Ramush dhe Daut Haradinaj

Albini e Vjosa fyejnë Ramushin e Dautin, por e lavdërojnë Luanin e Shkëlzenin, të rënët qenkan të mirë, të gjallët!?

Përkujtimi i dëshmorëve dhe emisionet e përditshme që transmetohen nga Radio-Kosova e lirë për 23 vjet rresht, pa asnjë ditë mungesë e kanë bërë të vetëm. Po ashtu edhe Kalendari Kombëtar i Radios-Kosova e Lirë dhe i TV-Diellit. Këto dy burime  informatash, faktesh e të dhënash për luftën e UÇK-së dhe historinë e kombit përgjithësisht  janë burim kopjimi nga disa media, e copy portale, të cilat shërbehen si pa të keq  si “Kopshtin e babës”, por pa e  cituar asnjëherë burimin.

Pavarësisht se nuk citohet burimi, pavarësisht se tekstet e monografive zyrtare interpretohen në filma të shumtë dokumentarë pa lejen e Redaksisë, është me rëndësi se ato tekste janë të shtjelluara me fakte e burime të dorës së parë dhe  në to nuk është deformuar as deformohet dot lufta e UÇK-së.

Në dy tri vitet e fundit për çdo ditë përkujtohen dëshmorët, martirët, masakrat serbe, derisa ne i kemi përkujtuar prej 4 janarit të vitit 1999 e deri sot. Megjithatë më mirë vonë se kurrë. Por shumica e këtyre medieve këtë punë e bëjnë për të qenë të klikuara, sepse nuk e marrin mundin vetë të shtjellojnë biografi të dëshmorëve ashtu sikur kemi bërë e bëjmë ne në Radio. Ato i marrin të gatshme, duke shkëputur e amputuar pjesë dhe duke mos cituar asnjë burim.

Në vitin e fundit vërehet fushata që po bëjnë tre krerët e institucioneve, Kurti, Osmani, Konjufca për të vizituar varrezat e dëshmorëve, të martirëve e të masakruarve, duke mbajtur fjalime patriotike, duke rrahur gjoks për çlirimin e vendit, duke kërcënuar akuzuar Serbinë  për krimet e masakrat por edhe duke biseduar dhe duke u përshëndetur e duke qëndruar ballë për ballë me Vuçiqin e të tjerë.

Për çdo ditë ose shkojnë e bëjnë homazhe, ose postojnë shkrime me plot lëvdata, për ta trashur patriotizmin me bateri dhe për t’ i treguar opinionit se sa fort i dashkan dëshmorët, ata që nuk janë më në mesin tonë, por sa vështirë qenka të përmenden emrat e bashkëluftëtarëve të tyre sepse  duke qenë gjallë qenkan bërë pengesë për proceset çlirimtare të Albinit, Vjosës dhe Glaukut.

Ajo që bie në sy dhe që nuk është rastësi, por një cinizëm i ulët dhe i paedukatë është kur përkujtohet, Luan Haradinaj, madje lavdërohet e veçohet si trim i hero, ndërkohë vëllai i tij, Ramushi, bashkëluftëtari  që e kishte bartur me orë të tërë mbi supe, të plagosur e të gjakosur, edhe vetë me plagë të luftës, fyhet, nënçmohet, përçmohet nga po të njëjtit. Sipas kësaj logjike bizare, del se vetëm ata që kanë rënë ( që kanë vdekur) paskan qenë të mirë, vëllezërit e tyre, bashkëluftëtarët e tyre, familjarët e tyre  paskan qenë dhe qenkan  kriminelë, të korruptuar e pa asnjë meritë.  A nuk ka një ngjashmëri kjo me atë fjalën kriminale serbe: Vetëm shqiptari i vdekur është shqiptar i mirë. ( Samo mrtav shiptar je dobar shiptar)

Shkojnë këta mjeranë politikanë edhe te varri i Bahriut, mbase kanë edhe obligime politike, gjithsesi edhe patriotike, por harrojnë fjalët e Bahriut largpamës, mesazhin e artë dhe kuptimplotë të Bahriut: Mos na vizitoni te varrezat, por nëse na keni dashur dhe na doni, ecni rrugës në të cilën kemi ecur ne. (RKL)

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …