Kryeministri, Isa Mustafa priti sot delegacionin e Parlamentit Evropian, i cili po qëndron në vendin tonë me rastin e takimit të Komisionit Parlamentar BE-Kosovë për Stabilizim-Asocim. Siç saktësohet në kumtesën e kryeministrisë, në përbërje të delegacionit evropian të kryesuar nga Tonino Picula, ishin zëvendëspresidentja e Parlamentit Evropian, Ulrike Lunaçek, europarlamentarët Dubravka Suica, Tanja Fajon, Jozo Rados, Georgios Kyrtsos dhe Julie Ward. Në këtë takim, kryeministri Mustafa i njoftoi ata për përparimet e shënuara në Kosovë, me theks të posaçëm anëtarësimin e vendit në organizatat evropiane dhe ndërkombëtare. Duke folur mbi hyrjen në fuqi të Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit, kreu i Qeverisë tha se ky dokument kontraktual i hap Kosovës një perspektivë të fuqishme ekonomike, politike dhe në proceset tjera evropiane. Kryeministri Mustafa theksoi edhe synimet e Qeverisë së Kosovës për fuqizimin e shtetit ligjor, luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar si dhe për heqjen e njollës së korrupsionit dhe stigmatizimit që i është bërë Kosovës në këtë drejtim. Anëtarët e delegacionit të Parlamentit Evropian dhanë vlerësimet dhe sugjerimet e tyre për proceset që lidhen me zbatimin e MSA-së dhe zhvillimet tjera, duke shprehur përkrahjen e tyre për Kosovën në këtë rrugë.
Kontrolloni gjithashtu
Albin Kurti, në një intervistë për median zvicerane “NZZ”, thotë se Perëndimi po tregohet ‘shumë naiv’ me Beogradin zyrtar
Albin Kurti, në një intervistë për median zvicerane “NZZ”, thotë se Perëndimi po tregohet ‘shumë naiv’me …