Më 19 maj të vitit 1999, eprorë dhe luftëtarë të lirisë të Brigadave 121 dhe 114, në krye me komandantin e njësisë Speciale “Tigrat e Zi”, Besim Mala, kishin ndërmarrë një aksion spektakolar në rrëmbimin e armëve dhe minave në kazermën e ushtrisë serbe, afër Magurës. Aksioni kishte filluar në orët e mbrëmjes, pasi ishte errësuar. Duke qenë se rojat serbe të bunkerit me të filluar terri largoheshin nga depoja për shkak të sulmeve të aeroplanëve të NATO-s, depoja mbyllej por nuk ruhej. Ndërkohë, luftëtarët e lirisë afrohen te depoja bunker dhe fillojnë të ngarkojnë mbi supe mina antitank. Ishin tërhequr disa tonë municion. Pasi ishte larguar edhe ushtari i fundit, komandanti, Besim Mala dhe përgjegjës të tjerë të aksionit kishin dhënë urdhër të minohej e më pas të hidhej në erë bunkeri depo, ku kishin mbetur shumë raketa të tipit tokë-tokë, predha të kalibrave të ndryshëm dhe municion. Pas disa minutash, xhenierët kishin aktivizuar minat dhe bunkeri ishte hedhur në erë, ndërkohë kishte filluar edhe shpërthimi i qindra predhave. Herë pas herë nga shpërthimi i fuqishëm tërë vendi ndriçohej dhe shumëkush kishte menduar se ishte sulm nga ajri i aeroplanëve të NATO-s. Shpërthimi i municionit kishte zgjatur rreth 30 minuta. Luftëtarët dhe pjesëtarët nga radha e popullatës civile ishin kthyer të ngarkuar me municion në relacionin Shalë – Krojmir. Municioni ishte grumbulluar në “Grykën e Shpëtimit”, në Krojmir ku ndodheshin të strehuar rreth 30 mijë pjesëtarë të popullatës civile nga fshatrat e Drenicës dhe nga vende të tjera të përfshira në luftë. Përshëndesim me këtë rast të gjithë pjesëmarrësit e gjallë që janë me qindra, eprorët dhe të gjithë ata që në një mënyrë ose tjetër kanë qenë pjesë e atij aksioni spektakolar të UÇK-së. Me ato mina dhe vendosjen e tyre nëpër rrugët ku kalonte makineria vrastare serbe është vendosur edhe fati i luftës në fushë- veprimtarinë e Brigadës 121 Ismet Jashari Kumanova e në zona të tjera.
Kontrolloni gjithashtu
Ministri, Ejup Maqedonci, diskutoi përforcimin e sigurisë kombëtare me NATO-n për stabilitet dhe integrime
Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka theksuar rëndësinë e forcimit të aspektit të sigurisë për …