Gjykata Speciale

Sot Gjykata Speciale tregoi fytyrën e vërtetë dhe qëndrimin histerik antishqiptar, duke dënuar veteranë të UÇK-së për propagandë armiqësore

Prokuroria e Gjykatës Speciale, në pamundësi për ta ruajtur materialin konfidencial, që ka qenë detyrë e krejt këtij institucioni, mllefin për rrjedhën e materialeve  e derdhi te dy krerët e OVL-UÇK-së, të cilët akuzohen për leximin e atyre materialeve, të deponura në ambientet e Shoqatës, gjithnjë sipas një personi të panjohur. Gjykata po ashtu, u mbështet në intervistat që, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj u  kanë dhënë medieve  dhe ku “nuk i kanë lavdëruar” dëshmitarët e mbrojtur të Prokurorisë, por paskan shprehur qëndrim aversiv kundër tyre  dhe kundër Gjykatës. Gjyqtari  tregoi se si Gucati e Haradinaj morën pjesë në më shumë se 20 intervista në media. Për materialin e publikuar, gjykatësi tha se të akuzuarit kanë bërë komente nënçmuese për dëshmitarët, pavarësisht paralajmërimeve.

Ndërkohë trupi gjykues i Gjykatës Speciale në Hagë  i ka shpallur fajtorë dhe i ka dënuar me nga katër vjet e gjysmë burg, Hysni Gucatin dhe Nasim Haradinajn, dy krerët e Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Atyre do t’ju llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim. Në aktakuzën kundër tyre  thuhet se midis 7 dhe 25 shtatorit të vitit  2020, në tri konferenca për shtyp dhe transmetime të tjera televizive, si dhe përmes shpërndarjes së mëtejshme, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj zbuluan, pa autorizim, informacion të mbrojtur nga Ligji për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, përfshirë  të dhëna personale të disa dëshmitarëve të mundshëm. Gjithashtu, të akuzuarit bënë komente nënçmuese dhe akuzime kundër dëshmitarëve dhe në mënyrë të përsëritur shprehën synimin e tyre për të dëmtuar Dhomat e Specializuara.

 

Ja cila është kjo Gjykatë, e cila dënon për propagandë armiqësore, ashtu sikur dikur  Jugosllavia e  Titos kishte dënuar mijëra shqiptarë  për propagandë kundër shtetit, qoftë edhe për shprehjen e një fjalie kundër regjimit apo leximin e një vepre të ndaluar.

Kjo gjykatë punon sipas ligjit penal të ish-Jugosllavisë, përderisa dënon shqiptarë për shkak të komenteve dhe qëndrimeve të tyre edhe pse Jugosllavia  e Millosheviqit qysh në vitin 1987 kishte hequr nenin e propagandës armiqësore  dhe i kishte liruar të gjithë ata që ndodheshin nëpër burgje, të gjykuar nga ai nen penal.

Ndëshkimi me burg që sot iu shqiptua dy krerëve të OVL-UÇK-së, tregon më së miri se Prokuroria e kësaj gjykate, ka në dorë ligjin, ndërsa “trupi”, apo turpi gjykues është vetëm instrument ekzekutimi, krejt njëjtë sikur në kohës e regjimeve jugosllave.

Kjo Gjykatë me vetë faktin se është speciale dhe nuk i jep përgjigje askujt, është gjykatë krejtësisht politike, e cila ka për qëllim diskreditimin  e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilën Prokuroria e quan “Ndërmarrje të përbashkët kriminale”.  

Ndëshkimi që sot iu shqiptua dy krerëve të OVL-UÇK-së, është një paralajmërim ogurzi për të gjithë luftëtarët e lirisë së Kosovës, për ata që janë në burgun e kësaj gjykate dhe për qindra të tjerë që parashihet të arrestohen dhe të dënohen në dhjetë vitet në vijim, nëse rrimë duarkryq dhe qëndrojnë para ekraneve, sikur bënë sot veteranët, politikanët e sidomos  bashkëpunëtorët e Millosheviqit e të Vuçiqit bashkë me familjet e tyre, të cilat lavdërojnë vendimin e sotëm të gjykatës, por do të dëshironin dënime më të ashpra.

“Pritja e veteranëve si bretkosa para gjarprit”, tregon se shpirti kryengritës shqiptar është thyer, është   degraduar, është degjeneruar dhe secili nga të akuzuarit pret vetëm ditën kur do të ftohet, pasi është vetë OVL e UÇK-së, e cila ka marrë qëndrim se çdo i akuzuar ta njohë autoritetin e Gjykatës dhe të dorëzohet vullnetarisht para autoriteteve. Dy tre të akuzuar që nuk kanë pranuar të dorëzohen janë denoncuar nga shokët e tyre dhe janë arrestuar nga policia e EULEX-it.

Në këtë gjendej rezignuese, apatike, të frikshme, pacifiste  e të fatalizuar i ka sjellë veteranët politizimi i organizatave e shoqatave të luftës së UÇK-së.

Veteranët e vërtetë, ata që sjellin në kujtesë shembullin e kryekomandantit të UÇK-së, nuk do të duhej të bashkëpunonin me këtë gjykatë, raciste, inkuizicionale, një etnike, fashiste, pro millosheviqiane.

Ahmet Qeriqi

Prishtinë

  1. 5. 2022

Kontrolloni gjithashtu

Ana Pisonero: Jemi pritje të finalizimit të reformave nga 6 vendet e Ballkanit Perëndimor me Planin e Rritjes të BE-së për rajonin

BE i kërkon sqarim Serbisë për pasivizimin e adresave të shqiptarëve në Kosovën Lindore

Bashkimi Evropian ka kërkuar nga Serbia të sqarojë pasivizimin e adresave të shqiptarëve në Kosovën …