Haki Stërmilli (1895 - 1953) shkrimtar dhe atdhetar i shquar

Haki Stërmilli (1895 – 1953) shkrimtar dhe atdhetar i shquar

Haki Stermilli, ishte shkrimtar, gazetar, kryetar i Shërbimit Sekret Shqiptar në vitet 1923- 1924 me dekret të Ahmet Zogut, partizan në Luftën e Dytë Botërore, anëtar i KANÇ-it dhe përfaqësues i Dibrës në Kuvendin Popullor. Në shtyp dhe botime mbajti qëndrime lidhur me të drejtat e shqiptarëve në trevat e okupuara nga Greqia Bullgaria, Serbia dhe mali i Zi. Është i njohur edhe për qëndrimin e tij demokratik e shumë përparimtar  lidhur me të drejtat e  femrave.

Haki Stërmilli u lind në Dibër më 17 maj të vitit 1895 ku kreu shkollimin e mesëm e nisi në Manastir por nuk mundi ta përfundojë për shkak të Luftës Ballkanike. Mbasi qyteti i Dibrës mbeti jashtë kufijve, u vendos në Shqipëri dhe nisi punë si pjesë e administratës shqiptare. Në vitet 1915-1918 punon si sekretar krahinor në Mat dhe Peshkopi, pastaj  sekretar i parë i nënprefekturës së Matit, e gjithashtu mësues personal i motrave të Ahmet Zogut.

Në vitet 1920-1924 u përfshi në lëvizjen demokratike, më 2 shkurt 1922, Ahmet Zogu i propozoi Kryeministrisë emrin e Hakiut për sekretar të shifrës. Këshilli i Naltë nuk e dekretoi Stërmillin, por pas një viti Zogu e dekretoi ministër më 16 janar 1923 si sekretar i Sekretarisë Sekrete. Propozimi do të miratohej nga Këshilli i Ministrave më 20 janar dhe 31 janar do të dekretohej nga Këshilli i Naltë. Si kryetar i Sekretarisë Sekrete, Hakiu qëndroi deri më 16 prill 1924, e u largua përfundimisht pas largimit të Zogut dhe emërimit të Shefqet bej Vërlacit kryeministër dhe ministër i  Brendshëm.

Pas Lëvizjes së Qershorit, pjesë në Kuvendin e Jashtëzakonshëm të shoqërisë “Bashkimi”, ku u zgjodh sekretar i shoqatës dhe ku Llazër Fundo u emërua  kryetar. Me rikthimin e Zogut dhe Triumfin e Legalitetit mërgon drejt Italisë, Francës, Austrisë, Gjermanisë, Polonisë dhe Lituanisë. Pavarësisht se Zogu donte ta kishte afër, Haki Stërmilli kishte bindje demokratike dhe nuk pajtohej me qeverisjen e tij autarkike. Për një vit qëndroi në Bashkimin Sovjetik. Më vonë  u takua edhe me Ali Kelmendin,  bashkëpunoi edhe me KONARE-në. Në vitin1927 gjendet në Jugosllavi, ku qëndron në Manastir. Këtu më 17 mars 1929 në rrethana jo krejtësisht të sqaruara, dëbohet nga shteti jugosllav. I dorëzohet autoriteteve shqiptare në Bilisht, e vendosin në Korçë dhe pak ditë më pas në Tiranë ku e shoqërojnë në burg. Aty e takon miku dhe pasardhësi i tij në atë institucion që tashmë quhej Zyra Sekrete, Abedin Hoxha. Më 6 gusht 1929 dënohet me 5 vjet burg se kishte guxuar të propagandonte botërisht kundër regjimit dhe personit të Mbretit. Më 28 nëntor 1933 në sajë të një telegrami që i kishte dërguar NMT Zogu I për amnisti, falet dhe lirohet. Pas lirimit hapi një dyqan në rrugën Mbretnore, mbasi kishte bërë të mundur të punësohej te një firmë e huaj që shiste në Shqipëri llampat elektrike të firmës OSRAM.

Mbas pushtimit të Italisë gazeta “Fashizmi” në listat e gjata botonte me nr. 44 edhe anëtarësimi e Haki Stërmillit në Partinë Fashiste, në të njëjtën ditë kur ishte anëtarësuar Mustafa Kruja e disa të tjerë. Për Stërmillin shënohej se “merrej me punë private”.

Në biografinë e tij shënohej se më 31 korrik 1943 ishte hedhur në ilegalitet, kur kishte qenë në Tiranë. Më vonë do të zgjidhej në organet paralele të pushtetit komunist, duke filluar nga mbledhja e Labinotit në shtator 1943 e deri në anëtar i dalë nga kongresi komunist të Përmetit. Përfaqëson lëvizjen komuniste në Mbledhjen e Mukjes. Për këtë shkak u zgjodh më 2 dhjetor 1945 dhe më 28 maj 1950 deputet. Pas 1945 ishte kryetar i Frontit Demokratik dhe nënkryetar i Komitetit Ekzekutiv për Qarkun e Peshkopisë. Vdiq më 17 janar 1953 i sëmurë pas një lëngate të gjatë, duke qenë edhe deputet i Rrethit të Peshkopisë në Kuvendin Popullor.

Me gjithë veprimtarinë e tij si shef i parë i shërbimit inteligjent shqiptar, në kujtesën e njerëzve, Haki Stërmilli do të njihej më tepër si shkrimtar. Botoi veprat “Dibranja e mjerueshme” (1923), “Dashuni e besnikëri” (1923), “Agimi i lumnueshëm” (1924), “Burgu” (1935), “Sikur t’ isha djalë” (1936), “Trashëgirntarët tanë” (1950) ndërsa pas vdekjes u botuan ditari “Shtigjet të lirisë” (1966) dhe “Kalorësi e Skënderbeut” (1968).

Romani “Sikur të isha djalë” është ndoshta i vetmi roman, ndër më të lexuarit e tëç botuart në kohën e tij. Romani është një apoteozë e fuqishme artistike për të drejtat e njeriut në përgjithësi dhe të femrës në veçanti. Ai zgjoi kërshëri dhe luajti një rol të pazëvëndësueshëm në masën e lexuesve në të gjitha trevat shqiptare. Në vitet ’30, në vitet ’50 dhe deri në dhjetëvjeçarin e parë të Shek. XXI, romani ka njohur mbi 12 ribotime: në Tiranë, Prishtinë e Shkup, duke shënuar një rekord të paarritshëm në historinë e letrave shqiptare. Romani “vë gishtin” në një lëmi të ndjeshme në jetën shoqërore shqiptare – tragjizmin e jetës së femrës.

Romani “Sikur të isha djalë” i bëri  jehonë arsimimit e përparimit  të gruas shqiptare, të shtypur dhe të nëpërkëmbur me shekuj

Romani “Sikur të isha djalë” ishte një jehonë e kësaj lëvizjeje shoqërore dhe një nga veprat ku ajo u pasqyrua më gjerë e në mënyrë të drejtpërdrejtë. Romani ka formën e një ditari, të mbajtur nga personazhi kryesor i tij, vajza e re, Dija. Nëpërmjet shënimeve të saj lexuesi njihet me jetën e përditshme të një familjeje të zakonshme qytetare shqiptare, ku ndihet edhe prapambetja e theksuar shoqërore, edhe pozita e mjeruar e gruas në familje, e cila duhet të bëjë një jetë të mbyllur brenda mureve të shtëpisë e sipas ligjeve patriarkale.

Bota shpirtërore, ndjenjat dhe dëshirat e saj duhet të ndrydhen e të shuhen, ndryshe shfaqja e tyre shkakton skandal në familje dhe në shoqëri. Për sa kohë jeton në familjen e saj, duhet të vendosë për gjithçka babai, e kur të martohet, të vendosë burri. Kështu, ajo është një skllave, që duhet të lindë fëmijë të cilët do të bëhen përsëri viktimë e këtyre ligjeve të egra sunduese në shoqërinë shqiptare të viteve `30. Dija, ashtu si qindra e mijëra vajza, vuan nga këto ligje të egra, që nuk pyesin për ndjenjat, për dashurinë e për dinjitetin e saj. Por në dallim nga ato, ajo nuk do të nënshtrohet, nuk do të mbysë gjithçka që për të është e shenjtë dhe nis të kundërvihet. Kundërvënia ndaj rregullave e ligjeve patriarkale fillon që me dëshirën e saj për të vajtur në shkollë, me përpjekje për të zgjeruar kulturën nëpërmjet librave, me protestën për të mos u mbuluar me ferexhe etj.

Dashuria për Shpendin, të cilin e njohu rastësisht te shoqja e saj, megjithëse duket sikur ia zbukuron e ia pasuron jetën e mjerë prej jetimeje e prej vajze të mbuluar me ferexhe, kthehet në një tragjedi për të. Nga njëra anë dashuria e saj bëhet tepër dramatike për shkak të fanatizmit të egër, izolimit brenda mureve të shtëpisë, nga ana tjetër, mungesa e ndonjë shprese se mund të bashkohej ndonjëherë me Shpendin në kushtet kur për gjithçka duhet të vendoste i ati, i cili as që mendon se vajza mund dhe duhet të ketë ndjenjat dhe dëshirat e saj që duhen nderuar. Vendimi i tij për ta martuar Dijen me një burrë të moshuar, sepse është tregtar i pasur, e shkatërron përfundimisht jetën e saj. Gjithnjë e hajthme, e dobët, e trishtuar, e zhytur në mendime të zymta e munduar nga pamundësia për t’u takuar me të dashurin e saj Shpendin, dhe me parandjenja se gjithçka do të përfundonte keq, e fyer vazhdimisht nga njerka e saj, e fyer nga i ati, e papërfillur dhe e përbuzur nga shoqëria, ajo sëmuret rëndë nga tuberkulozi dhe vdes, pak kohë pasi e kanë martuar me përdhunë. Edhe përpjekjet e disa njerëzve me pikëpamje përparimtare të fisit të saj, edhe përpjekjet e Shpendit për ta rrëmbyer e për të kur nga Shqipëria dështojnë. Fati i çdo vajze ishte përcaktuar ; nënshtrimi dhe bindja ndaj ligjeve patriarkale, mbytja e dëshirave dhe e dashurisë, ndryshe e priste turpërimi dhe asgjësimi fizik. Por kjo kundërvënie tragjike e humbet, deri diku, forcën e saj për shkak të disa dobësive artistike të romanit siç janë p.sh. mendimet e zgjatura, arsyetimet moralizuese ; që janë dhënë nga pozita sentimentale e jo realiste, të cilat shpesh zëvendësojnë veprimin konkret të personazheve me ankime, psherëtima etj. Megjithatë vepra, sidomos në kohën kur doli, e tronditi opinionin publik dhe pati një jehonë të madhe te lexuesi shqiptar, pasi heroina e tij tregohet e vendosur në luftën e vet kundër botës së vjetër, kundër normave etiko-morale të saj, pavarësisht se nuk arrin dot dhe s’kishte se si, në mënyrë individuale, të gjentë një rrugëzgjidhje për një problem aq të rëndësishëm shoqëror. “Duhet të luftojmë në daçim të rrojmë si njerëz” – shkruan ajo në ditarin e saj. Por dihet që kundërvënia individuale ndaj shoqërisë është gjithmonë dramatike ose tragjike. Asnjë mjet, asnjë motiv që sjell autori në vepër, nuk e shpëton dot. As largimi nga vendi. Kritika ka pohuar disa herë që autori nuk arrin të sjellë një zgjidhje të drejtë me arratisjen e Dijes dhe Shpendit jashtë vendit. Po, në të vërtetë, ky nuk është një gjykim i saktë.

Autori pikërisht duke sjellë dështimin e kësaj përpjekjeje, i tregon lexuesit se s’mund kurrsesi që kjo të jetë zgjidhja. Ky motiv është ndoshta nga më realistët në roman. Jo ikja nga e keqja, po përplasja e lufta me të mund të sjellin ndryshime në ligjet dhe opinionin e egër e të prapambetur shoqëror. Dija është personazhi më i realizuar në roman, me një botë të bukur shpirtërore, me një psikologji të qartë dhe natyrë tërheqëse. Ajo i kundërvihet krejtësisht mjedisit ku u rrit dhe demaskon gjithë mënyrën e organizimit të jetës familjare e shoqërore shqiptare. Personazhet e tjera si Shpendi, Irena, babai, njerka etj., janë më tepër skicime. Proza e Stërmillit ka tiparet e një proze sentimentale me meditime të shumta e përshkrime të imta të vuajtjeve e të dashurisë, po edhe me shprehje moralizuese e deklarime retorike, të cilat i japin asaj ngjyra pak artificiale dhe mangësi në zbërthimin psikologjik të personazheve. Megjithatë, aty ka mjaft ndjenjë e dhembje të sinqertë, gjë që e tërheq lexuesin. Këto tipare lidhen, në radhë të parë me natyrën artistike të Stërmillit si shkrimtar sentimental. Po, duke qenë se ato ndihen edhe në disa prozatorë të tjerë të viteve `20-`30 si Postoli, Grameno, deri diku edhe te Spase etj., mund të themi se janë edhe tipare të prozës sonë ende të dobët, e cila në këtë kohë megjithëse përpiqet të trajtojë probleme shoqërore të rëndësishme të realitetit shqiptar, mbeti sentimentale. (Vikipedia)

Kontrolloni gjithashtu

Androkli Kostallari, ( 1922-1992) gjuhëtar, leksikolog, akademik

Androkli Kostallari, ( 1922-1992) gjuhëtar, leksikolog, akademik

Androkli Kostallari, lindi më 7 nëntor të vitit 1922 në Leusë të Përmetit, është gjuhëtar, …