AAK-ja dhe Nisma pas protestës së mbajtur në Prishtinë, kanë paralajmëruar vazhdimin e kundërshtimit ndaj Marrëveshjes për demarkacion me Malin e Zi dhe Marrëveshjes për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Qeveria e Isa Mustafa nuk e ka ndërmend të ndryshojë pozicion dhe t’u përgjigjet kërkesave të opozitës, sidomos me protesta paqësore, edhe pse protestës së mbajtur nga AAK dhe Nisma iu përgjigjën mijëra qytetarë. Prej aty u tha se Qeveria aktuale ka humbur legjitimitetin dhe se rrugëdalja nga kriza janë zgjedhjet e parakohshme. Sekretari i Nismës për Kosovën, Bilall Sherifi ka deklaruar për mediet se protestat e opozitës do të vazhdojnë derisa Qeveria të detyrohet të marrë para sysh kërkesat e drejta.
