TAKIMI ME ENVER HOXHËN
Në janar të vitit 1980 u takova me Enver Hoxhën, ku i raportova për arritjet në fushën e arsimit dhe kulturës, si dhe disa probleme e pengesa, që na dilnin si:
1.Për nevojën e dërgimit të shumë studentëve e specializantëve jashtë shtetit me grupe më të mëdha dhe në disa fusha të domosdoshme të ekonomisë e kulturës, sepse deri atëherë ishin dërguar vetëm disa studentë në shkencat ekzakte. Ne kemi shumë bursa, që nuk po i shfrytëzojmë nga UNESC-o, nga PNUD-i, nga FAO, nga Marrëveshjet Kulturore me Shtetet e ndryshme etj.
Enveri na orientoi, që të dërgohen grupe të mëdha nga të gjitha fushat, sepse shkenca është universale dhe s’duhet të keni pengesa si Ministri. Sipas këtij orientimi ne filluam të dërgonim nga 300 studentë e specializantë për çdo vit, që ndikuan në ngritjen e mendimit shkencor të të gjitha fushave.
2.Për vështirësitë që kishim hasur me Komitetet e Partisë të rretheve për zbatimin e Udhëzimit të MAK-ës për kriteret e pranimit në shkollat e larta të nxënësve me rezultate më të mira. Komitetet e Partisë mbi Udhëzimin e Ministrisë kishin vënë si kriteret që të vazhdojnë shkollën e lartë vetëm një fëmijë për çdo familje pavarësisht nga rezultatet. Ky kriter na ka krijuar si problem, se nuk po tërhiqen nxënësit më të mirë për të vazhduar studimet në shkollat e larta. Pas këtij takimi, qëndrimet e Komiteteve të Partisë të rretheve ndryshuan dhe filloi të zbatohet Udhëzimi i MAK-ës.
Ky raportim tek Enver Hoxha dhe pyetjet e udhëzimet që më dha, janë botuar në veprën “Enver Hoxha për Shkencën”.
Enveri më foli edhe për marrëdhëniet me Kosovën e viset e tjera shqiptare përtej kufirit dhe u përlot. Më tha: “Ti do të kesh fatin sivjet të vizitosh Kosovën, sipas ftesës që të kanë bërë. Ne kemi sukses me Kosovën se je ti ministre, që vjen nga një familje e madhe patriote, që i planifikoni dhe i ndiqni shumë mirë detyrat për marrëdhëniet me Kosovën.
I kam thënë edhe Ramizit (Alis) që marrëdhëniet më Kosovën janë vëllazërore e jo partiake dhe të mos përmendet emri im(Enverit) dhe i partisë. S’duhet t’i lejoni t’i etiketojnë si titistë e agjentë të UDB-ës shqiptarët e Kosovës. Ata janë më patriotë se ne, sepse luftojnë si kundër sistemit titistë ashtu edhe kundër shtypjes e diskriminimit serb. Shqiptarët e Kosovës janë shprehur, se “vetëm kur të kalojnë mbi trupat tanë, mund të sulmohet Shqipëria”. Këtë shprehje e dëgjova edhe nga Pajazit Nushi, kur na priti në Prishtinë si n/kryetar i KE.
Për mua qenë më se të qarta këto orientime.
Deri atëherë ne kishim zhvilluar marrëdhënie institucionale me Krahinën Autonome të Kosovës, dmth, Universiteti i Tiranës kishte lidhur marrëveshje e protokolle bashkëpunimi me Universitetin e Prishtinës të hapur në vitin 1968 dhe të firmosur nga dy rektorët, prof. Jorgji Sota rektor i UT dhe Dervish Rozhaja rektor i UP. Këto marrëveshje e protokolle nënshkruheshin çdo vit nga rektorët përkatës. Pedagogët e Universitetit të Tiranës dhe të Instituteve të Larta të Shqipërisë realizonin 80 % të progranit të UP e të Instituteve të tjera të Larta të Kosovës me dhënie leksionesh e marrje në provim, me udhëheqje diplomash e doktoranturash. Shkollat e të gjitha cikleve, që nga kopshti e deri edhe shkollat e larta punonin me tekstet tona. Çdo vit vinte drejtori i Entit Botues Rilindja, Rexhep Zogaj në Shtëpinë Botuese të Librit Shkollor dhe në Shtëpinë Botuese të Librit Universitarë, merrte tekstet tona dhe, pasi u hiqnin politizimet, i ribotonin për shkollat e Kosovës dhe shkollat shqipe në Maqedoni e Mal të Zi.
Akademia e Shkencave të Shqipërisë kishte marrëveshje me Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Kinostudioja “Shqipëria e Re” e Shqipërisë kishte marrëdhënie me Kosovafilm, Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë me Bibliotekën Universitare të Kosovës, Teatri Kombëtar me Teatrin e Prishtinës, Muzeu Kombëtar me Muzeun e Prishtinës, Institutet e Larta të Shqipërisë me Institutet përkatëse të Kosovës, AQSH me Arkivin e Kosovës, Shtëpitë Botuese të Shqipërisë me Entin e Botimeve të Kosovës, Instituti i Studimeve Pedagogjike me Institutin përkatës të Kosovës e shumë marrëveshje të tjera.
Ishte përgatitur një Projektmarrëveshje arsimore e kulturore dhe shkencore midis RPSSH dhe RSFJ, por sa isha unë ministre nuk e firmosa, sepse synonte t’i pakësonte dhe t’i vinte nën kontroll aktivitetet me Kosovën.
Në tetor të vitit 1980 kam vizituar Kosovën, që ka qenë e mbetet vizita më e bukur e jetës time. Më pritën e rrethuan me shumë dashuri si një motër nga drejtuesit e institucioneve të shtetit e ato arsimore e shkencore. kulturore e artistike, nga rinia e populli i thjeshtë. M’u ofrua, që të bëja një vizitë në Beograd, për të ngritur nivelin e vizitës, por nuk pranova, duke u shprehur: “Po vizitoj Kosovën, se më ka ftuar Kosova. Kur t’ më ftoj Beogradi, do të shkoj në Beograd”.
Kur u ktheva në Shqipëri si Qeveri shkuam për vizitë me 16 tetor, për t’i uruar ditëlindjen Enver Hoxhës. Enver Hoxha kërkoi t’i raportoja unë për vizitën në Kosovë, sepse tha:” Teuta ka qenë tek vëllezërit”, ndërsa Themije Thomaj, ministrja e bujqësisë kishte bërë vizitë në Greqi dhe tha:” Themija ka qenë tek miqtë”.
Unë i fola për pritjen e ngrohtë e vëllazërore që na u bë si delegacion në të gjitha nivelet. Që në kufi na priti Ymer Jaka, sekretar i Arsimit e Kulturës dhe Shkencës të KEK dhe dy pionier, që quheshin djali Bashkim e vajza Shqiponja më dhuruan një buqetë me karafila. Enveri u përlot dhe tha:”Na e dhanë mesazhin me emrat e dy fëmijëve”.
Nga informimi im gjatë pritjes, Enver Hoxha dhe Mehmet Shehu thanë, se vizita e ministres së Arsimit dhe Kulturës ka qenë e suksesshme.
Në takimin e Ambasadorit të RPSSH-së në Beograd, Sokrat Plaka me Fadil Hoxhën më 29 nëntor 1980 në pritjen e organizuar me të ftuar e trupin dipllomatik, Fadil Hoxha është shprehur: “Vizita e ministres së Arsimit dhe Kulturës, shoqes Tefta Cami ka qenë e suksesëshme. Puna që ka bërë Ministria e Arsimit dhe Kulturës në fushën e arsimit e kulturës në Kosovë ka ndikuar në ringritjen e ndërgjegjes kombëtare të brezit të ri të Kosovës. Prishtina na ka shellē një raport të mirë për vizitën e ministres. Ashtu siç punon kjo Ministri, të punojnë edhe ministritë e tjera të ekonomisë të Shqipërisë me Kosovën.
Në shkurt-mars-prill të vitit 1981 shpërthyen demonstratat e studentëve e nxënësve të shkollave në fillim me kërkesa ekonomike dhe më vonë u zgjerua e përfshiu gjithë popullsinë e Kosovës me kërkesa politike dhe parrulla “Kosova Republikë”. Duam liritë e të drejtat e barabarta si të gjitha kombësitë e tjera dhe s’lejojmë të trajtohemi më si popullsi e shkallës së dytë e të tretë. Dhe parrulla e fundit “Republikë- Kushtetutë, ja me hatër, ja me luftë”. Që në atë vit filloi armatosja e popullsisë dhe u hodhën bazat e UÇK-ës.
Beogradi reagoi me raprezalje e dhunë, disllokoi gjithë ushtrinë në Kosovë dhe gjatë gjithë kufirit me Shqipërinë. Dogji të gjitha librat shkencore, arsimore, kulturore e të letërsisë shqipe, një veprim si në mesjetë. I hoqi statusin e Krahinës Autonome dhe Milosheviçi vendosi paramilitarë në Mitrovicën e Veriut, duke larguar me dhunë popullsinë autoktone shqiptare. Është pikërisht ky grup serbësh, që po i krijon shqetësime shtetit të Kosovës sipas urdhërave të Beogradit dhe nëse vazhdojnë të veprojnë kundër shtetit të Kosovës, t’u krijohet mundësi për largimin e tyre ashtu siç i kanë sjellë.
Beogradi akuzoi Shqipërinë si nxitëse të pakënaqësive e të demonstratave në Kosovë, ku m’u lakua edhe emri im në shtypin e Beogradit dhe miqtë e mij i kishin shkarkuar si Pajazit Nushin, Ymer Jakën, Gazmend Zajmin e disa shefa departamentesh e drejtues institucionesh arsimore e shkencore. Shumë veta i kanë burgosur e u kanë ushtruar dhunë e zhdukur. Edhe mua me 20 korrik të vitit 1981 më ndodhi një aksident i rëndë automobilistik. Ditën e tretë të aksidentit, sapo doli im shoq nga dhoma ku isha shtruar në neurologji, vjen një infermjer e më bën një gjilpërë, që kalova në gjendje kome. Kur kthehet im shoq dhe pyeti motrat e mija, Lirien, Dritën, Femijen dhe kushërirën Sabiren, që ishin të pranishme, i treguan për gjilpërën. Nuk ishte shënuar as në kartelë e nuk ishte infermjer i atij spitali dhe nuk u gjet se kush ishte. Të nesërmen më shtruan në klinikën e udhëheqjes. Ditën rrinte motra ime, Femija, që ishte me pushime si mësuese në Shkollën “Mihal Grameno” dhe natën rrinin Moisi e Mehdiu. E kalova gjendjen e pasojat e gjilpërës nga kujdesi i Mehdiut si neuroinfeksionist i shquar. Ky moment mbeti si enigmë e pazbardhur. Me 19 gusht më nisën për në Paris me avion të posaçëm, që më shoqëruan Mehdiu si familjar e mjek, dr.Arjan Xhumari dhe Meriban Hoxha si infermjere. U shtrova në klinikën e profesor Roia Camille të Spitaleve San Petie dhe profesori më ka bërë tri operacione të rënda në cervikale e në shtyllën kurrizore.
Ditarin e vizitës në Kosovë e kam botuar në vitin 2010 me titull “Katër Ditë Vizitë në Kosovë-tetor 1980”, ku përveç ditarit përfshihen marrëveshje e dokumente arkivore, fotografi të vizitës të Ymer Jakës në Shqipëri dhe të vizitës time në Kosovë.
Në vitin 1987 ndahet MAK në dy Ministri dhe si ministër i Arsimit emërohet Skënder Gjinushi, ndërsa si ministër i Kulturës Alfed Uçi.
Unë u emërova drejtoreshë e Shkollës së Lartë të Partisë dhe bëra këto reforma:
1.Studentët, që do të vazhdonin studimet në këtë shkollë të kishin mbaruar shkollën e mesme.
2.Futa një cikël leksionesh të Historisë e kulturës së Shqipërisë, si dhe organizova takime e biseda me personalitete te shquara të ekonomisë e kulturës, të letërsisë e arteve, të shkencave albanalogjike e të sporteve.
3.Futa një cikël leksionesh për Kosovën e trojet shqiptare përtej kufirit, që i kam dhënë unë, përveç leksioneve në lëndën e materializmit historik.
Pas ndërrimit të sistemit, më nxuarrën në pension të parakohëshëm dhe fillova të studjoj në AQSH e në Bibliotekën Kombëtare deri sa u mbyllëm nga Covid-19-të. Kam botuar pesë libra si:
1.Ditari autentik i burgut “Ahmet Feta Cami pjesëmarrës i Dy Luftrave Botërore dhe Dëshmor i Atdheut” me ditarin e vitit 1941-1942, kujtime, dokumente arkivore dhe foto të atyre viteve. (autor Moisi Cami-Tefta Cami).
- Ditari “Katër Ditë Vizitë në Kosovë -tetor 1980” Tefta Cami
- “Mehdi Cani-Misionar i Mjekësisë shqiptare” Kujtime të mija si bashkëshorte, të kolegëve e miqve, të disa të afërmve, dokumente arkivore e foto pune e familjare.
- “Historia e një grushti shteti”, ku përshkruhet grushti i shtetit, që i organizohet Gorbaçovit nga byroistët në BS. Eshtë përkthyer nga unë nga frengjishtja. M’u duk një libër interesantë dhe për koinçidencë kjo ndodhi edhe në vitin 1998 në Tiranë, ku u dogj e u zaptuan Kryeministria e RTVSH-ja dhe u krijua një zallamahi në Tiranë.
5.Një botim, që e kam depozituar vetëm në Bibliotekën e AQSH. Kam shpjeguar me dokumente arkivore konfliktin me Haxhi Lleshin, akuzat e manipulimet, shpifjet e gënjeshtrat e pafund të tij.
Kam edhe pesë libra të tjerë në kompjuter.
Më 29 nëntor të vitit 1992, më erdhën për vizitë dy miqtë e mij, Pajazit Nushi dhe Ymer Jaka, të ftuar nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë, që kishin marrë pjesë me kumtesa në Konferencën Shkencore për përvjetorin e Pavarësisë të Shqipërisë më 1912 nga Ismail Qemali. Më thanë, se do të vinte edhe akademiku Rexhep Qosja, por i kishte dhënë urdhër z.Sali Berisha të largohej nga Shqipëria si i padëshirueshëm dhe ai ishte nisur për t’u kthyer në Kosovë. Në Qafë Thanë në Doganën shqiptare kishin tentuar t’i bënin dhunë dhe një kontroll të imtësishë profesorit. Por kanë ndërhyrë djemtë e dajës tim, Rami, Vehap e Ismet Duka, që po shkonin në Dibër të madhe, që të mos prekej Rexhep Qosja.
Me Pajazit Nushin e Ymer Jakën biseduam si vëllezër dhe më treguan për dënimet e përndjekjet, që u kanë bërë pas demonstratave të vitit 1981, për situatën në Kosovë. Tani kushtet janë krijuar për të qenë shtet i pavarur.
Më treguan edhe për momentin, që unë si ministre kisha dërguar një telegram në fillim të vitit 1979 dhe e ftoja Ymer Jakën si sekretar i Arsimit, Kulturës e Shkencës të KE të vizitonte Shqipërinë. Telegramin, që të mos na pengonin drejtuesit e republikës serbe, nëpërmjet Fadil Hoxhës ia dërguam Titos, që ishte shprehur:”Erdhi koha të komunikojnë shqiptarët. Të bëhet kjo vizitë dhe të ftohet edhe ministrja, që të vizitojë Kosovën e Jugosllavinë!”
Me ndërrimin e sistemit në vitet ’90 u gjenda e sulmuar ngs korente të panjohura me gënjeshtra nëpër gazeta, me protesta para shtëpisë dhe me një furgon me policë, që ishin urdheruar nga kryetari i PD, për t’më nxjerrë me dhunë e forcërisht nga shtëpia. Dikur kryetarin e PD e kisha mbrojtur. Mosmirënjohja është tipar i delenxhijve. Gazeta RD shkroi, se bashkëshorti im, Mehdi Cami kishte kërkuar për të blerë gjysmën e vilës ku banonim, që e konfirmoi në televizion pa e verifikuar edhe kryetari i lagjes. Bashkëshorti im në atë kohë, që na qenka bërë kërkesa, ndodhej në Budapest si neuroinfeksionist, që shoqëronte motrën e sëmurë të guvernatorit të Bankës. Bashkëshorti im nuk e kishte mbiemrin Cami, sepse si traditë burrat nuk marrin mbiemrat e grave. I çova gazetës RD me datën 18 qershor, 1991, një përgjigje me sqarime, por nuk e botoi, sepse vazhdonte të zbatonte porositë e kryetarit, për t’më përbaltur e diskredituar. Por unë isha e kalitur me sulme të paskrupullta, që koha i çvlerëson.
Sapo ndërroi sistemi u mora me studime në AQSH dhe në Bibliotekën Kombëtare. Vazhdoj të studjoj e shkruaj si dikur, kur isha në punë. Nuk jam e angazhuar në asnjë parti politike, që janë pjesëza e shoqërisë. Jam e gjithë shqiptarëve. Bindjet i kam të majta. Ashtu si politologët më të shquar të botës edhe unë mendoj, se e majta është e ardhmja e njerëzimit.
Tefta Cami-ish-ministre e Arsimit dhe Kulturës
Tiranë, më 28 prill, 2022