Gjenerali i luftës Atdhetare të Kroaci, Rrahim Ademi, na u bë i gjallë 23 vjet pas luftës, me një intervistë skandaloze për RTK-në, e cila jo vetëm që nuk i bën fare nder, por e bën edhe më të zezë e më të dyshimtë mos pjesëmarrjen e tij në luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Po të kishte reaguar përnjëherë pas luftës, dikush edhe do të mund të besonte se ishte ndjerë i anashkaluar edhe pse e vërteta ishte ndryshe.
Po të kishte reaguar me rastin e Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, edhe kjo mbase do të kishte pasur një arsye, po të kishte reaguar me rastin e themelimit të Gjykatës Speciale, po kështu do të kishte pasur ndonjë efekt, por reagimi pas 23 vitesh, flet vetvetiu, se “gjeneralit nuk paska pasur kush t i shkruajë” dhe t i kujtojë se cila ishte lufta heroike e UÇK-së, në të cilën morën pjesë shumë nga kolegët e tij, për të cilët ai flet me përçmim, pasi me kohë nuk tregoi trimëri, as gatishmëri t i bashkohet luftës për Çlirimin e Kosovës, ashtu sikur iu kishte bashkuar një segmenti të luftës për çlirimin e Kroacisë.
Është për keqardhje kur në këtë kohë dhe në këtë moshë e paraqet lakuriq vetveten, duke pretenduar i zhvesh të tjerët nga meritat, madja duke treguar një prepotencë deri edhe naive sikur është rasti i përçmimit të Bekim Berishës, për të cilin në ditën e rënies së tij në Kosovës, Kuvendi i Kroacisë kishte mbajtur heshtje për kontributin e tij dhënë Luftës së tyre Atdhetare.
Është fat i madh që luftës për çlirimin e Kosovës, iu përgjigjen shumica e oficerëve të ish-RSFJ-së, nga radhët e të cilëve ranë edhe dëshmorë të kombit e Atdheut.
Kontributi atdhetar që i kanë dhënë drejtimit të luftës, Gjeneral Agim Çeku, gjeneral, Bislim Zyrapi, oficeri emblematik, heroi i Kosovës dhe i Kroacisë, Bekim Berisha, luftëtari i katër luftërave çlirimtare, Naser Ademi, Gjenerali, Gëzim Ostreni, heroi, Abaz Thaçi, e shumë të tjerë, jo vetëm që nuk mund të kontestohen, por vetë përpjekja për shfaqje dyshimi e zhvlerësimi, është akt antikombëtar.
Mbase edhe bëri mirë ky gjeneral që nuk iu bashkua luftës sepse duket se do të kishin pasur një tjetër Tahir Zemë dhe disa të tjerë që nuk po u përmendim emrat kësaj radhe, në mesin e tyre edhe dëshmitarë të mbrojtur të Prokurorisë së Gjykatës Speciale.
Në reagimin e tij plot fakte e dëshmi, luftëtari i lirisë, eprori UÇK-së, Mark Shala ka sqaruar fare mirë pozitën e gjeneral Ademit. Ai ndër të tjera thotë:
Por ti kthehemi thelbit të reagimit. Cilat janë të vërtetat e takimeve me Rrahim Ademin kur përveç meje ka edhe dëshmitarë tjerë. Po ja rikujtoj gjeneral Ademit (se i kishte harruar emrat sikur kishte harruar shumë çka tjetër se në takimin e Splitit të mbajtur në vitin 1998 kanë qenë të pranishëm: Gjeneral Tomë Berisha, Halil Bicaj, Ramiz Beiqi, Bedri Selmani, Fadil Demiri, unë Mark Shala dhe Gjeneral Agim Çeku si inicues i takimit. Edhe në atë takim edhe në takimet tjera, gjeneral Ademi ka mohuar kategorikisht mundësinë për të udhëhequr UÇK në, dhe për t’u bërë pjesë e saj. Bile është munduar të dekurajojë edhe të tjerët që kanë treguar vullnet për t’iu bashkuar luftës në Kosovë.
Po ashtu po ia rikujtojë edhe takimet qe kemi pasur bashkë me gjeneral Çekun në shtëpinë e gjeneral Ademit ku ka qenë e pranishme edhe bashkëshortja e tij, Anita.
Rrahim Ademi e din fort mirë si kanë shkuar këto takime por për hir të korrektësisë dhe miqësisë se dikurshme po e kursej nga detajet e atyre takimeve. Megjithatë unë jam i gatshëm që të ballafaqohem edhe publikisht me gjeneral Ademin për t’i sqaruar pretendimet e tij kurdoherë që ai është gati.