“Deri tash kemi gjuajtur për të vrarë lepuj, kurse tash e tutje do të gjuajmë në derra”! Kështu u kishte thënë bashkëluftëtarëve të vet pas fillimit të luftës frontale të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kundër forcave ushtarake e policore të okupatorit serb, dëshmori Musli Demaku, i cili e kishte pasion gjuetinë e kafshëve të egra. Me fjalën “derra” ai kishte aluduar në çetnikët serbë të ardhur nga të gjitha trevat e Serbisë për ta bërë zap Kosovën e për ta mbajtur nën këmbë popullin e saj shqiptar.
Familja e gjerë Demaku nga Abria e Epërme e komunës së Drenasit është e njohur për kontributin e madh që i ka dhënë luftës çlirimtare të Kosovës nën udhëheqjen e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në frontet e kësaj lufte janë radhitur e kanë luftuar kundër pushtuesit serb shumë burra e të rinj të kësaj familjeje, kurse mbështetje e UÇK-së ishin bërë tërë Demakët, i madh e i vogël, burra e gra, pleq e të rinj. Por, liria ka çmimin e vet që paguhet me gjak, prandaj gjak lirie derdhën në altarin e atdheut edhe dëshmori Musli Demaku, me dy bijtë e tij, Bedriun e Dritonin dhe djali i vëllait, Xhevat Demaku, si dhe Vesel Demaku.
Dëshmori Musli Demaku është i lindur më 13 gusht të vitit 1947 në Abri të Epërme të Drenasit. Nëna e tij, Zadja, me mbiemrin e gjinisë Haliti nga Açareva e Skënderajt, edhe pse në prag të njëqindtave, e kishte të kthjelltë kujtimin për të birin dhe ruante krenarinë e nënës shqiptare që ia kishte falur të birin lirisë së atdheut. “E, biro, nuk ka dasmë pa mish!”, – ishin fjalët e saj kur kujtonte djalin dhe dy nipat e saj: Musliun, Bedriun e Dritonin.
Musliu kishte dy vëllezër e tri motra: Zenën, Haxhiun, Miradien, Bahtien dhe Sadien. Ishte i martuar me Nurie Gashin nga Perqeva e komunës së Klinës, me të cilën lindi e rriti gjashtë fëmijët: Bedriun (dëshmor), Lumnien, Remzien, Dritonin (dëshmor), Sadeten dhe Liridonin.
Kishte kryer shkollën fillore në fshatin Abri. Pastaj kishte arritur të punësohej në ofiçarinë e fshatrave Terdevc e Abri e Epërme, ku punoi deri në zbatimin e masave të dhunshme në administratën shtetërore e publike nga Serbia, pas shkeljes së autonomisë së Kosovës në vitin 1989 dhe largimit të punëtorëve shqiptarë nga kjo administratë.
Njësitet e para të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishin formuar dhe po vepronin në zonën e Drenicës, edhe para daljes publike të saj, më 28 nëntor 1997 në Llaushë. Një formacion i tillë ushtarak, i udhëhequr nga Musë Jashari, bashkëluftëtar dhe kushëri i Komandantit Legjendar Adem Jashari, ishte formuar edhe në Abri të Epërme e në fshtrat e tjera përreth. Qysh atëherë me detyra ushtarake, nga njësiti ishte ngarkuar edhe dëshmori Musli Demaku. Në njësitin e UÇK-së të Musë Jasharit bënin pjesë Zenë Demaku (vëllai i Musliut), vëllezërit Xhevat (dëshmor), Jahir e Fadil Demaku (nipër të Musliut), Muharrem Xhemaili, Imer Xhemaili, Valdet Xhemaili (dëshmor), Vesel Demaku (dëshmor), Isa Xhemaili e të tjerë. Pjesëtarët e njësitit kryenin detyra të ndryshme ushtarake, si bartja dhe furnizimi me armatim, koordinimi i lidhjeve me Komandantin Adem Jashari dhe me familjen Jashari, vëzhgimi i terrenit e të tjera. Këto aktivitete kishin vazhduar deri në betejën e zhvilluar në Qirez e Likoshan, ku ishin plagosur Musë Jashari e Sabit Lladrovci, por pas Epopesë së Prekazit dhe fillimit të luftës pothuajse frontale kundër forcave të pushtuesit serb, aksionet e njësitit u bënë të pandërprera, të koordinuara me aksionet e njësiteve të tjera dhe morën shtrirje më të gjerë. Me zgjerimin e zjarrit të luftës çlirimtare, pjesëtarët e njësitit ushtarak ku bënte pjesë Musliu merrnin pjesë në beteja kudo e kërkonte nevoja. Musliu mori pjesë edhe në betejën e Grykës së Llapushnikut kur ishte bllokuar qarkullimi i forcave militare serbe në këtë grykë, më 9 maj të vitit 1998. Në atë aksion, ai ishte plagosur në këmbë dhe në krah, nga granatat e hedhura nga forcat serbe. Plagët i kishte mjekuar në spitalin ushtarak të UÇK-së në Likoc, që tashmë ishte formuar e mobilizuar. Mirëpo, përderisa plaga në këmbë i ishte shëruar, brenda plagës në krah i kishte mbetur copëza e granatës. Pas shërimit nga plagët e marra Musliu vazhdoi misionin e luftëtarit të lirisë si pjesëtar i devotshëm i UÇK-së, deri në momentin e rënies, më 17 maj të vitit 1999.
Pas ristrukturimit të formacioneve të UÇK-së në vjeshtë të vitit 1998, Musliu u rreshtua në Brigadën 113 “Mujë Krasniqi”, ku ishin rreshtuar edhe pjesëtarë të tjerë të familjes Demaku, si: Zena, Xhevati (dëshmor), Jahiri (komandant i njësisë speciale të UÇK-së), Fadili, Nexhati etj. Kjo brigadë kishte shkruar faqe të lavdishme të historisë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, betejë pas beteje kundër armikut serb, i cili ishte tërbuar si bisha e plagosur dhe po numëronte ditët deri në kapitullim. Ai nuk po zgjedhte mjetet e luftës kundër popullsisë civile, fëmijëve, grave e pleqve. Barbarizmi i forcave serbe arriti kulmin sidomos pas fillimit të bombardimeve nga NATO-ja mbi militarët serbë dhe makinerinë e tyre, më 24 mars të vitit 1999. Në këtë kohë, si në shumë treva dhe zona të tjera të luftës, edhe popullsia e fshatrave të zonës operative ku operonte Brigada 113 e UÇK-së ishte larguar nga shtëpitë e saj dhe ishte vendosur në gryka malesh, ku kishte edhe mbrojtjen nga luftëtarët e lirisë. Vendstrehim i tillë i popullatës së fshatrave të pjesës qendrore të Drenicës, ishin bërë edhe fashati Shtrubullovë dhe Gryka e Terdevcit në komunën e Drenasit. Më 17 maj të vitit 1999, forcat e shfrenuara të pushtuesit serb kishin ndërmarrë një operacion në shkallë të gjerë për rrethimin e Grykës së Terdevcit, me qëllim që të asgjësonin njësitet e UÇK-së të pozicionuara përreth saj dhe në malin e Kozmaçit dhe ta masakronin popullatën civile. Në këto rrethana, kjo popullatë filloi të largohet nga Gryka e Terdevcit dhe nëpër Kozmaç të depërtojë në drejtim të Maleve të Berishës. Në përcjellje të popullatës ishin vënë pjesëtarët e UÇK-së, në mesin e të cilëve edhe dëshmori Musli Demaku. Në fshatin Berishë kishte kaluar edhe vëllai i Musliut, Zenë Demaku, i cili pas tri ditësh kishte marrë lajmin për rënien e Musliut. Atë e kishte njoftuar Nezir Krasniqi nga fshati Negroc i Drenasit, stërnip i Demakëve. Edhe vetë Neziri kishte marrë plagë kur popullata e shpërngulur nga Tërdevci në malin e Kozmaçit kishte rënë në fushë të minuar. Në mesin e të rënëve ishin edhe dëshmorët Musli Demaku dhe djali i tij, Dritoni.
Nëntë ditë pas rënies, trupi i dëshmorit Musli Demaku u varros te vendi i rënies, nga i vëllai, Zena, nga Zymer Krasniqi e bashkëluftëtarë të tjerë. Në atë rast, me qëllim të identifikimit të mëvonshëm të trupit të dëshmorit , në varrin e tij ishte vënë një shishe e mbyllur me letrën ku ishte shkruar emri i dëshmorit Musli Demaku. Pas përfundimit të luftës së armatosur, në verë të vitit 1999, trupi i tij u rivarros në Varrezat e Dëshmorëve të fshatit Abri e Eperme. (N. M.)