Fejzullah Brahim Hajdaraj (8.3.1980 – 16.5.1999)

Fejzullah Brahim Hajdaraj (8.3.1980 – 16.5.1999)

“Vrarë për vrarë, unë do të vdes në Abri!”. Këto fjalë ua kishte thënë dëshmori Fejzullah Hajdaraj bashkëluftëtarëve në Malin e Kozmaçit, kur ata kishin insistuar që edhe ai të shkonte me ta për në fshatin Berishë, ku ndodheshin edhe vëllezërit e tij, Avdullahu e Zejnullahu, si dhe dy bijtë e xhaxhallarëve, Gëzimi e Florimi, pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ku këmba e militarëve serbë nuk kishte arritur të shkelte asnjëherë. Atij sikur i ishte fiksuar dëshira për të qëndruar atje ku kishte lindur, në Abrinë e tij të dashur.

Dëshmori Fejzullah Hajdaraj, biri i Brahimit e Fahries, kishte dy vëllezër dhe katër motra: Avdullahun, Zejnullahun, Mihanen, Hasimen, Halimen e Rahimen. Në shkollën fillore “Shote Galica” të Abrisë e ka kryer arsimin fillor, ndërsa arsimin e mesëm të cilin e kishte vijuar në kushtet e segregacionit serb të tipit racist, në shtëpitë të shndërruara në mësonjtore, por e kishte braktisur për shkak të përhapjes së zjarrit të luftës çlirimtare kur edhe ai si shumë bashkëmoshatarë të tij iu përgjigj zërit të atdheut për t’iu bashkuar Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Radhëve të kësaj ushtrie të lavdishme u ishin bashkuar edhe vëllezërit e Fejzullahut, Avdullahu e Zejnullahu, motra Rahimja dhe dy bijtë e xhaxhallarëve, (Idrizit e Rexhepit), duke i dhënë një kontribut të çmuar çlirimit të Kosovës. Ata fillimisht ishin mobilizuar në formacionin “Guri 1” me pozicione në fshatin Baicë të Drenasit. Këtyre luftëtarëve çlirimtarë u printe Avdullah Hajdaraj. Ata kishin marrë pjesë në beteja të njëpasnjëshme kundër forcave pushtuese serbe në pozicionet e UÇK-së në Baicë, Llapusnik, Marinë, Rezallë, Abri, Likovc e në vendbanime të tjera të zonës operative të Drenicës. Pas ofensivës së përgjithshme serbe kundër pozicioneve të UÇK-së dhe popullatës civile në zonat e luftës, në shtator të vitit 1998, këta luftëtarë ektivitetin e tyre ushtarak e kishin përqendruar kryesisht në fshatrat Damanek e Baicë. Pas ristrukturimit të UÇK-së në vjeshtë të vitit 1998, pika ushtarake “Guri 1” ishte përfshirë në kuadrin e Brigadës 113 “Mujë Krasniqi”. Vëllezërve të tij, motrës luftëtare, bijve të xhaxhallarëve e bashkëluftëtarëve të tjerë, gjatë tërë kohës së aktivitetit të tyre ushtarak nuk iu nda as dëshmori Fejzullah Hajdaraj, i cili me entuziazëm të madh e kishte përjetuar lindjen e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe fillimin e luftës çlirimtare. Pjesëtarët e UÇK-së së Brigadës 113 ishin bërë tmerr për forcat serbe, të cilat ishin tërbuar si bisha e plagosur dhe nuk po zgjedhte mjetet e luftës kundër popullsisë civile, fëmijëve, grave e pleqve. Ky barbarizëm kishte arritur kulmin sidomos pas fillimit të bombardimeve nga NATO-ja mbi militarët serbë dhe makinerinë e tyre, më 24 mars të vitit 1999. Në këtë kohë, si në shumë treva dhe zona të tjera të luftës, edhe popullsia fshatrave të zonës operative ku operonte Brigada 113 e UÇK-së ishte larguar nga shtëpitë e saj dhe ishte vendosur në gryka malesh, ku kishte edhe mbrojtjen nga luftëtarët e lirisë. Një vendstrehim i tillë i popullatës së fshatrave të pjesës qendrore të Drenicës, ishte bërë edhe Mali i Kozmaqit prej ku funksiononte vija e komunikimit me Malet e Berishës në anën jugore të Grykës së Llapushnikut. Më 17 maj të vitit 1999, forcat e shfrenuara të pushtuesit serb kishin ndërmarrë një operacion në shkallë të gjerë në drejtim të Grykës së Terdevcit, fshatrave rrëzë Kozmaçit dhe të vetë Kozmaçit ku i kishin pozicionet pjesëtarët e UÇK-së. Për të depërtuar në këto pozicione dhe te popullata e paarmatosur e strehuar në Terdevc e në Kozmaç, militarët serbë kishin përdorur madje edhe taktikën e kamuflimit si barinj delesh, të cilët kishin qitur para vetes një tufë delesh dhe po lëviznin drejt cakut të tyre. Atë ditë forcat serbe kishin ndërmarrë ofensivë totale edhe në zonat e tjera të luftës. Pjesëtarët e UÇK-së të pozicionuar në Kozmaç bënë një rezistencë të pathyeshme deri në orët e mbrëmjes, duke luftuar edhe në distanca të vogla dhe ku u përdorën edhe bombat e dorës. Në orët e mbrëmjes militarët serbë u tërhoqën nga mësymjet, me ç‘rast edhe pjesëtarët e UÇK-së kishin arritur të depërtojnë në Grykën e Terdevcit dhe përmes fshatit Krajkovë e siguruan depërtimin e popullatës civile në drejtim të Rrafshnaltës së Berishës. Në rrugë e sipër, mbase edhe i rënë në pritën e trupave serbe, bashkëluftëtarëve të tij u ishte shmangur në mënyrë enigmatike, dëshmori Fejzullah Hajdaraj, ndërkohë që dy vëllezërit e tij kishin arritur në fshatin Berishë.
Pas përfundimit të luftës çlirimtare dhe pas kthimit të familjarëve e të bashkëluftëtarëve të tij në fshatin Abri, kishte vazhduar kërkimi i trupit të Fejzullahut dhe që atëherë ai konsiderohej si i zhdukur, por analiza e eshtrave të zhvarrosur nga një varrezë masive në Abri të Ulët, në vitin 2000, kishte konstatuar vrasjen e Fejzullahut me plumb në gjoks. Sot, eshtrat e këtij dëshmori pushojnë në Varrezat e Dëshmorëve në Abri të Epërme. (N. M.)

Kontrolloni gjithashtu

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …