Sot në orën 13:00, në Shtëpinë e Kulturës së Vushtrrisë, e cila ishte e mbushur përplot me të ftuar me aktivitete tematike, përkujtimore e kulturore u përkujtua 24-vjetori i Betejës së Hamidisë, e cila ishte zhvilluar më 11 qershor të vitit 1998, pastaj heroi i asaj beteje, komandanti i Artakollit, Jashar Jashari dhe u shfaq premiera e filmit dokumentar “Komandanti sypatrembur i Artakollit” kushtuar këtij Heroi të Kombit.
Pas hapjes së aktiviteteve, Komandanti i Zonës Operative të Dukagjinit gjatë kohës së luftës dhe kryetar i AAK-s, Ramush Haradinaj i ndau një “Mirënjohje” familjes së heroit Jashar Jashari, të cilën e pranoi bija heroit, zonja Vlora Jashari.
Më pas në emër të shoqatave të dala nga lufta e UÇK-së, të pranishmit me një fjalë rasti i përshëndeti kryetari i degës së veteranëve në Vushtrri, Gëzim Zuçaku.
Në emër të këshillit organizativ, foli para të pranishmëve z. Safet Hasani, i cili veçoi punën dhe mundin që ka bërë ky këshill në ofrimin e të dhënave e intervistave për filmin dokumentar, ”Komandanti sypatrembur i Artakollit” të cilin e ka realizuar TV-Dielli. Ai falënderoi të gjitha ata që ndihmuan në realizmin e dokumentarit.
Përveç familjarëve të dëshmorëve, veteranëve e invalidëve të luftës, në këto manifestime morën pjesë edhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, deputeti i Kuvendit të Kosovës, Fatmir Humolli, veprimtari, Fadil Fazliu, ministri i Mbrojtjes Armend Mehaj, zyrtarë të komunës së Vushtrrisë, veteranë të arsimit dhe qytetarë të shumtë.
Shfaqja e filmit dokumentar: “Komandanti sypatrembur i Artakollit” është përcjellë me një interesim të jashtëzakonshëm të publikut, në nderim e respekt për jetën dhe veprën e dëshmorit, Jashar Jashari, Komandant Duraku. Edhe pse filmi zgjati rreth 1 orë e dhjetë minuta, në sallë mbretëronte një qetësi e plotë nuk u dëgjua as edhe një pipëtimë.
Fotot i realizoi: Kushtrim Haxha