Isuf Zymer Maznikolli (25.11.1952 – 27.5.1999)

Isuf Zymer Maznikolli (25.11.1952 – 27.5.1999)

Fshati Kosuriq në Lugun e Baranit, në komunën e Pejës, ashtu sikur në të kaluarën i doli zot Atdheut, edhe në kohën e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, fillimisht duke organizuar Shtabet Lokale, duke hapur istikame dhe duke mobilizuar vullnetarë në radhët e luftës. Ky fshat ka dhënë shumë dëshmorë e martirë, për çlirimin e vendit duke flijuar vetën e tyre për lirinë e sotme.
Isuf Maznikolli, është i lindur më 25 nëntor të vitit 1952 në fshatin Kosuriq, të komunës së Pejës. Ka të kryer mësimet deri në klasën e pestë. Asokohe ka kryer shkollën fillore “Migjeni” në Gllogjan. Nuk pati kushte për vazhdimin e shkollimit, por edhe për shkak se kjo familje ishte në shënjestër të regjimit jugosllav të asaj kohe.
Familja e tij çdo herë kanë qenë në përndjekje duke filluar nga vitet e hershme të para luftës kur Isufi së bashku më shokun e tij, Shefqet Panxha, tani të dy dëshmorë, kanë qenë të rrahur brutalisht nga forcat serbe, të cilët i kishin zënë në malet e fshatit. Përveç kësaj edhe vëllai i Isufit, Riza Maznikolli më vite të tëra ka qenë në përndjekje të forcave serbe, po ashtu edhe gjithë meshkujt e tjerë të familjes kanë qenë çdo herë synim i tyre, meqë ishte një familje që nuk i nënshtrohej regjimit okupator jugosllav e serb.
Isufi ka qenë i martuar me Kumrien, me të cilën kanë rritur pesë bija: Hyrinë, Shkëndijën, Lumturinë, Shkurtën, Kismeten dhe djalin, Gëzimin. Isufi ka qenë një njeri i qetë, i respektueshëm, e shumë bujar dhe i përbetuar për çlirimin e vendit.
Më pas, veprimtaria e tij e mëhershme atdhetare ishte e njohur që nga kohët e hershme kundër regjimit serb, duke marrë pjesë në manifestimet masive kundër pushtuesit. Ai në fillim u sistemua në Shtabin Lokal të fshatit, Kosuriq, më 25 prill të viti 1998, të cilin e komandonte, Selim Kelmendi si dhe dëshmori Isuf me babanë e tij, Zymerin. Ata fillimisht ushtronin roje duke vëzhguar lëvizjet e forcave serbe. Më pas të dy u inkuadruan në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Pas dorëzimit të armëve, në Dukagjin në verë të vitit 1999, Isuf Maznikolli së bashku me babanë e tij si dhe disa bashkëluftëtarë qëndruan nëpër male në radhët e ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Pas ofensivës së fundit nga forcat serbe, Isufi bie dëshmor duke qenë i goditur me predhë nga forcat serbe, në fshatin Kosuriq, më 27 maj të vitit 1999. Forcat kriminele serbe e kishin marrë trupin e tij, të cilin e kishin fshehur në një vend të caktuar. Pas shumë kërkimeve që u bënë, në muajt e parë pas përfundimit të luftës, kufoma e tij u gjet në një pus, në fshatin Kosuriq, më 5 korrik të vitit 1999 dhe u varros në varrezat e fshatit Kosuriq. Pas dy muajsh më 15 gusht të vitit 1999 u bë rivarrosja e tij afër Dëshmorëve tjerë të fshatit Kosuriq, ku dhe sot e ka të ngritur lapidarin.
Në radhët e familjes Maznikolli, dëshmori e ka edhe nënën e zhdukur; Ryve (Smajli) Maznikolli nga lufta e fundit në Kosovë gjatë viteve 1998-1999 në lagjen Dardania, në Pejë. Po ashtu edhe gjyshi i Dëshmorit, Fazli Sylë Maznikolli, ishte vrarë nga xhandarmëria serbe e regjimit të Jugosllavisë monarkiste, në vitin 1937 në plojën e përgjakshme në Lugun e Baranit, gjatë zgjedhjeve të dhunshme të regjimit t Beogradit.
Babai i Isufit, Zymeri, i cili ishte i vet-rritur jetim gjithnjë thoshte: “Ne brez pas brezi kemi dhënë dhe do japim për atdheun, e kemi traditë ndër vite”. Dhe kështu ndodhi, sepse asnjë nga familjarët e tyre nuk u larguan nga vendi ynë gjatë tërë luftës qëndruan vetëm brenda kufijve të Kosovës duke u përballur më gjitha sfidat e mbi-jetesës, madje duke jetuar edhe nëpër male dhe nëpër bazat ushtarake të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Pas rënies së Dëshmorit është i nderuar me Mirënjohje për sakrificën sublime në mbrojtje të atdheut në vitin 2011 nga Komuna e Pejës. Më pas është nderuar edhe nga shoqatat e dala nga lufta të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në korrik të vitit 2017, për kontributin e dhënë në themelimin e Shtabit Lokal të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në Kosuriq të Pejës.
Pasioni i tij ka qenë “Arti i thurjes”, i cili ishte i përbërë prej thuprave të njoma të llojllojshme dhe kështu duke krijuar vegla dhe gjësende të formave të ndryshme me vlerë, por fatkeqësisht të gjitha nga këto vepra arti të tij janë djegur nga lufta. Ato çka kanë mbetur kujtim nga dëshmori janë disa fotografi dhe gjëra personale të tij, të cilat i kishte me vete në atë kohë, të cilat familja i ruan me mall por edhe me krenari të ligjshme. Vetë kujtimi për dëshmori është një kujtim i veçantë dhe i ëmbël për Familjen. (Kismete Maznikolli)

Kontrolloni gjithashtu

Sejdi Fazli Shala (5.3.1964 – 5.11.1998)

Sejdi Fazli Shala (5.3.1964 – 5.11.1998)

Fshati Kopiliq i Drenicës është fshat i njohur i historisë shqiptare. Aty ka lindur dhe …