Dr. Skënder Demaliaj: Giovanni Falcone – shembull i vetësakrifikimit në emër të drejtësisë

Dr. Skënder Demaliaj: Giovanni Falcone – shembull i vetësakrifikimit në emër të drejtësisë

Në 30 vjetorin e vrasjes së tij nga Mafia Siçiliane

30 vite më parë, më 23 maj 1992 në masakrën e Capacit u vra gjykatësi, Giovanni Falcone, bashkë me gruan dhe tre shoqëruesit e tij. Për asgjësimin e tij u përdor gjysmë toni tritol i radiokomanduar nga njerëz të Cosa Nostrës. Nuk mund t’ia falte Maksiprocesin me 475 të akuzuar që u hap, më 10 shkurt 1986. Atë ditë sytë e gjithë botës ishin drjtuar nga Palermo. Në sallën – bunker të ndërtuar enkas për këtë proces u dënuan 346 të pandeur me 2265 vite heqje lirie. Më 19 korrik 1992 u vra edhe bashkëluftëtari i tij, Salvatore Borsellino, i cili po ndiqte të njëjtat hetime të Falcones. Të dy u vranë brenda një kohe të shkurtër nga Mafia Siçiliane. Njerëzit e mëdhenj i bashkon qëllimi i përbashkët, kauza e përbashkët, lufta dhe përpjekjet për t’i shërbyer njerëzimit. Ata janë të përjetshëm në këtë botë dhe së bashku në botën e përtejme.

Njerëz që vlerësojnë shërbimin publik dhe institucionet publike më shumë sesa fuqia politike dhe pasuria personale 

Në vitet `80 në Palermo vrasjet ndiqnin njëra-tjetrën, por provat rrëshqisnin prej duarsh. Mafia dukej e paprekshme dhe e paarritshme. Paraja kishte korruptuar të gjithë dhe gjithçka. I ofruan shuma të majme edhe gjyqtarit Falcone, por i refuzoi kategorikisht. Mund të bënte dhe ai karrierë politike, siç bënë shumë politikanë italianë të lidhur me Mafien. Ai drejtoi gishtin kundër disa “xhaketave të bardha” dhe pikërisht për këtë u vra. Detyra si vlerë në shërbim të publikut – ky ishte mësimi i madh që frymëzoi jetën e tij. Përkushtimi më i lartë në shërbim të institucioneve publike – ky është mesazhi që ai përcjell për të gjithë gjyqtarët në botë. Ai ndërtoi një projekt të ri ndaj Mafies, duke dhënë një kontribut vendimtar në fitimin e lirisë nga shtypja mafioze. Nuk u josh nga vila e troje, nga shuma marramendëse në dollarë, siç ndodhi me gjyqtarët e prokurorët tanë, ku gati gjysma e tyre u përjashtua nga sistemi i drejtësisë për mosjustifikimin e pasurisë. Arriti jo pak në këputjen e lidhjeve të politikës me Mafien. Ai e kuptoi se ndërmjetësimi politik dhe ai mafioz kishin zëvendësuar funksionet e shtetit dhe të tregut, siç ka ndodhur jo në pak raste edhe në Shqipëri në këto 30 vite. Ishte i qartë dhe i bindur në misionin e tij se Mafia duhet luftuar me çdo mjet: ushtarak, social, por edhe kulturor. Se Mafien e luftojnë gjyqtarët dhe forcat e policisë, të cilat duhet të veprojnë në sintoni dhe sinergji me të gjitha institucionet kombëtare, si qeveria, Parlamenti dhe entet lokale. Ishte i sigurtë se në qoftë se Mafia do të ishte e futur në një sistem thellësisht të shëndoshë, për ta çrrënjosur do të mjaftonte një aksion policor. A nuk u dekonspirua aksioni i fundit për goditjen e grupeve kriminale nga oficerë të policisë? A nuk u mboll drogë nën mbrojtjen e policisë? A nuk u vranë biznesmenë, politikanë, mafiozë (me njeri-tjetrin) me heshtjen dhe indiferentizmin e strukturave më të larta shtetërore? A nuk u bënë pjesë e politikës persona me mbështetjen e Mafies? A nuk u vodhën votat po me mbështetjen e saj? A nuk u mbyllën procese korruptive për llogari të Mafies dhe grupeve të caktuara politike.

Simbol i luftëtarit pa kompromis, një histori që nuk duhet harruar

I vendosur, këmbëngulës luftoi sy më sy, ballë për ballë me të gjitha forcat për të arritur autonominë e tij si hetues, për të çuar para drejtësisë mafiozët dhe mbështetësit e tyre. Sipas Antonio Gramshit: “Indiferenca është pesha e vdekur e historisë”. Indiferenca ushqehet dhe mbahet gjallë kur nuk ka drejtësi, kur nuk goditet krimi, kur politikanët janë një me të, kur policët e ndershëm tradhëtohen nga eprorët dhe kolegët e tyre. Njerëzit bëhen me krahë, marrin forcë, bëhen luftëtarë aktivë kur me ta është shteti, gjykatësit, prokurorët, deputetët që kanë zgjedhur. Vetëm kur të gjithë së bashku i presin rrënjët politike, sociale, mbështetjen ekonomike mposhtet Mafia. Bashëpunëtorët e tij të afërt tregojnë se ai nuk i lejonte t’i kërkonim ndonjë favor, sepse nuk janë efektive dhe duhet më pas t’ia shpërblesh tjetrit. Mafia nuk është vetëm ajo që qëllon, por edhe ajo që bën favore, pastaj të bën shantazh për të marrë atë që i takon. A nuk ka ndodhur kështu edhe tek ne në këto 30 vite? Janë vjedhur votat me grupe kriminale, pastaj pushtetarët i kanë shpërblyer me tendera, me poste politike. Pushtetarëve ua kanë mbyllur proceset korruptive gjyqtarët dhe prokurorët, pastaj ata i kanë shpërblyer me detyra të larta, të pamerituara. Janë bërë të paprekshëm të dyja palët. Duke penguar kështu ndëshkimin e gjyqtarëve dhe politikanëve të korruptuar, qarkullimin e elitave politike që sjellin ndryshimin dhe progresin. Për t’i dhënë fund kësaj pandëshkimshmërie u ndërmor edhe reforma në drejtësi. Kjo përshpejtoi fillimin e proceduraave penale kudër gjyqtarëve dhe prokurorëve, si dhe hapjen e dosjeve për politikanët e korruptuar. Sot kemi prapa hekurave dy ministra, Prokurorin e përgjithshëm, një deputet, një zëvendësministër, një kryetar bashkie dhe funksionarë të tjerë të lartë shtetërorë. Ka nevojë urgjente për goditje më të shumta në numër e në nivele më të larta, për të goditur “peshqit e mëdhenj”.

Falcone na mësoi se kultura e ligjshmërisë është element i rëndësishëm për të luftuar Mafien

Pietro Grasso, ish Prokurori Kombëtar i Antimafies dhe ish President i Senatit i Republikës Italiane shkruan: “Ligjshmëria është forca e të dobëtve, është mburoja që mund t’u vëmë përballë shtypjes, abuzimeve, korrupsionit”. Po u bëre ortak me Mafien e ke braktisur ligjshmërinë, nuk ka dënime për kriminelët. Edhe kur burgosen ata lirohen. Me qindra raste janë shënuar në Shqipëri në këto 30 vite. Pse në vende si Finlanda, Suedia, Danimarka, Norvegjia etj., nuk vepron Mafia, ka pak krime? Se është punuar dhe realizuar kultura e ligjshmërisë. Se qytetarët atje nuk janë indiferentë, kanë informacion për njerëzit e sjelljet e pandershme të tyre, se politikanët e korruptuar nuk votohen, se ata japin dorëheqje për raste minimale korrupsioni. Jo si politikanët tanë… Çdo qytetar duhet të reagojë me të gjitha mundësitë e tij përmes zgjedhjeve dhe sjelljes së tij. Falcone arriti në përfundimin se ekonomia kriminale prodhon efekte shkatëruese e të pakthyeshme mbi ekonominë e ligjshme. Kjo pengonte edhe zhvillimin e ekonomisë, konkurencën e ndershme, rritjen e mirëqënies. Sa para të pista hyjnë në Shqipëri dhe si e për çfarë përdoren? Ky duhet të jetë shqetësimi i të gjithëve dhe të ndërmerren masa e veprime konkrete që të mos kemi praktika të tilla. Lufta kundër Mafies në Itali çliroi energji të reja, rriti besimin e qytetarëve dhe prestigjin e Italisë jashtë vendit.

Sipas studiuesve, politikanëve dhe gjyqtarëve kultura e ligjshmërisë është diçka më tepër sesa thjesht respektimi i ligjeve dhe i rregullave, është një sistem parimesh, idesh, sjelljesh që besohet të jetë i vlefshëm për të gjithë dhe i dobishëm e që duhet të shkojë drejt realizimit të vlerave të demokracisë, të barazisë, të drejtësisë, por edhe atyre të lirisë së individit, të dinjitetit të njeriut, të tolerancës, të integrimit, të jodhunës, të paqes.

***

Shqipërisë i duhen gjyqtarë si Giovanni Falcone. Sakrifica, puna, jeta e tij janë frymëzim për të vendosur drejtësi. Ai eci me kokën lart në rrugën e tij pa kthim, kundër Mafies, eci me krenari, pa u përkulur e pa u trembur nga rreziqet. Aeroporti i Palermos mban emrin e tij. Është ndërtuar memoriali nga skulptori Tommaso Geraci. Miliona njerëz përkulen me nderim e respekt të veçantë para tij. Në kujtim të veprës së tij të pavdekshme është koha që secili prej nesh të zbatojë me vendosmëri dhe energji revoltën e tij morale, siç na mësoi ai, bashkëluftëtarët dhë vazhduesit e shembullit të tij.

Revoltë morale kundër institicioneve që synojnë t’i heqin qytetarëve çco liri mendimi dhe iniciative. Revoltë morale kundër politikanëve që e shpërdorojnë besimin e elektoratit, duke punuar për përjetësimin e pushtetit dhe pasurimin e tyre. Revoltë morale për t’i flakur jashtë politikës, pa të drejtë rikthimi më. Këta politikanë të korruptuar ligjin e përdorin për interesat e tyre, kanë marrë para nga fondet publike për të kënaqur veset e tyre. Dinjitetin njerëzor e kanë kthyer në trampolinë për ambicjet e tyre. Revoltë morale kundër gënjeshtrave, mashtrimeve, propagandës dhe falsitetit të tyre, duke u përpjekur ta mbulojnë dhe ta fshehin me të gjitha mjetet dhe mënyrat të vërtetën.

Të triumfojë: “Jo-ja jonë ndaj Mafies dhe gjithçkaje që ajo përfaqëson”

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …