leoni

Gazeta Nacionale: 42 qëndrimet më interesante, të shkelura nga Albin Kurti

Përgjegjshmëria dhe llogaridhënia janë elementet më të rëndësishme të një qeverisjeje në kushtet e liberal-demokracisë. Por, të gjitha mekanizmat që presupozohet të garantojnë përgjegjshmëri e llogaridhënie për kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, kanë dështuar në formë jospektakolare. Në këtë artikull do të numërojmë disa prej qëndrimeve më interesante që Kurti i ka ndërruar pa u kujtuar të jepte përgjegjësi.

Albin Kurti, e ka ndërtuar karrierën e tij politike me një varg qëndrimesh të shprehura me fanatizëm. Nga mënyra e shprehjes së tyre, secili besonte që nuk ishte e mundur të shkileshin. Por, ato u shkelën vazhdimisht megjithëse kjo u bë heshturazi e pa fjalë.

Dhe, as forumet e partisë së tij, as mediet, as analistët, as oponentët politikë, nuk ia kanë dalë që t’i kërkojnë sqarime kryeministrit në lidhje me këto qëndrime të shkelura.

Një pjesë e madhe e popullit tashmë ka kaluar në dremitje, dhe e konsideron normale qëndrimin e shkelur të një politikani. Por, ja që fjala e shkelur nga filan personi pa funksion politik është pakrahasimisht më e padëmshme se sa fjala e shkelur nga filan politikani. Prandaj, procesi i ndërrimit të qëndrimeve – nëse ndodh, kur ndodh – është e domosdoshme që të jetë proces transparent.

Në rastin e Albin Kurtit, fatmirësisht, disa prej qëndrimeve të shkelura kanë qenë pozitive ani pse është e vështirë të përcaktohet se për çka qëndron ai realisht si kryeministër.

Më poshtë keni listën me qëndrimet e ndërruara nga kryeministri ynë:

Ky është një qëndrim politik i shprehur me fanatizëm të lartë për një kohë të gjatë. Kurti ka besuar që me vendosjen e projektit shtetëror të internacionalizmit liberal nga Bashkësia Ndërkombëtare në Kosovë, është ndrydhur vullneti popullor për Bashkim me Republikën e Shqipërisë.

Për atë arsye, emri i partisë së tij është Vetëvendosje me një pikëçuditëse në fund. “Vetëvendosje!” – përbën kërkesë për Referendum, e në të cilin populli do të votonte për të ardhmen e tij politike, nënkuptueshëm bashkimin me shtetin shqiptar. Se çka ka ndodhur më tej, raportohet ta ketë çuditur madje edhe pikëçuditësen!

Ky qëndrim politik ka shtyrë Kurtin (dhe Kurti ka shtyrë vartësit e tij) që të mos respektojë flamurin dhe himnin e Kosovës. I freskët mbetet ende kujtimi i vendosjes së flamujve të vegjël të Shqipërisë në tavolinat e tyre si deputetë kur duhej dhënë betimi. E i freskët është edhe kujtimi për prapanicën e kryeministrit të ngjitur për karrige në kohën kur ajo prapanicë duhej të ngritej si të gjitha të tjerat (pra, kur intonohej himni).

“Me bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, do t’i kthehej Shqipërisë pjesa e shkëputur padrejtësisht prej saj, më 1912/13. Ky aspekt do të kishte reflektime të shumanshme, ngase do të shërbente së paku si kompensim moral për shqiptarët për vuajtjet e mëdha që kanë pësuar, e nga ana tjetër do ta çlironte ndërgjegjen e Evropës nga rëndesa e shkaktuar për krimin e bërë një shekull më parë.” – thuhej në komunikatën e Vetëvendosjes të titulluar “Bashkimi Kombëtar – shpëtimi kombëtar!” që tanimë është hequr nga faqja zyrtare në Internet.

Kurti ka përmendur një togfjalësh tjetër si zëvendësim për Bashkimin Kombëtar kohët e fundit: Federatën shqiptare. Kjo nënkupton se Kosova si shtet do të mund të bashkohej në një federatë me Republikën e Shqipërisë. Por, duke qenë shtet dhe duke ruajtur pavarësinë e saj.

 

Shteti

Shtetësia e Kosovës. Në bazë edhe të qëndrimit të lartpërmendur të ndërruar, kjo parti ka ndërruar edhe atë për shtetin e Kosovës që dikur e shihte thjesht si një ‘koloni funksionale’.

“Shteti është thelbësisht koncept konservativ. Shteti e ruan rendin ekzistues, apo jo? Shteti është policia që do qetësi të publikut.” – thoshte VV në komunikatën “Konsumatori i qetë”.

 

Demarkacioni

Gaz lotsjellës. Fjalime të zjarrta me etiketën tradhtar dhe duke shprehur idenë se ishin shitur toka të Kosovës. Sulm me granatë dore nga dikush ndaj institucionit më të rëndësishëm të Republikës, Kuvendit. Ngërçe të njëpasnjëshme politike. Protesta të dhunshme. Humbje e mundësisë për liberalizim vizash. E kështu me radhë.

Të gjitha këto ndodhën vetëm për një çështje: Demarkacioni me Malin e Zi.

Kjo kauzë që është konsideruar e rreme nga shumë zëra kritikë nga fillimi e tutje, nisi jo prej Albin Kurtit por prej Ramush Haradinajt. Dhe u mediatizua në formë problematike nga kryetari i AAK-së, asokohe bashkëpunëtor i Albin Kurtit në opozitë, duke i thënë “p*der” kryetarit të Komisionit për Demarkacion, Murat Mehës.

Kjo ndezi menjëhershëm piskamën e Albin Kurtit që në atë kohë nuk kishte më shumë se 16% të votës qytetare.

Vetëvendosje, në bashkëpunim me AAK-në dhe Nismën, propaganduan se dikush e kishte shitur tokën e Kosovës te Mali i Zi. Ai ishte Murat Meha. Pas tij mund të qëndronte Hashim Thaçi, apo kushdo që argumentonte se çështja e demarkacionit nuk duhej të ishte çështje.

Ajo çka ndodhi më pas rikonfirmon ndryshimin e qëndrimit të Kurtit për temën në fjalë. Shpejtim Bulliqi, zëri kryesor ‘shkencor’ që mbështeste teorinë se po i falej tokë Malit të Zi, dha dorëheqje nga komisioni qeveritar për demarkacion bashkë me kolegun e tij, Florim Isufin. Kjo dorëheqje nuk u dha në kohën kur Ramush Haradinaj ishte në pushtet, apo Hashim Thaçi, por kur në pushtet ishte Albin Kurti (Qeveria Kurti I).

Dhe, në vend që ta ndëshkonte për dëmet e pariparueshme që iu bënë vendit, Kurti ishte në rregull me një gjë të tillë. Madje, Kurti e kandidoi Bulliqin për kryetar të komunës së Podujevës në zgjedhjet e parakohshme të nëntorit 2020. E më pas, edhe në tetorit 2021. Bulliqi është kryetar i kësaj komune edhe sot.

Astrit Dehari, aktivist i Vetëvendosjes, ishte akuzuar nga Prokuroria se kishte qenë pjesë e grupit prej gjashtë personave që kishin organizuar sulmin me granatë të Kuvendit të Kosovës. Ai, bashkë me të tjerët, kanë mohuar përgjegjësinë. Fatkeqësisht, Dehari do t’ia shihte sherrin kësaj teme, pasi humbi jetën në rrethana ende të pasqaruara në paraburgim.

Intervenimi i NATO-s

Para disa ditësh shënuam përvjetorin e 23 të ndërhyrjes së NATO-s që solli lirinë, e më pas edhe Pavarësinë e Kosovës.

Kryeministri Kurti ishte mes nesh në shënimin e këtij përvjetori. Por, fjalët e tij për këtë ndërhyrje e ato bombardime ishin krejtësisht tjera dikur.

Vetëvendosje akuzonte NATO-n madje edhe që kishte përforcuar spastrimin etnik nga Serbia në Kosovë dhe se kishte forcuar integritetin territorial të Serbisë.

Demokracia e brendshme

Ju kujtohet që statuti i Vetëvendosjes i kërkonte kryetarit të partisë të dorëhiqej nëse votohej si kryeministër? Kryetari nuk u hoq, mbeti Albin Kurti edhe pse u bë kryeministër, derisa u hoq pika e statutit të partisë së tij.

Logjika e ish-statutit të Vetëvendosjes thoshte që nëse kryeministri ishte edhe kryetar i një partie politike, atëherë do të ishte më shumë kryeministër i partisë së tij se sa partive dhe qytetarëve tjerë.

A është Albin Kurti sot më shumë kryeministër i Vetëvendosjes se sa i qytetarëve jashtë Vetëvendosjes? Nuk do shumë koment.

Për më tepër, kjo parti kërkonte që kryetari i partisë të ishte me mandat vetëm dy-vjeçar, por çka të bëjmë tash që fjalët edhe mund të hahen.

“Vendimmarrja i takon organeve dhe anëtarësisë, duke përjashtuar vendimet individuale të liderëve dhe si e tillë, vendimmarrja është e shpërndarë në nivele të ndryshme të organizatës. Vendimmarrja e tillë dhe kufizimi i zgjedhjes së kryetarit të Lëvizjes VETËVENDOSJE! në më së shumti dy mandate të njëpasnjëshme, dëshmon për frymën demokratike brenda organizatës.” – thuhej në një komunikatët të vitit 2014.

Konsumi

Kryeministri Albin Kurti është fryrë me shifra të caktuara të rritjes ekonomike marrë nga Banka Qendrore e Kosovës ashtu siç fryheshin kryeministrat e mëparshëm. Por, derisa kryeministri fryhej me rritjen e konsumit – si pasojë e shtimit të dërgesave nga diaspora te familjarët e tyre – fryheshin njëkohshëm edhe çmimet. E gjithë kjo, në bazë të konsumit të shtuar të popullsisë.

“Qytetarët në Kosovë janë individë të ndarë e të përçarë, para së gjithash, për shkak se janë konsumatorë që nuk prodhojnë asgjë. Mungesa e prodhimit në përgjithësi dhe jo mungesa e ndonjë kulture të veçantë është shkaku i copëtimeve të trupit social të popullit tonë. Konsumi i ka individualizuar qytetarët duke e atomizuar shoqërinë.. Secili qytetar e ka një gojë, secili qytetar e ka gojën e vet dhe vetëm gojën e vet të cilën e ushqen..” – shkruhej në komunikatën e Vetëvendosjes “Pesha e prodhimit”.

Ashtu si çdo lëvizje e majtë, VV ishte kritike ndaj hiper-konsumerizmit duke e konsideruar si të dëmshme për qytetarët, ani pse profitabile për buxhetin e shtetit. Këto fjalë kanë ndërruar tashmë.

 

Ulja e çmimeve bazë për produktet esenciale

Besojmë që e keni parë videon e kryeministrit Albin Kurti kur premtonte uljen e çmimeve bazë për miellin, vajin dhe produktet tjera esenciale. Ajo u soll në vëmendjen qytetare pas rritjes së çmimeve.

 

Ulja e çmimit të energjisë elektrike.

Kryeministri Kurti bëri bujë kur deklaroi se rryma kishte qenë shumë e lirë dhe prandaj qytetarët as s’e dinin se sa paguanin.

Në fakt, vetëm pak muaj më parë – gjatë fushatës zgjedhore për zgjedhjet e 6 tetorit 2019 – ai kishte premtuar ulje të çmimit të rrymës duke e konsideruar të lartë.

Pasi e kuptoi se kishte harruar qëndrimin e tij për çmimin e rrymës, ai ishte shfajësuar me këto fjalë:

“Pati një referencë tek një deklaratë e imja në fushatën zgjedhore, jo në këto zgjedhjet e fundit të 14 shkurtit të vitit 2021, por në fushatën për zgjedhjet e 6 tetorit 2019. Në atë fushatë është e vërtetë që unë kam thënë e synojmë uljen e çmimit. Edhe me siguri që ne e synojmë uljen e çmimit”

Jo Negociata

Vetëvendosje kishte qenë radikalisht kundër negociatave me Serbinë. Sidoqoftë, ky qëndrim kishte nisur të zbutej për t’u ndërruar krejtësisht para zgjedhjeve të parakohshme të vitit 2014.

Jo Negociata pa kërkimfaljen e Serbisë

Edhe pse nuk kërkohej që të ndërpriteshin negociatat krejtësisht, Kurti tash vinte kushte.

Ai kishte thënë se do t’i çonte Serbisë një listë me kërkesa para se të ulej në tavolinën e negociatave. Kërkimfalja e Serbisë ishte e para në këtë listë.

Jo Negociata pa dëmshpërmblimet e luftës

Nuk ka koment!

 

Reciprociteti

“Reciprociteti do të jetë çështje ditësh e javësh, kurrsesi muajsh,” – ishte shprehur Kurti.

Nuk ka koment tjetër!

 

Xhipat e zi

Lidhja e pushtetarëve me luksin është parë gjithnjë si problematike për të kuptuar hallet e përditshme të qytetarëve të varfër. Pra, lidhja me xhipat e zi si një çlidhje nga varfëria. Kryeministrin Kurti e shohim përditë me xhipat e zi duke u sillur poshtë e përpjetë, andej këndej.

Nuk ka koment tjetër

 

Rryma e papaguar e serbëve në Veri

Nuk ka koment!

Veton Surroi

Surroi quhej “Vetoni i puplave” e “endacaku i kompromisit” mes shumë e shumë etiketash tjera të rënda që i ngjiteshin nga Vetëvendosje.

Siç e dimë, qëndrimi për të ka ndryshuar!

Matja e zhvillimit ekonomik

A matet zhvillimi ekonomik me numra që vijnë nga Banka Qendrore e Kosovës? Kurti ka qenë kundër një gjëje të tillë, meqenëse ajo nuk po përkthehej edhe në rritje të mirëqenies qytetare. Sidoqoftë, sapo është bërë kryeministër ka përdorur të njëjtët numra si kryeministrat para tij.

Lista Serbe

Qëndrimi për Listën Serbe po ashtu ka ndryshuar. Derisa më herët denonconin futjen e tyre në institucionet e Kosovës, tashmë politikanët e kësaj liste herë mbajnë mbledhje me Kurtin e herë me Vuçiqin.

Çështja palestineze

Në vitin 2013, Vetëvendosje kërkonte “Vetëvendosje për Palestinën” por pas ardhjes në pushtet pranuan vendosjen e ambasadës së Kosovës në Jerusalem duke e njohur efektivisht si kryeqytet të Izraelit pavarësisht politikave diskriminuese të tyre ndaj popullit palestinez.

LDK-ja e Isa Mustafës

Isa Mustafa ishte “super-kriminel” sipas Albin Kurtit pasi kishte shkelur Kushtetutën. Por, më pas u bë “profesor i nderuar” në kuadër të bashkëpunimit opozitar (2017-2019) dhe atij qeveritar (3 shkurt – 25 mars 2020).

Programi qeverisës

Qeveria Kurti II – ani pse me shumë vonesë – e ka prezantuar një program tepër të shkurtër që dukej tamam si listë dëshirash.

Problemi? Një gjë të tillë e ka kritikuar vazhdimisht te secila qeveri e mëparshme.

Dialogu i brendshëm me serbët e Kosovës

Nëse do t’i besonim Albin Kurtit pak para se të merrte pushtetin, një herë do të kishim dialog të brendshëm me serbët e Kosovës e më pas dialog me Serbinë. I pari konsiderohej si më prioritar për Republikën e Kosovës.

Dialogu me Serbinë ka nisur qysh në muajt e parë të Qeverisë Kurti II ndërsa i brendshmi nuk duket askund në horizont.

KFOR-i

 “Dora në zemër, romanca mes KFOR-it dhe shqiptarëve s’ka qenë asnjëherë e thjeshtë. Ajo u nis me gjysmë zemre qysh në krye, kur vendet e NATO-s e dizajnuan fushatën ajrore kundër Serbisë me qëllim parësor zero (!) viktima nga radhët e veta – ndërsa shqiptarët pësuan 14 000 të vdekur, e 20 000 femra të dhunuara.” – shkruhej në komunikatën “KFOR-i, nga shpëtimtarë në mercenar”

Në një tjetër komunikatë edhe më të rëndë të titulluar “Brenda mendjes kolonialiste: KFOR-i dhe seksualizimi i sferës publike” denoncohej karakteri kolonialist dhe patriarkal i saj.

Ibrahim Rugova

Rugova quhej kolaboracionist dhe tradhtar në komunikatën “Gjaku i humbur” derisa denoncohej Hashim Thaçi që i kishte shkuar në varrim e ishte bërë si ai.

“Ti që shkele mbi gjakun e Adem Jasharit dhe të gjithë dëshmorëve e martirëve tjerë, është turp që ta përmendësh emrin e tij. Është turp që ta keqpërdorësh fotografinë e tij. Ti edhe Ibrahim Rugova e keni vetëm një dallim, një dallim të vogël. Ai ishte kolaboracionist sepse nuk ishte betuar asnjëherë për çlirimin e Kosovës, kurse ti je tradhëtar i kombit sepse e ke shkelur betimin e dhënë. Dallimi tjetër është se ai nuk mund të na mashtrojë më, e ti potencialisht e ke ende një mundësi të tillë. Ti që thirresh në emër të luftës dhe në emër të atyre që dhanë jetën për çlirim, pranove që në Rambuje të jetë edhe Ibrahim Rugova, njeriu që kurrë nuk e njohu UÇK–në.” – thuhej ndër tjerash.

Marti Ahtisaari

“Dokumenti i Ahtisaarit i dha Kosovës një pavarësi pa substancë, duke e lënë të varur nga misionet e Bashkimit Evropian. Për më tepër dokumenti i Ahtisaarit e ka ndarë Kosovën në vija etnike nëpërmjet decentralizimit, ka krijuar eksterritorialitete në kishat dhe manastiret që dikur ishin shqiptare dhe e ka tjetërsuar identitetin kombëtar nëpërmjet multietnicitetit. E metë tjetër e pakos së Ahtisaarit është minimizimi i fuqisë politike të popullit shumicë shqiptar dhe fuqizimi politik tej mase i pakicës serbe. Të gjitha këto padrejtësi të pakos së Ahtisaarit janë sot pjesë e kushtetutës se Kosovës, e cila hyri në fuqi më 15 qershor të vitit 2008.” – thuhej në komunikatën Pavarësia e Varësisë.

Sidoqoftë, kryeministri Kurti – përkundër një varg qëndrimesh tjera dhe sulmesh të rënda – e kishte përkujtuar Ahtisaarin me anë të një shkrimi në Facebook.

Nepotizmi

“Familjarët janë për dasma, jo për institucione,” – thoshte Kurti para se të merrte pushtetin. Nuk doli kështu!

Lexojeni artikullin e mëposhtëm të titulluar “Familja, Dasma, Shteti: Të afërmit e VV-së që u punësuan gjatë 1 viti të Kurti në pushtet” nga gazeta Nacionale.

Pazaret me deputetë

Ju kujtohet 4 prilli i vitit 2021? Atë ditë ishte zgjedhur presidente e vendit, znj. Vjosa Osmani. Që të mundësohej një gjë e tillë nevojiteshin edhe disa vota të opozitës. Pas shumë e shumë përpjekjesh, deputetja me familje të pasur nga Ferizaj që kishte garuar për PDK-në, Adelinë Grainca, ishte bërë pjesë e Vetëvendosjes. Se cila ishte marrëveshja për një gjë të tillë, nuk e dimë.

Sidoqoftë, dihen kritikat e shumta të Kurtit drejt ish-pushtetarëve për pazare me deputetë për vota në çështje të caktuara.

Demokracia përfaqësuese

“Unë voton, ti voton, ai voton, ne votojmë, ju votoni, ata përfitojnë!” – ishte një slogan i Vetëvendosjes para se të merrte pjesë në zgjedhje.

Partia e Kurtit ishte kritike ndaj demokracisë përfaqësuese duke besuar te ajo direkte ose plebishitare.

Kryeministri duhet të zgjidhet me votë

Sipas deklarimeve të mëparshme të kryeministrit Albin Kurti, pozita e kryeministrit nuk duhej të negociohej mes partive parlamentare. Kryeministër duhej të ishte ai që do të merrte më së shumti vota në garën për t’u bërë deputet.

Kryeministri Kurti nuk ka asnjë votë në Zgjedhjet e 14 shkurtit sepse nuk ishte fare kandidat. Atij iu pamundësua një gjë e tillë për shkak se ishte i dënuar para më pak se tre vitesh për shkak të hedhjes së gazit lotsjellës në Kuvend.

Kryeministri nuk duhet të zgjidhet me votë

Sidoqoftë, edhe pse kritikoi kryeministrat Ramush Haradinaj e Avdullah Hoti për mungesë votash, Kurti kishte qenë aktor në një tjetër episod.

Ai me Vetëvendosjen ishin bërë pjesë e koalicionit VLAN (VV, LDK, AAK, Nisma) të nënshkruar më 10 qershor 2014 por i cili nuk u implementua asnjëherë për shkak të një aktgjykimi nga Gjykata Kushtetuese më vonë.

“Demokracia nuk është garë automobilistike,” thoshte Kurti duke besuar që partisë e cila dilte e para nuk i takonte domosdo e drejta për të bërë qeverinë.

Në VLAN, domethënë koalicionin ku bënte pjesë Kurti, kandidat për kryeministër ishte Ramush Haradinaj. Njeriu më i votuar kishte qenë Hashim Thaçi.

Bordet partiake

Nuk do koment!

Testimi i mësimdhënësve

Testimi i mësimdhënësve parashihej në alternativën e Vetëvendosjes për zgjedhjet e vitit 2019. Sidoqoftë, për zgjedhjet e vitit 2021 kjo pikë ishte hequr.

PDK-ja, vijë e kuqe

Kryeministrit Albin Kurti i kishte publikuar një video Dardan Molliqaj pas ndarjes. Megjithëse Kurti publikisht thoshte se PDK-ja kishte vijë të kuqe, pra se me të nuk mund të bashkëpunonte Vetëvendosja e tij, në një forum të partisë kishte deklaruar se ajo ishte “konstante e pushtetit”.

 

Militantizimi i sferës publike

Sfera publike është militantizuar dhe demokracia është rrezikuar nga gjuha e urrejtjes dhe mosdurimit, profilet e rrejshme në Facebook dhe të tjera.

Kurtit i është kërkuar vazhdimisht që të denoncojë një sjellje të tillë nga aktivistët politikë, por nuk e ka bërë duke thënë se “udhëhiqte përmes shembullit”.

Shtëpia në Taslixhe

A mund të gjesh një shtëpi aq të madhe në lagjen Taslixhe e ta paguash qeranë me vetmë 200 euro në muaj? Një gjë të tillë e bën kryeministri Albin Kurti.

A nuk është ky një përfitim personal?

Sigurimet shëndetësore

Sigurimet shëndetësore do të bëheshin brenda një viti në pushtet. Nuk u bë!

 

Agim Bahtiri

Albin Kurti sulmonte Hashim Thaçin një herë e një kohë se nuk dinte se si ta shkruante shumësin e fjalës “kryetar”. Me “ë” apo pa “ë”.

Agim Bahtiri ishte quajtur “akademik” nga krahu i djathtë i tij, Glauk Konjufca, gjatë zgjedhjeve lokale. Për më tepër, një numër shumë i madh deputetësh kishin shfaqur telashe të jashtëzakonshme në të shkruar e në të folur por Kurti nuk bëri zë më.

Mimoza Kusari Lila

Në një komunikatë të vitit 2015, Mimoza quhej “populiste e patetike” derisa kryente detyrën e kryetares së Gjakovës. Ajo po ashtu ishte sulmuar ashpër edhe në zgjedhjet pasuese lokale të vitit 2017.

Aktualisht, Kusari-Lila është ushtruese e detyrës së shefes së Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes.

 

Qeni topall në QKUK

Qeni topall i përmendur nga Kurti kishte qenë një shpresë për një ndryshim të përnjëhershëm e drastik në infrastrukturën e Qendrës Klinike Universitare. Se çka ka ndodhur deri tash, ju ftojmë të shkoni për një vizitë te qeni topall në QKUK.

 

Mafia energjetike

Kriza energjetike ishte shqetësimi më i madh i muajve dhjetor, janar e shkurt. Por, megjithëse fjala “kurseni, kurseni” ishte e vazhdueshme, nuk u përmend fare “mafia energjetike” siç përmendej diku.

Mos i ka kapluar kriza edhe mafiashët e energjisë? Pse s’po përmenden më?

Sindikatat dhe punëtorët

Nuk ka ndonjë koment!

Deputetët e varfër

“Përveçse është shumë më e rëndësishme se çfarë deputetësh janë ata se sa prej nga vijnë, thelbësore është se nga çfarë shtresash shoqërore vijnë deputetët – p.sh. të varfrit s’janë fare të përfaqësuar kurse klasa e mesme është pak e përfaqësuar në Kuvendin e Kosovës.” – shkruhej në komunikatën e quajtur Përfaqësimi në Sanduiq.

Përmes një kërkimi të thjeshtë në deklarimet e pasurisë në Agjencinë Kundër Korrupsionit (AKK) do të vini re se të cilës parti janë deputetët më të pasur.

Cilët deputetë të varfër të Vetëvendosjes përfaqësojnë qytetarët e varfër të vendit?

Madeleine Albright

Albright u përkujtua por një fakt megjithatë u harrua. Kurti kishte kërcënuar se do t’i qiste njerëzit në rrugë për t’u përplasur me ish Sekretaren amerikane të Shtetit.

Ajo akuzohej se ishte e përfshirë në korrupsion.

“Nëse vazhdoni të insistoni në privatizimin e PTK-së, duhet të jeni të vetëdijshëm se unë dhe familja ime, duke u bërë thirrje të gjithëve atyre që njohim, do të ballafaqohemi me ju për t’ju penguar juve dhe Qeverinë që të vazhdoni me këtë proces që është i drejtuar kundër nesh.” – shkruhej në një letër dërguar znj. Albright në vitin 2012.

Sidoqoftë, ekzistojnë edhe qindra qëndrime tjera të shkelura nga Albin Kurti dhe Vetëvendosje e për të cilat do të flasim një herë tjetër!

Kontrolloni gjithashtu

BDI dënon vendimet e fundit të Moskës zyrtare për aneksimin e territoreve të Donbasit dhe Luhanskut nga Ukraina

BDI: Qeveria me eksponentë putinistë që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, ka bllokuar marrëveshjet e mëhershme

Bashkimi Demokratik për Integrim, nënvizoi  rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë midis institucioneve të Republikës së …