e studimet për jetën dhe veprën e tij, sepse Fishta mbi të gjitha ishte krijues erudit, meqë për kohën e tij dispononte mendjen e eruditit, të gjeniut shqiptar të kohës.
Po ashtu Fishta në jetën e tij praktike profesionale ishte edhe klerik fetar, madje shumë i nderuar dhe i respektuar edhe nga Vatikani, Qendra e Katolicizmit botëror.
Gjergj Fishta ishte edhe politikan e diplomat shqiptar.
Mjafton të lexohet me kujdes, në mos më shumë, “Fjala e Gjergj Fishtës në Konferencën e Paqes në Paris”, në vitin 1919, për të parë dhe për t’ u bindur në qëndrimin e tij sa parimor, po aq edhe goditës, sa i sinqertë po aq edhe luftarak, sa prift i butë e human, po aq edhe trim e guximtar kastriotian, në deklarimin e së vërtetës tragjike, e cila ishte larë me gjak shqiptarësh të pafajshëm, vetëm pse epoka i kishte krijuar si të tillë dhe nuk pranonin të ndërroheshin e të katandiseshin, sepse tekefundit ishin njerëz, si gjithë të tjerët, por padrejtësisht ishin sulmuar nga të gjithë, si nga “shkiet” e Ballkanit, ashtu edhe nga shtetet e Evropës, pa as edhe një përjashtim, si nga Rusia ashtu edhe nga Turqia. Jo të gjithë politikanët shqiptarë të kohës janë treguar në nivelin e tij në mbrojtje të të drejtave tona kombëtare e njerëzore.
Fishta ka qenë krijuesi më i anatemuar shqiptar për afër 40 vjet.
Ai shpëtimin e shqiptarëve e kishte mbështetur në një aleancë të fuqishme botërore, e cila për herë të parë pas vitit 1912, kur trojet shqiptare ishin përgjakur ndarë, copëtuar e degdisur i kishte kthyer në një shtet të përbashkët etnik në vitin 1941, kur Fishta kishte ndërruar jetë. Se si pësoi ajo Aleancë dihet edhe kjo, por pa Aleancën e vitit 1999 çka do të kishte ndodhur me ne në Kosovë. Natyrisht se nuk janë të njëjta aleancat për qëllimet e tyre dhe të interesave të tyre kanë qenë dhe kurdoherë mbesin të njëjta, në radhë të parë për interesat e tyre…
Literatura:
–Gjergj Fishta: Lahuta e Malësisë, botimi i katërt.
-Eqrem Çabej: Gjergj Fishta, botuar me rastin e vdekjes së poetit, në vitin 1941 nën kujdesin e revistës, “Shkëndija” në Tiranë.
-Radio Vatikani:Atë Gjergj Fishta, figurë e madhe e Kombit dhe Kishës shqiptare
-Illyria 10/23/2021.
-Baxhaku, Fatos, 1912-1913: Rrethimi i fundit i Shkodrës, gazeta Shqip, 18 gusht 2012.
-Bushati, Hamdi, “Shkodra dhe Motet”, Vëllimi I, Shkodër 2005.
-Parruca, Agim, “Shkodra bastion i qytetërimit shqiptar”, Tiranë 2003.
-Salleo, Ferdinando, “Shqipëria: gjashtë muaj mbretëri”, SHLK, Tiranë 2001.
-Bushati, Hamdi, “Shkodra dhe motet”, Shkodër, 1998:451-453.
-Zambaur, H., Rrethimi i Shkodrës-10 tetor 1912-22 prill 1913, Shkodër, Camaj-Pipa, 2006.
-Rexhep Qosja, Shkrimtarë dhe periudha, Tiranë 2005, f.149.
-Besa Hoxha Beqiri, Prof. Asst. Dr. Kolegji AAB
-https://lahutaemalcis.wordpress.com/analize-personazhesh, Ledia Duzha)
-Kadare: Gjykimet e mia për Fishtën dikur, të gabuara. ( Gazeta shqip)
-Zemra shqiptare, Irhan Jubica.
-Portali, Radi and Radi.
-(https://krijuesiterinj.com/wp-content/uploads/2021/04/Lahuta-e-Malcis-Gjergj-Fishta.pdf
-Ahmet Qeriqi: Gjergj Fishta është tepër i madh për të pasur nevojë “të mbrohet duke u kafshuar” nga një biçim tarafësh I
-Ahmet Qeriqi: Gjergj Fishta kishte mbështetur fuqishëm interesin e shqiptarëve në kohën e rrezikut të shpërbërjes II
-Ahmet Qeriqi Fjala e Fishtës në Konferencën e Paqes në Paris katër studime… Faqja e Radios Kosova e Lirë, ose google
-Ahmet Qeriqi Fjala e Fishtës në Konferencën e Paqes në Paris I II III I Zanimalsise.com.
-www.gazetashkodra.net
– Zëri i Popullit”, 13 janar 1974, f. 3.
-https://exlibris.al/mes-kritikave-dhe-lavderimeve-faik-konica-per-fishten/
-Skifter KËLLIÇI: NJË LEXIM NDRYSHE I “LAHUTËS SË …https://alb-spirit.com › 2017/07/05).