Më 20 maj, Koalicioni i Organizatave për të Drejtat e Grave kundër Diskriminimit në Ballkanin Perëndimor (BP) lansoi në Bruksel botimin e dytë të raportit hulumtues ”Diskriminimi me Bazë Gjinore dhe Punësimi në Ballkanin Perëndimor.
Hulumtimi synon të identifikojë mangësitë në kuadrin ligjor përkatës; ndërgjegjësimin dhe përhapjen e diskriminimit me bazë gjinore në lidhje me punësimin; shkallën në të cilën njerëzit kanë paraqitur ankesat; dhe se si i kanë trajtuar institucionet rastet e tilla. Hulumtimi u krye nga organizatat e shoqërisë civile për të drejtat e grave (OSHC) në kuadër të nismës rajonale “Fuqizimi i OSHC-ve në Luftimin e Diskriminimit dhe Përmirësimi i të Drejtave të Grave në Punë” në Shqipëri, Bosnje dhe Hercegovinë, Mal të Zi, Maqedoni të Veriut, Kosovë dhe Serbi. Nisma është mbështetur nga Bashkimi Evropian (BE) dhe bashkëfinancuar nga Bashkëpunimi Suedez për Zhvillim. Gjetjet kryesore përfshijnë:
- Asnjë vend nuk e ka harmonizuar plotësisht kuadrin ligjor në përputhje me Direktivën e BE-së për Balancin Punë-Jetë. Ekzistojnë çështje të ndryshme në lidhje me të drejtat e pushimit, veçanërisht leja prindërore, e atësise dhe e kujdestarëve.
- Edhe pse ndërgjegjësimi se diskriminimi me bazë gjinore është i paligjshëm duket se është përmirësuar pak, shumë njerëz ende nuk dinë se ku dhe si ta raportojnë atë.
- Diskriminimi me bazë gjinore lidhur me punësimin ka mbetur i përhapur në BP, duke përfshirë punësimin, ngritjen në detyrë, pagën, kontratat, të drejtat e shtatzënisë dhe lejen e lehonisë, të atësisë dhe ngacmimet seksuale në punë.
- Personat LGBTQI+, gratë me aftësi të kufizuara dhe gratë nga grupet e pakicave etnike raportuan se u përballen me diskriminim të shumëfishtë, ndërsektorial.
- •Pak njerëz raportuan diskriminim me bazë gjinore për shkak të vetëdijes së ulët se si ta raportojnë atë; mungesës së besimit në institucione; shqetësimit nga stigmatizimi; frikës nga humbja e punës ose forma tjera viktimizimi; dhe për shkak të drejtësisë së vonuar e shpesh të shtrenjtë ose procedurave të tjera.
Sipas raportit, institucionet e BP-së nuk ruajnë të dhëna adekuate të ndara sipas gjinisë për rastet e raportuara të diskriminimit lidhur me punësimin me bazë gjinore.
Njohuritë e inspektorëve të punës në lidhje me diskriminimin me bazë gjinore mbesin të ulëta në të gjithë rajonin.
Meqenëse pak raste janë raportuar në institucionet përkatëse, edhe më tej pak institucione kanë përvojë në trajtimin e rasteve të diskriminimit me bazë gjinore. Megjithatë, Nisma e Koalicionit të lartpërmendur ka shtuar numrin e rasteve të trajtuara nga institucionet dhe ka sjellë drejtësi për disa gra të cilave u janë shkelur të drejtat.
Ndërkohë, monitorimi rajonal sugjeron se ende ka vonesa nga gjykatat në trajtimin e çështjeve, dhe gjendja është rënduar gjate pandemisë COVID-19. Ombudspersonët dhe Komisionerët për Mbrojtjen nga Diskriminimi (në vendet ku ata ekzistojnë) priren të kenë njohuri për këto çështje dhe puna e tyre për të trajtuar diskriminimin me bazë gjinore është përmirësuar.
Rekomandimet kryesore përfshijnë:
Për BE-në
- Të kërkohet zbatimi i reformave institucionale për të adresuar diskriminimin me bazë gjinore në punësim si kusht i procesit të anëtarësimit në BE.
- Të monitorohen reformat duke përdorur një qasje të standardizuar në të gjithë vendet, nëpërmjet raporteve të shteteve përkatëse.
- Të inkurajohen dhe mbështeten të gjitha vendet në harmonizimin e kuadrit të tyre ligjor me Direktivën e BE-së për Balancin Punë-Jetë.
- Të vazhdohet konsultimi dhe mbështetja e OSHC-ve, veçanërisht në reformat ligjore, ndërgjegjësimin, ofrimin e ndihmës juridike dhe rrjedhimisht monitorimin e performancës institucionale.
Për Institucionet Përgjegjëse
- Të harmonizohet legjislacioni kombëtar me Direktivën e BE-së për Balancin Punë- Jetë, mes ndryshimeve të tjera të nevojshme të përshkruara në raport.
- Të përmirësohet mbledhja e të dhënave, duke siguruar që të gjitha të dhënat të ndahen sipas gjinisë së viktimës/ave, autorit/ëve të supozuar, vendndodhjes dhe formës së diskriminimit. Të publikohen rregullisht të dhënat.
- Të sigurohet trajnimi i detyrueshëm dhe i institucionalizuar për zyrtarët përgjegjës për barazinë gjinore dhe transformimin e normave gjinore; për kuadrin ligjor për diskriminimin me bazë gjinore në punë dhe referime; dhe format e diskriminimit me bazë gjinore, veçanërisht ngacmimi seksual.
- Të përmirësohet bashkëpunimi ndërmjet institucioneve dhe me OSHC-të për të drejtat e grave, duke përfshirë ndërgjegjësimin e përbashkët për mënyrën e raportimit të diskriminimit dhe përmirësimin e besimit të publikut tek institucionet.
Në fjalimin e saj hyrës, Michela Matuella, Ushtruese e Detyrës së Drejtoreshës së Ballkanit Perëndimor në Drejtorinë e Përgjithshme për Fqinjësinë dhe Negociatat e Zgjerimit (DG NEAR) në Komisionin Evropian (KE) tha: “OSHC-të luajnë rol thelbësor në çuarjen përpara të këtyre çështjeve, dhe dëshmi e kësaj është raporti i publikuar sot. Ky raport është vendosur shumë mirë në këtë kontekst dhe ne i marrim parasysh rekomandimet. Ne do të inkurajojmë lidershipin politik në rajon që të marrë parasysh këto rekomandime.”
Duke komentuar gjetjet, Gordon Purvis, Zyrtar i Politikave – Negociator i Integrimit Evropian në Drejtorinë e Përgjithshme për Fqinjësinë dhe Negociatat e Zgjerimit në KE tha se raporti është i duhur dhe i publikuar në kohë “jashtëzakonisht të mirë” sepse kontribuon në politikëbërjen e bazuar në prova, veçanërisht në kontekstin aktual të finalizimit të raporteve vjetore të vendeve të rajonit. “Pikërisht, ky është ai lloji i dialogut që duhet ta kemi. Kjo është thelbësore veçanërisht kur bëhet fjalë për pagat dhe Balancin Punë-Jetë.”
Folësit tjerë në panel ishin: David JJ Ryan, Bashkëautor; Vaska Leshoska, Hulumtuese në Reaktor-Hulumtimi në Veprim dhe Endrita Banjska, bashkëautore, RrGK. Partnerët e koalicionit kontribuan në diskutim në lidhje me gjendjen në vendet e tyre, përfshirë Mirela Arqimandriti, Drejtore Ekzekutive e Qendrës Aleanca Gjinore për Zhvillim; Svjetlana Ramić Markoviç, Koordinatore e Projektit e Asamblesë Qytetare të Helsinkit – Banja Luka; Adelina Tershani, Koordinatore e Projektit, RrGK; Maja Raiçeviq, Drejtoreshë Ekzekutive, Qendra për të Drejtat e Grave; dhe Sofija Vrbaski, Koordinatore e Projektit, Fondacioni Kvinna till Kvinna.
Raporti është hulumtuar dhe shkruar nga Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGGK), Reactor – Research in Action në Maqedoninë e Veriut, Qendra e Aleancës Gjinore për Zhvillim në Shqipëri, Asambleja Qytetare e Helsinkit Banja Luka në Bosnje dhe Hercegovinë, Qendra për të Drejtat e Grave në Mal të Zi dhe Fondacioni Kvinna till Kvinna përmes zyrës në Serbi.
Raporti i plotë është publikuar në internet, siç janë publikaur edhe përkatëse për Shqipërinë, Bosnie dhe Herzegovinën, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut, Kosovën dhe Serbinë. Ju lutemi gjeni të bashkëngjitur edhe broshurat me faktet nga raporti dhe nisma. Për informacione të mëtejshme, ju lutemi kontaktoni: Nicole Farnsworth, Drejtore e Programit dhe Udhëheqëse e Hulumtimit në RrGK: [email protected].