Kryetari i komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, ka pritur në takim ministren e Turizmit dhe Mjedisit të Shqipërisë, Mirela Kumbaro, me të cilën ka diskutuar për thellimin e bashkëpunimit në fushën e turizmit në të dyja vendet. Me këtë rast, kryetari Totaj u shpreh se Prizreni ka nevojë të ketë vizitorë nga Shqipëria, që nxënësit shqiptarë të mund ta vizitojnë qytetin muze dhe t’i shohin nga afër monumentet historike e kulturore si dhe ta sodisin natyrën e pasur të komunës së Prizrenit. Totaj, gjithashtu ka potencuar se zhvillimi i turizmit do të thotë, të kemi edhe zhvillim ekonomik në përgjithësi, shtim të kapaciteteve në vend, rritje të punësimit dhe shkëmbim të përvojave. E në prag të fillimit të sezonit veror në Shqipëri, ministrja Kumbaro ka falënderuar kryetarin e Prizrenit për këtë takim dhe ka theksuar se ofrimi i cilësisë së shërbimeve në rivierën shqiptare, vazhdon të jetë prioritet i institucioneve të Shqipërisë. Totaj ka përmendur se përveç qytetit të Prizrenit, tashmë për vizitorët nga Shqipëria, në hartën turistike, janë futur edhe malet në afërsi, Prevalla dhe Brezovica.
